Edhe pse kanë kaluar 6 vite nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit 2019, rindërtimi ende vijon. Ndryshe nga 5 të kaluarit, ky vit nuk u ‘përkujtua’ me shifra se sa shtëpi, pallate apo shkolla kanë përfunduar, por të dhënat e parashikuara në buxhet tregojnë se dëmet e tërmetit ende nuk janë ‘zhdukur’. Pavarësisht se institucionet nuk dolën me një bilanc mbi këtë proces, ende pas 6-vitesh vijojnë të hapen tendera për të ndërtuar pallate në kuadër të rindërtimit pas tërmetit.

Deri në fund të 2024-ës ishin 12 mijë familje që kishin marrë çelësat e banesave të rindërtuara, të financuara kryesisht nga buxheti i shtetit. Rindërtimi i cili është i shtrirë në disa bashki të vendit i ka kushtuar parave publike deri më tani mbi 1 miliardë euro, ndërkohë që kostoja do të vijojë të rritet edhe për 2026 dhe 2027-ën.

Në buxhetin e vitit që vjen janë parashikuar edhe 5 miliardë lekë ose 50 milionë euro për rindërtimin, dhe në 2027-ën fondi i vënë në dispozicion është parashikuar 1.5 miliardë lekë ose rreth 15 milionë euro. Në 2020-ën, fill pasi u bë bilanci i dëmeve nga tërmeti tragjik u shpenzuan 16.5 miliardë lekë, ndjekur nga 29.5 miliardë lekë në vitin 2021 dhe më pas duke zbritur në 28.8 miliardë lekë në 2022-shin.

Mbështetja me fonde buxhetore u ul në 16.2 miliardë lekë në vitin 2023 dhe në 8.2 miliardë lekë në vitin e kaluar. për këtë vit edhe pse janë planifikuar 5 miliardë lekë për tu shpenzuar deri më tani fondi i shpenzuar deri në fund të tetorit ishte 2.3 miliardë lekë.

Shifrat e tregojnë se rindërtimi i banesave është financuar kryesisht nga buxheti i shtetit, ndërsa nga fondet 1.15 miliardë euro të konferencës së donatorëve të mbajtur në Bruksel janë marrë vetëm projektet e BE-së të përqendruara më së shumti nëpër objektet arsimore dhe kulturore, dhe pjesën e banesave ta mbulojë me fonde të buxhetit, pa përfshirë 524 apartamente të financuara nga Turqia dhe pjesën e apartamenteve të ndërtuara nga Emiratet Arabe.

Dëmet e shkaktuara nga tërmeti kërkonin investime në vlerën 1 miliardë e 80 milionë euro ku mbi 800 milionë euro ishin vetëm dëmet për strehim.

26 nëntorin e vitit 2019, goditi vendin që në orët e para e mëngjesit tërmeti me magnitudë 6.4 ballë, që la pas shumë dhimbje. Shkaktoi 51 viktima dhe mbi 1 mijë persona të plagosur, ndërsa u regjistruan dëme shumë të mëdha materiale dhe shembjen e qindra banesave banorë në disa qytete si Durrës, Fushë-Krujë, Laç, Lezhë dhe Tiranë, ndërkohë që ende sot ka banorë që nuk janë sistemuar nëpër banesa.

Të dhënat shkencore nga Instituti i Gjeoshkencës treguan se tërmeti i datës 26 nëntor 2019 me magnitudë 6.4 ishte ndjerë  9 ballë në Hamallaj, Jube dhe Rrushkull, 8-9 ballë në Durrësi, Sukth dhe në Kuraten. Lëkundjet e forta sizmike sollën edhe shumë panik në të gjithë vendin, jo vetëm në atë ditë por edhe për muajt më pas, duke sjellë panik për shumë qytetarë shqiptarë.

Shumë shtete u solidarizuan me Shqipërinë pas ngjarjes tragjike duke shprehur këtë nëpërmjet ndihmave të shumta humanitare dhe financiare, si dhe duke sjellë forcat e kërkim shpëtimit të cilët luftuan për nxjerrjen e trupave të viktimave nga gërmadhat.