Protesta shënon ditën e 63-të, ndërsa sot i janë bashkuar edhe disa protestues nga diaspora.

Reforma territoriale është tema e ditës për të cilën flasin sonte protestuesit poshtë kryeministrisë.

“Ne duhet të përpiqemi për decentralizim dhe jo centralizim të mëtejshëm. Ne duhet t’i mbështesim maksimalisht të gjithë njerëzit që protestojnë në qytetet e tjera”, tha një prej tyre.

Pavarësisht kundërshtimeve për ‘Territorialen’, vëmendja nuk u largua nga kërkesa e vazhdueshme për dorëheqjen e qeverisë dhe anulimit të ligjeve për investimet strategjike dhe ndryshimeve në zonat e mbrojtura.

“Anuloni ligjet! Jepni dorëheqjen! Shqipëria nuk është kontratë! Shqipëria nuk është biznes! Shqipëria është amanet!”, tha një emigrante nga Franca.

Një i ri me aftësi të kufizuara tha se shteti nuk i është gjendur pranë kësaj kategorie, ndërsa quajti qeverinë “sorra e korba.”

“Sot i kanë rënë puplat, sorrat janë ata, shqiptarët jemi ne, të pafytyrët janë ata, shqiptarët jemi ne. Hapni rrugën!”, tha ai.

Mes protestuesve ishte edhe ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit, Krenar Ahmeti që bëri thirrje për institucione e shërbime më të shëndetshme dhe rezistencë.

“Ne jemi kundër dhunës sepse i duam institucionet tona, duam mjekësi dhe polici të shëndetshme. Nëse ju lëshoni frontin mos u ankoni për 40 vite. Janë momente decizive”, tha Ahmeti.

Lajm në përditësim...