Pak konferenca për shtyp, më shumë video të xhiruara me telefon dhe të publikuara në TikTok e Instagram. Kjo është strategjia e re e kryeministrit britanik Andy Burnham, i cili po i përdor rrjetet sociale si kanalin kryesor për të komunikuar politikat e qeverisë dhe për të fituar mbështetjen e votuesve.
Sipas një analize të analistit Giusepe Sarcina për gazetën italiane Corriere della Sera, Burnham po publikon vazhdimisht video të shkurtra ku shfaqet në situata të ndryshme për të prezantuar masat e qeverisë. Në një prej tyre ai drejton një autobus dhe njofton se çmimi maksimal i biletës nuk do të kalojë dy sterlina. Në një tjetër flet për decentralizimin e pushtetit dhe mbajtjen e më shumë të ardhurave nga taksat në komunitetet lokale.
Video të tjera e tregojnë kryeministrin në një fabrikë trenash, ku prezanton planin për arsimin teknik, gjatë takimeve me të moshuarit ku premton reformën e kujdesit social, apo në bazën ushtarake të Portsmouth-it, ku njofton një investim prej 8.4 miliardë sterlinash për ndërtimin e katër nëndetëseve bërthamore. Në aktivitete zyrtare, si panairi ndërkombëtar i industrisë së mbrojtjes në Farnborough, ai shfaqet me një komunikim më institucional.
Burnham mori detyrën e kryeministrit më 28 korrik, duke premtuar se do të ndryshojë kursin politik të katër dekadave të fundit. Një nga ndryshimet më të dukshme, sipas analizës, është mënyra e komunikimit me publikun.
Aktualisht ai numëron rreth 600 mijë ndjekës në Instagram dhe 400 mijë në TikTok. Stafi i Doëning Street filmon dhe publikon pothuajse çdo aktivitet të tij, shpesh edhe drejtpërdrejt, ndërsa në disa raste përfshihen edhe influencerë të njohur. Njëri prej tyre është Max, krijuesi i përmbajtjes "Career Ladder", i cili ka rreth 20 milionë ndjekës dhe interviston personazhe publike mbi një shkallë të palosshme.
Përmes kësaj strategjie, Burnham synon të komunikojë me grupe të ndryshme votuesish, duke përdorur stile të ndryshme komunikimi. Objektivi është të rikuperojë mbështetjen e humbur gjatë vitit të fundit përballë partisë populiste Reform UK dhe liderit të saj, Nigel Farage.
Sondazhet e para pas marrjes së detyrës duket se i kanë dhënë rezultat. Partia Laburiste arriti të kalojë Reform UK për herë të parë që nga marsi i vitit 2025.
Megjithatë, një sondazh i publikuar më 4 gusht e rikthen partinë e Farage në avantazh të lehtë, me 23% të mbështetjes, kundrejt 22% për laburistët.
Zgjedhjet parlamentare janë parashikuar të mbahen në vitin 2029, përveç rastit kur Burnham vendos t'i thërrasë më herët. Në këtë vendim mund të ndikojnë edhe vështirësitë me të cilat po përballet Farage, i cili është vënë nën hetim për financime të padeklaruara.
Sipas artikullit, beteja politike në Britani pritet të zhvillohet gjithnjë e më shumë në rrjetet sociale, madje më shumë sesa në televizion. Në fund të fundit, pikërisht aty nisi edhe vala që ndryshoi politikën dhe shoqërinë britanike, që nga referendumi për Brexit e deri më sot.










Komente
Komento