65 vjet Shqipëri-Kinë, Bushati: Ura
të reja për një bashkëpunim rajonal

65 vjet Shqipëri-Kinë, Bushati: Ura<br />të reja për një bashkëpunim rajonal
TIRANE - Me rastin e 65 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Kinë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ambasada e Republikës Popullore të Kinës në Tiranë, organizuan sot konferencën me temë “65 vjet Shqipëri-Kinë”. 

Nën moderimin e gazetares së A1 Report, Erjona Rusi, në këtë konferencë morën pjesë ish-presidentë, ministra, deputetë, përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues të OJF-ve që veprojnë në fushën e marrëdhënieve me jashtë, studiues, diplomatë, studentë të marrëdhënieve ndërkombëtare, etj.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Ministri Bushati u ndal tek miqësia mes dy vendeve e popujve tanë. Sipas Bushatit miqësia Shqipëri-Kinë gëzon një karakteristikë të veçantë, pasi ka në themel jo vetëm marrëdhëniet diplomatike dhe ekonomike, por gjithashtu ato kulturore, artistike, arsimore e sportive.

“Miqësia midis Kinës dhe Shqipërisë ka në themele jo vetëm marrëdhëniet diplomatike, (që u vendosën më 23 nëntor 1949), apo marrëdhëniet ekonomike e politike. Por, edhe vlerat dhe shkëmbimet në fushën e programeve kulturore. Në vitin 1963, Shqipëria, si vend anëtar i OKB-së, propozoi dhe mbështeti në rrugë diplomatike për ripranimin e Kinës në këtë organizatë. Më 25 tetor 1971, në sesionin e 26-të të Asamblesë së Përgjithshme, Republika Popullore e Kinës u pranua me të drejta të plota në OKB. Miqësia midis dy vendeve tona e pati zanafillën gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë. Ishte një miqësi e kushtëzuar, e cila fillimisht u bazua në interesa që lidheshin ngushtë me specifikën dhe mentalitetin e asaj kohe.  Pavarësisht oshilacioneve, apo miqësisë me pezullim të përkohshëm, dy vendet tona kanë rigjetur gjuhën e përbashkët për të bashkëpunuar më ngushtë dhe në mënyrë më të strukturuar. Fakti që jemi mbledhur sot këtu, për të kremtuar 65-vjetorin e marrëdhënieve tona diplomatike, dëshmon e jetëgjatësinë e miqësisë sonë që nuk është më e kushtëzuar por e bazuar në mirëkuptim.” tha Bushati

shqiperi kine

Bushati: BE dhe Kina të rëndësishme në fushën e ekonomisë për vendin tonë
Ministri Bushati i cilësoi BE-në dhe Kinën si dy aspekte përplotësues të njëri-tjetrit, veçanërisht në fushën e ekonomisë për vendin tonë. Në këtë kontekst Bushati nënvizoi se iniciativa e bashkëpunimit mes Kinës dhe Evropës Qendrore dhe Lindore ka hapur perspektiva konkrete për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike në fushat e infrastrukturës, bujqësisë, turizmit dhe kulturës.

"Ndonëse nuk është në lartësinë e Kinës në shumë tregues, edhe Shqipëria, ka njohur transformime të thella gjatë çerekshekullit të fundit. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe vend kandidat për t’u anëtarësuar në BE. E në të njejtën kohë pol stabiliteti demokratik, falë politikës së jashtme dinamike në rajon. Cka i jep marrëdhënies midis Kinës dhe Shqipërisë një dimension të ri.  Është pikërisht ky dimension që duhet shfrytëzuar edhe më shumë. BE-ja dhe Kina përbëjnë për Shqipërinë dy aspekte përplotësues të njëri-tjetrit, veçanërisht në fushën e ekonomisë. Në këtë kontekst, iniciativa e bashkëpunimit mes Kinës dhe Evropës Qendrore dhe Lindore ka hapur perspektiva konkrete për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike në fushat e infrastrukturës, bujqësisë, turizmit dhe kulturës. Stabiliteti politik dhe ekonomik i vendeve pjesë të kësaj nisme, krijon një platformë solide bashkëpunimi për të tashmen dhe të ardhmen. Kjo nënkupton, ndër të tjera, edhe integrimin e mëtejshëm të tregjeve tona, duke i shndërruar kështu në tregje gjithnjë e më tërheqëse për investimet kineze. Kësisoj, nëpërmjet nismës dhe projekteve madhore në fusha strategjike të ekonomisë, Kina ka potencialin për të krijuar ura të reja të bashkëpunimit rajonal." tha ai

shqiperi kine

Konferencën e Përshëndeti gjithashtu dhe Ambasadori Fuqiplotë i Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Ye Hao.

Konferenca, vijoi me panelin “Marrëdhëniet Shqipëri-Kinë: një vështrim i përgjithshëm në fushën historike, diplomatike, ekonomike dhe kulturore. E tashmja dhe e ardhmja e këtij bashkëpunimi”, në të cilin ligjëruan historiani Petrit Nathanaili, ish-ambasadori shqiptar në Kinë Hajdar Muneka, deputeti i PS Alfred Peza, si dhe anëtarë të grupit parlamentar të miqësisë Shqipëri-Kinë.

65-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike u përcoll në këtë aktivitet edhe përmes ekspozitës dokumentare nga pasuritë e Arkivit Historik të MPJ-së, ekspozitës së botimeve të ndërsjella (Biblioteka Kombëtare dhe Biblioteka e MPJ-së), si dhe ekspozitës së përbashkët fotografike (ATSh dhe Ambasada e RP të Kinës).

shqiperi kine

shqiperi kine

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Zelensky publikon foto nga takimi 'kokë më kokë' me Ramën: Folëm për rikonstruksionin e Ukrainës

Presidenti Zelensky publikon foto nga takimi 'kokë më kokë' me Ramën: Folëm për rikonstruksionin e Ukrainës