Sondazhi i fundit i publikuar në Report TV mbrëmjen e djeshme (8 Janar), ku të dhënat flasin për një fitore të PS më 11 Maj me 80 mandate dhe me PD që tkurret në 46 mandate, si dhe surpriza e partive të reja me 12 deputetë, ka qenë tema e debatit të sotëm në “Studio Live”.
Të ftuarit e moderatorit Arbër Hitaj kanë qenë Ilirjana Kuçana, anëtare e Këshillit Kombëtar të PD Azgan Haklaj, ish-deputet demokrat, aktualisht me Demokratët Euroatlantikë dhe gazetari Poli Hoxha.
Një tjetër temë diskutimi interesante ka qenë edhe situata e opozitës së përçarë dhe refuzimi i partive të reja opozitare ndaj Sali Berishës, për shkak të shpalljes së tij “non grata”, por edhe marrjes si i akuzuar dhe i pandehur nga SPAK, për aferën e dosjes “Partizani”.
Gjithashtu u diskutua vota e Diasporës me regjistrimet që nisin më 11 Janar, si dhe Drejtësia e re dhe dosjet e Politikës, në risitë juridike e penale që priten këtë vit.
Kuçana u shpreh se PD do vijë në pushtet më 11 Maj 2025, por sipas saj duhej me patjetër një bashkim i frontit opozitar, me të gjithë faktorët anti-Ramë, teksa vlerësoi si të pazëvendësueshme figurën e Berishës, kur Haklaj dhe Hoxha propozuan që ai të dorëhiqej që opozita të vinte në pushtet.
Haklaj shkoi më tej, duke kujtuar se Berisha është peng i Ramës dhe në këmbim të pushtetit ka marrëveshje që PD t’i kalojë Argitës, kurse deputetëve të tjerë i mbetet vetëm “të kërcejnë dhe të dredhin sa më mirë belin” për të hyrë në lista. Ai shtoi se Salianji ishte kurbani i Berishës te amnistia penale dhe se nuk i besonte sondazhit të fundit.
Gazetari Poli Hoxha e sheh fituese mazhorancën më 11 Maj, por jo sipas sondazhit që e cilëson të ekzagjëruar. Sipas tij, PS nuk merr më shumë se 68 mandate, duke theksuar se Rama-Berisha bashkëpunojnë mes tyre për bipolaritet politik dhe inekzistencë të kundërshtarëve. Por Hoxha propozon bashkimin e polit të tretë opozitar, që nëse ndodh maksimalizon votat deri në 30% dhe bëhet “kingmaker’ i politikës.
Ish-deputeti demokrat Azgan Haklaj, aktualisht pjesë e Demokratëve Euroatlantikë, e quaji sondazhin ei “të paguar nga Rama dhe Berisha” për të krijuar bipolaritet politik dhe mos lejuar forcat e tjera.
“Kemi dëgjuar deklaratat e përhershme të Berishës se do rrëzojmë regjimin dhe në krahun tjetër ka firmosur e votuar marrëveshje me Ramën. Sa protesta ka bërë te Kryeministria Berisha. Marrëveshjen me kë e ka bërë, a e ka bërë me zotin Rama. Apo protestat që po bën te SPAK. Rama e ka marrë peng Berishën, e mban peng. Berisha ka marrë peng Rithemelimin dhe partinë. Kjo është kapja rob e Sali Berishës nga Edi Rama. Ai dha mesazhin e qartë nga Fieri, se do jetë aty ende dhe nuk e lëshon partinë. Ai tha sa të kem frymë mbi dhe jam unë drejtues! Çfarë mesazhi i dha sot Salianjit në burg? Sot bëhen 3 vjet nga sulmi me dhunë ndaj selisë së PD (2021), duke sulmuar vëllezërit brenda selisë dhe një gjakderdhje të madhe, një Shën Bartolome dhe ai që doli me hu ishte Salianji. Dhe ai i dha mesazhin sot Ervinit, pra t’i më erdhe me hu, në të futëm me hu këtu. Kurse i dha librin procesi të Franc Kafkës, pritet t’u japi dhe Mitin e Sizifit, e secilit t’u japë nga një libër, si Bardhit, e të tjerëve. Dhe ata i poshtëroi në mënyrë spektakolare, deri te kërcimi në festë, a e pe sa bukur kërcenin ata? Marrim Bardhin e Gjekmarkajn që thanë se sa të jetë Berisha ose nëse bëhet kryetar, lëmë politikën”, tha Haklaj.
Madje ai kujtoi edhe përplasjet brenda PD, duke kujtuar konfliktet e tyre dhe akuzat e hershme dhe kthesën 180 gradë.
“Bardhi i ka paditur ata, Nokën dhe grupin e 11 Dhjetorit, për falsifikim vulash, përvetësim të titullit zyrtar, falsifikim dokumentesh etj. Shih si kërcejnë Mziu, Bardhi, Tabaku. Këta janë shpërdoruar nga një mik i tyre, këta kanë mëkatuar besimin e demokratëve që u kanë dhënë votën. (Bën krahasimin me Solomonin) edhe këta presin që Berisha të vdesë që t’i lëshohen. Kemi 58 zyrtarë të PS në SPAK, ministra, ish-ministra, deputetë, kryebashkiakë, e tani themi se këta marrin 80 mandate me këtë situatë? Dumani tha se Politika ka bashkëpunim me krimin e organizuar. Dhe u jepen 80 me 46 mandate po këtyre për të cilët flitet se janë të lidhur me krimin. Ka ardhur koha që qytetarët shqiptarë të votojnë ndryshe”, shton ish-deputeti.
Por si vjen në pushtet opozita sipas Haklajt? Vetëm me dorëheqjen e Berishës! Dhe sqaron:
“Nëse Berisha do që PD të fitojë, të japi dorëheqjen. Ramën e mban në pushtet Sali Berisha. Mesazhi është i qartë, Berisha do ia japi partinë Argitës. E ka bërë marrëveshjen me sulltan Ramën. Madje Mediu i bëri presion Berishës sot që ta përfshijë në listë, ndaj ishte deklaratë e fortë. Të njëjtën gjë bëri edhe Agron Duka, duke ofruar figura të përbashkëta të tyre”.
Por ai shkoi më tej, duke vënë theksin te bashkëpunimi Rama-Berisha, që bënë ‘kurban’ edhe Salianjin.
“Berisha e shiti Salianjin, i shkuan Xhafajt që Ervini të përfshihej në amnistinë penale, por nuk u pranua. Ministri Manja tha se s’do amnistoheshin zyrtarët e korruptuar, por ndodhi e kundërta. Berisha ka bërë bashkëpunim të frikshëm me Ramën për marrëveshje dhe vendime apo votime. Edhe Salianjin donin ta amnistonin, por nuk u pranua nga Xhafaj. Ndaj Berisha shkoi si Ponç Pilati te Ervini sot”, kujton Haklaj.
Një tjetër analizë bëri gazetari Poli Hoxha për Report TV, në emisionin ‘Studio Live’ pasditen e sotme.
Ai tha se nuk mendon që Rama do marrë 80 mandate. Sipas tij, mazhoranca nuk merr më shumë se 68 mandate, edhe pse e konsideron fitues, pasi plani mbetet krijimi i bipolaritetit, ku Rama mban pushtetin dhe Berisha partinë.
“Pa dashur të paragjykoj sondazhet, s’më duket ky perceptimi i realitetit si gazetar. Të shkosh nga 74 në 80 në një mandate ku ke mbetur vetëm nga ata me të cilët e nise qeverisjen nga 2021? Pa e paragjykuar, por këta na kanë nën kontroll, me patronazhim e të dhëna, përfshi edhe neve këtu (panelit) dhe madje vetë kreu i PS mburret me këtë dhe thotë se do e forcojë edhe më shumë. Kam dy motra në SHBA dhe i telefonojnë dhe i thonë na jep votat që t’i deklarojnë se janë në punë shteti dhe të thonë se i kanë ata dy vota. Duke pasur informacion brenda PS, unë këtij 80% i heq 10%, ndryshe Rama nuk thërriste mbledhje urgjente me drejtues politikë dhe nuk ndryshonte drejtuesit e Tiranës. Nuk mund të merrej me votën e emigrantëve nëse ishte i sigurt. E gjithë është lojë mediatike dhe sondazhesh (s’ka gjë, se ka dhe marzh gabimi, ndërhyn Arbër Hitaj), kujtojmë dhe rastin e SHBA. E gjithë kjo bëhet për të nxjerrë bipolaritetin Rama-Berisha, por realiteti është ndryshe”, shprehet gazetari në ‘Studio Live’.
Hoxha i kthehet edhe deklaratës së fortë të Mediut brenda kampit opozitar, duke e cilësuar si rrezik për PD për të maksimalizuar votën.
“Mediu dha deklaratë të fortë, ku tha se PD e dha propozimin për reformën zgjedhore, sepse ai i PS ishte më i mirë në fakt, i propozuari. Por bëhet fjalë për bipolaritet, valle dyshe Rama-Berisha dhe të tjerët bëhen inekzistentë, se ekzistenca e tyre, partive të tjera, bëhet pasiguri për ta. Por nëse partitë e tjera të vogla bashkohen, edhe kodi s’i lejon shumë, por ata mund të bëhen kingmaker dhe të shkojnë deri te 30% që ta kapitalizojnë. Unë parashikoj faktor të tretë, ndërhyrje të ndërkombëtarëve dhe goditjet e tjera të SPAK. Unë s’e shikoj Ramën as me 71 deputetë, por më e shumta tek 68 deputetë”, vijon ai.
Në lidhje me sjelljen e politikës dhe përballjen me drejtësinë, Hoxha e sheh SPAK-un si rrezik për partitë e mëdha politike dhe veçanërisht mazhorancën.
“SPAK po hap zyra në çdo qark për shkeljet zgjedhore dhe krimin elektoral. Por edhe presioni ndaj drejtësisë është i madh. Madje para pak minutash zonja Xhaferrllarit është dorëhequr nga çështja Berisha në Kushtetuese, pas 3 ditësh presionesh që iu bënë. Jam për transparencë, por jo për metoda komuniste. Por ke të tjerë që bashkëjetojnë me të tjerë apo janë burrë e grua”, thotë Hoxha.
Por si e sheh të ardhmen e opozitës dhe mundësitë për të fituar më 11 Maj 2025, si dhe opsioni real i partive të vogla. Hoxha thotë se e vetmja zgjidhje është një front opozitar dhe që Berisha të veprojë si më 2005.
“Unë mendoj se i vetmi shans që kanë të rinjtë në PD është që Berisha të kujtojë vitin 2005, të veshë lëkurën e qingjit, të rikthejë KOP-in si me rastin Basha dhe të fitojë dhe uroj, por me ç’shikoj po shkohet drejt besnikërisë ndaj liderit dhe kalcifikimit. Unë jam për të rinjtë dhe jo për ata që hidhen e përdridhen, e përdredhin belin më mirë se për njerëzit e tyre, nga ata që dikur thoshin jo do hidhemi nga ballkoni etj., dhe sot ja ku janë. Janë kapur partitë. Shikoni në PS çfarë bëhet, nga televizori e marrin vesh se bëhen ministra e deputetë, pse kjo është demokracia?”, përfundon gazetari.
Ilirjana Kuçana, anëtare e Këshillit Kombëtar të PD, ishte një nga të ftuarat sot në emisionin ‘Studio Live”. Ajo u shpreh e bindur se PD do i fitojë zgjedhjet e 11 majit dhe nuk i beson sondazhit, duke e quajtur jo realist.
Por pranoi se opozita ka problematika brenda saj që duhen zgjidhur brenda këtyre 4 muajve dhe që të shkohet në zgjedhje në mënyrë të unifikuar, për të maksimalizuar votën dhe për të fituar pushtetin pas 12 vitesh.
“Nuk na rezulton kjo shifër, se të thuash se Rama do marrë 80 mandate, do të thotë se Rama ka bërë gjithçka mirë, kur kemi nivelin e krimit, masakrën zgjedhore dhe vetë socialistët nuk e besojnë. Madje edhe intelektualët socialistë më kanë thënë se do votojnë alternativat dhe jo PS. Unë jam e bindur se PD do vijë në pushtet, kam bindjen e brendshme. Patjetër që ka gjëra për të rregulluar dhe përmirësuar, për të zbritur në terren me qytetarët. Ka një kauzë më të madhe se partia, Shqipëria është në rrezik. Nuk do bie asnjëherë në debatin e brendshëm me njerëz që kam qenë bashkëpunëtore. Luftën s’e kemi as me Bashën dhe as me Shehajn apo ndonjë tjetër dhe unë nuk do bie kurrë pre e debateve të brendshme, po për ta çuar Shqipërinë para”, u shpreh ajo.
Në lidhje me shifrat e sondazheve që ka vetë opozita në krahasim me ato të publikuara në Report TV, ajo shprehet se PD do fitojë.
“Unë mendoj se Rama i ka keq sondazhet dhe ka shqetësim të madh. Sondazhi është i paguar. Ne kemi të dhëna e sondazhe të tjera. Rama e tregon panikun dhe frikën dhe e sheh që njerëzit e tij të afërt do jenë shumë shpejt atje ku e meritojnë, Balla, Veliaj etj. Jo vetëm kaq por po detyrojnë administratën për të siguruar 10 vota për punonjës administrate me listë. Rama nuk do ia çonte diasporës njeriun që nxjerrin përgjimet me bandat kriminale. Unë jam pro bashkimit, me front të gjerë opozitar për të ardhur në pushtet”, shprehet për ‘Report TV’.
E pyetur për kallëzimin që PD i ka bërë për anëtaren e Kushtetueses, Marsida Xhaferrllari për bashkëjetesën me deputetin Enkelejd Alibeaj ajo shprehet se duhet ta kishte deklaruar si një funksionare e drejtësisë.
“Për zonjën Xhaferrllari në Kushtetuese duhet bërë transparencë dhe ajo nuk e ka bërë, duhet ta deklaronte, ne nuk jemi kundër bashkëjetesës (me Alibeajn), por duhet ta kishte deklaruar”, u shpreh ajo.
Kuçanaj kontestoi një nga mendimet e të pranishmëve se Berisha duhet të sillej si qingj e të tërhiqej apo dorëhiqej nga PD.
“Mendoj se Berisha është qendrestari i vetëm që ka mbetur, i vetmi që i del Ramës përballë, nuk është as ujk as qingj”, përfundoi ajo.