6 në 10 qytetarë në Shqipëri rezultojnë mbi peshë, ndërsa rreth 20% klasifikohen obezë. Në Ditën Botërore të Obezitetit, specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Jolanda Hyska thotë se kjo dukuri është mjaft shqetësues edhe tek fëmijët.
“Po të shikojmë shifrat tona, ne jemi gati 60% e popullatës shqiptare me studimin e fundit është mbi peshë gati diku te 20% që ne jemi me obezitet. 1në 10 fëmijë sot janë mbi peshë ose obezë”, thotë Jolanda Hyska, specialiste në ISHP.
Dikur shkaku kërkohej tek sasia e ushqimit dhe jeta sedentare, por sot janë vërejtur edhe faktorë të tjerë që e shkaktojnë obezitetin.
“Ne vërtetë flasim për faktor biologjik apo gjenetik që shkojnë në nivel individual, por sot gjithmonë më shumë po flitet për faktorët mjedisorë. Ashtu sikurse po flitet edhe për faktorët emocional. Për faktorët mjedisorë përsa i përket ushqimit. Gjithmonë e më shumë kemi akses ndaj ushqimeve të përpunuara. Rritja e konsumit të ushqimeve të përpunuara, me përmbajtje të lartë kalorike dhe vlera të ulëta ushqyese, si dhe cilësia e dobët e gjumit janë ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në shtimin e peshës. Mos harrojmë gjumi që është një element shumë i rëndësishëm dhe nuk duhet patjetër të presim që të kemi një mbipeshë që ne të fillojmë të reagojmë sepse çdo ndërhyrje është e nevojshme për të parandaluar”, thotë Hyska.
Një nga elementët kyç për parandalimin e obezitetit është ushqyerja me gji. Sipas specialistëve, ajo ndihmon në uljen e rrezikut për mbipeshë që në moshë të hershme.
“Për fat të keq ne po na ulen shifrat e ushqyerjes ekskluzive me gji edhe me gji që është një nga elementet më të rëndësishëm të parandalimit edhe të obezitetit”, vijon Hyska.
Pasojat e obezitetit janë serioze.
“Ai rrit ndjeshëm rrezikun për diabet tip 2, sëmundje kardiovaskulare dhe disa lloje kanceri. Sipas të dhënave ndërkombëtare, miliona persona humbasin jetën para kohe nga sëmundje kronike ku obeziteti është një faktor kontribuues”, tha Hyska.
Në nivel global, rreth 3 miliardë njerëz janë mbi peshë dhe obezë, shifër që në 2035 pritet të shkojë në 4 miliardë.
Komente











