Edhe një herë tjetër kthim në shtëpi pa qenë i zoti të futet në katërshen finale të Champions League pasi fitorja në këtë kompeticion Pep Guardiolës i mungon që prej vitit 2011-të. Në atë edicion Barcelona e tij triumfonte ndaj Manchester United në “Wembley”. Për të gjetur gjysmëfinalen e fundit që ka qenë Pep Guardiola duhet të kthehemi në kohën kur spanjolli drejtonte Bayernin. Për të qenë më të saktë akoma në tre sezonet e kaluara tek gjigantët gjermanë Guardiola është frenuar në fazën gjysmëfinale pa arritur dot finalen dhe në të trija edicionet është eliminuar nga ekipet spanjolle.
Ndërsa në tre sezonet e fundit që drejton Manchester City-n , Pep Guardiola nuk ka shkuar dot më larg se çerekfinalet pavarësisht se sheikët kanë shpenzuar në merkato plot 600 mln euro. Monaco, Liverpool dhe Tottenham kanë eliminuar Cityn e Guardiolës nga Champions që në çerekfinale. Ndoshta City edhe pse ka shpenzuar 600 mln euro tre vitet e fundit e dinte mjaft mirë që ta fitojë Championsi-n do ishte e vështirë, por edhe që të eliminohej në çerekfinale nuk i kishte shkuar në mendje.
Në përfundim të ndeshjes me Tottenham tekniku spanjoll ka deklaruar :”Jam shumë krenar për reagimin e tifozerisë sonë. Patjetër që jemi të trishtuar por do ecim përpara pasi futbolli është i paparashikueshëm. Unë e mbështes VAR, por ne jemi jashtë Championsi-t për shkak të një gabimi pasi jemi jashtë për shkak të një goli me dorë. Ai i shënuar nga Llorente është një gol që shihet në ndeshjet e hendbollit” e mbyll Guardiola.
Përgatiti: Andi Kapxhiu