60-vjetori i Matteo Mandalàsë në Tiranë, botimet e shumta që sollën dritë në botën arbëreshe

60-vjetori i Matteo Mandalàsë në Tiranë, botimet e shumta që sollën dritë në botën arbëreshe

Matteo Mandala

Me origjine arbëreshe, i formuar pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike të Universitetit të Palermos nën udhëheqjen e albanologut të shquar prof. Antonino Guzzetta, Mandalà gjatë karrierës së tij universitare u interesua për fusha të ndryshme të studimeve humanitare si ato historiografike, letrare dhe filozofike, duke thelluar bashkë me to studimet e mirëfillta albanologjike me karakter filologjik dhe gjuhësor që përfaqësojnë fushën e privilegjuar të zotimit të tij universitar dhe akademik.

E filloi punën si pedagog i shqipes pranë katedrës albanologjike të Palermos nga fundi i viteve ’80, për ta vijuar formimin akademik si kërkues shkencor i gjuhësisë së përgjithshme pranë Universitetit të Pizës nën drejtimin e prof. Riccardo Ambrosini, duke u kthyer pastaj në fushën e albanologjisë, me transferimin e përkohshëm në Universitetin e Kalabrisë në vitin akademik 1996-97 dhe si profesor i asociuar i gjuhës dhe letërsisë shqipe në vitin akademik 1997-98 pranë Universitetit të Barit ku interesin për albanologjinë e kishin mbajtur gjallë nga vitet ’50 deri në mesin e viteve ’80 disa studiues, si arbëreshi papas Zef Ferrari dhe shkodrani dom Jak (Luigi) Marlekaj. Aty kontribuoi me veprimtarinë e tij të shumanshme (didaktike, por edhe botuese dhe kulturore), duke ripërtërirë mësimdhënien e gjuhës dhe të letërsisë shqipe për t’u transferuar pastaj në Universitetin e Leçes, ku shqipja filloi të aktivizohej në vitet ’90.

 

Në fund të shekullit të kaluar, nga viti akademik 1998-99, u transferua në Universitetin e Palermos, pranë Fakultetit të Shkencave të Edukimit, ku në vitin 2001 mori drejtimin e katedrës albanologjike, pasi fitoi konkursin e shpallur një vit më parë pranë Universitetit të Romës. Gjatë viteve 2000-2004 vijoi të jepte lëndët e gjuhës dhe të letërsisë shqipe pranë degës së re të shkencave dhe teknikave të ndërkulturalitetit mesdhetar në Fakultetin filologjik të Mesinës. Krahas veprimtarisë së zakonshme të mësimdhënies, në këto 30 vitet e fundit Matteo Mandalà ka organizuar pranë Universiteteve ku zhvilloi aktivitetin e tij didaktiko-shkencor (në Palermo, por edhe në Bari dhe në Leçe) një sërë konferencash të rëndësishme albanologjike ndërkombëtare, si edhe ka marrë pjesë aktive në shumë konferenca, tubime dhe seminare ndërkombëtare me karakter albanologjik dhe ballkanologjik, të organizuara nga universitete italiane (Palermo, Trieste, Bolonja, Roma III, Potenxa, Kozenca, Bari, Leçe etj.) dhe shqiptare (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni), duke ligjëruar në Universitetet e Tiranës, Shkodrës, Prishtinës, Gjirokastrës, Elbasanit, Vlorës, Korçës, të EJL të Tetovës, të Shkupit dhe pranë Akademive të Shkencave të Shqipërisë, të Kosovës dhe të Maqedonisë, por edhe pranë katedrave të tjera albanologjike në Gjermani (Konstancë, Mynih) dhe në Rusi (Shën Pjetërburg).

E dendur dhe e frytshme ka qenë në këto vite veprimtaria e tij kërkimore, që dallohet për një spektër të gjerë fushash – nga historia deri në gjuhësi, në letërsi dhe në filologji – me një  qasje ndërdisiplinore që i përtëriti në mënyrë domethënëse disiplinat tona disi të shabllonuara, jo vetëm për shkak të ndikimit të ideologjisë totalitare në qendrat albanologjike të Ballkanit, duke sjellë një frymë të re metodologjike, por edhe duke u ofruar studiuesve tanë lëndë të re me botimin e dorëshkrimeve të shumta që solli në dritë me një “punë prej murgu”, siç e quan miku im Shaban Sinani.

Rezultat i kësaj pune të jashtëzakonshme kërkimore-shkencore janë botimet e shumta që Matteo Mandalà solli në dritë, duke u marrë me autorë pak ose aspak të njohur në Shqipëri, sepse ishin censuruar nga regjimi totalitar. E kam fjalën për figura të shquara letrare si Zef Skirò, për të cilin Mandalà përgatiti të parin studim të thelluar kritik La Diaspora e il Ritorno; mito, storia e cultura tradizionale nell’opera di Giuseppe Schirò,Palermo 1992, si premisë e botimit në vitin 1998 të Opera Omnia në 9 vëllime, që në vitin 2004 doli në një version më të shkurtër në Prishtinë për publikun shqiptar; si edhe për Martin Camajn me studimet Palimpsest (1993) dhe La vita di un uomo in un palinsesto mai scritto, Wiesbaden 2010.

Ishte pikërisht ndërmarrja madhore shkencore e Matteo Mandalasë me botimin e veprës së plotë të Skiroit që na shtyu pas ca vitesh, në 2003, me rastin e 100 vjetorit të vdekjes së De Radës, të merreshim me ndërmarrjen simotër të botimit të veprës së plotë të Poetit tonë të Madh, që fillimisht doli në Itali në 12 vëllime, pastaj edhe në Tiranë në një botim të përmbledhur në 6 vëllime. Është e pamundur të kujtojmë këtu të gjitha botimet e Mandalasë që dolën në këto 20 vitet e fundit, pasi vështirë të gjendet një autor i traditës sonë letrare arbëreshe, por edhe shqiptare, që te mos jetë bërë objekt i interesit kritiko-letrar dhe filologjik të studiuesit tonë të shquar. Merita e pare që albanologjia duhet t’i njohë Matteo Mandalasë është rishikimi pothuajse i tërë traditës letrare arbëreshe të Sicilisë dhe për një pjesë të mirë edhe të asaj të Kalabrisë. E kam fjalën sidomos për angazhimin e tij të frytshëm që me rastin e 200 vjetorit të De Radës e bëri të rishikonte me sy kritik tërë veprën letrare të këtij poeti duke e inkuadruar atë në një rrjedhë të re shqyrtimi dhe interpretimi. Lista e gjatë e kontributeve kryesore të Mandalasë përfshin Kodikun e Kieutit (1736-1739), veprën e Nikollë Filjes (1995), disa vepra të Nikollë Ketës (2005), Këngën e sprasëme të Ballës të Gavril Darës të Riut (2007) dhe sidomos kryeveprën e tij filologjike, botimin e veprës së parë letrare arbërisht: E mbsuame e krështerë të Lekë Matrëngës (1592), më parë në versionin italisht (2004), pastaj në një botim të rafinuar shqip (2012) që dallohet sot si një model ekdotik për t’u imituar nga ata që duan të merren me studimet filologjike shqiptare dhe arbëreshe.

Veprimtaria shkencore e Matteo Mandalasë nuk u kufizua në këto tridhjetë vjet vetëm brenda një albanologjie akademike dhe elitare, por u rrezatua në botën kulturore të Arbërit, këndej dhe përtej brigjeve të detit, në Itali dhe në Ballkan, duke e bërë të mundur dhe të dukshme një albanologji tjetër, të ndryshme nga ajo e mbyllura në “Kullën e fildishtë” të dijes që ishim mësuar të njihnim, të vëmendshme vetëm ndaj kërkimit të një të vërtete të lartë, por shpesh edhe të largët, që u linte dorë të lirë amatorëve të shumtë të një tradite dogmatike dhe të gënjeshtërt me rrënjë të thella ndër bijtë e Shqipes. Ky vizion modern dhe ky mision i ri i albanologjisë u bë i mundur përmes tri cilësive të Matteo Mandalasë si: formimi i tij i gjerë dhe poliedrik intelektual, që shpjegon shtrirjen e madhe të interesave në lëmenjtë e albanologjisë; karakteri civil dhe demokratik i angazhimit të tij kërkimor, që e vë shpesh në qendër të debateve të ndjeshme shkencore dhe qytetare; aftësia e tij për të punuar së bashku me studiues të tjerë, përmes një “rrjeti” lidhjesh të ngushta dhe të forta, miqësore dhe shoqërore, nëpër rrugët e reja të albanologjisë.

Vitet e fundit në qendër të vëmendjes shkencore të Matteo Mandalasë është vënë vepra letrare e Ismail Kadaresë. Kujtoj këtu studimet e tij të shumta që merren me ‘Ismailandin’ siç Mandalà e quan Shqipërinë imagjinare, Mëmëdheun letrar të ndërtuar nga Kadareja. Vepra e Kadaresë pati jashtë Shqipërisë dy fate të mira: fati i parë është se gjeti një përkthyes të jashtëzakonshëm si Jusuf Vrioni që përmes frëngjishtes e bëri atë të njohur në mbarë botën; fati i dytë është se gjeti sot një studiues si Matteo Mandalà që me këtë qasje kritike gjithëpërfshirëse i dëfton botës letrare vlerat e vërteta të letërsisë së tij madhore për herë të parë jo copa-copa, por me një vizion global dhe me një interpretim kritik të gjerë dhe të thellë që e lidh atë me majat më të larta të letrave dhe të letrarëve bashkëkohës.

 

Së fundi, last but not least, le të kujtojmë angazhimin e Matteo Mandalasë në disa shoqata shkencore dhe akademike të mirënjohura, si: AISSEE (Associazione Italiana di Studi del Sud-est Europeo) që përfaqëson degën kombëtare italiane të AIESEE (Association Internationale d’Études du Sud-est européen), zëvendës-president i së cilës prej vitit 2009 është pikërisht Mandalà; Sodalizio Glottologico Milanese prej vitit 1999; Fondacioni Universitar “Francesco Solano” që prej vitit 2009; drejtor i revistës albanologjike italiane “Res Albanicae”, Anëtar Nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (2016); Anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (2017). Ndër titujt më prestigjiozë dhe më domethënës që i janë dhënë kohët e fundit Matteo Mandalasë nga institucionet shtetërore dhe universitare shqiptare, mund të përmendim këtu titullin “Nderi i Kombit”, urdhri më i lartë ndër vlerësimet që jepen në shkallë kombëtare në Shqipëri, akorduar nga Presidenti i Republikës (2014), Diploma e nderit “Honoris Causa” nga Universiteti i Tiranës (2017) dhe Diploma e nderit “Honoris Causa” nga Universiteti i Vlorës “Ismail Qemali” (2018).

(Marrë me shkurtime sipas librit të botuar me rastin e 60-vjetorit të lindjes së prof. Matteo Mandalà me titull “Matteo Mandala dhe albanologjia sot”, përgatitur për botim nga F. Altimari, G. Gurga dhe Sh. Sinani, botimet “Fastprint”, Tiranë 2018)

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë