Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Joani, së bashku me Papën dhe Patriarkun e Aleksandrisë dhe të gjithë Afrikës, Fortlumturinë e Tij Theodorin II, shoqëroi pasditen e së martës, Tërëshenjtërinë e Tij, Patriarkun Ekumenik Vartholome, në udhëtimin drejt Imbrosit, ishullit të tij të lindjes.

Prania e tre Primatëve në Imbros lidhet me 65-vjetorin e hyrjes së Patriarkut Ekumenik Vartholome në radhët e klerit, një përvjetor i rëndësishëm që shënon rrugëtimin e tij të gjatë të përkushtimit dhe të shërbimit ndaj Kishës së Madhe të Krishtit.

Më 13 gusht, në Imbros, do të kremtohet Liturgjia Hyjnore, në të cilën do të bashkëmeshojnë të tre Primatët.

Ky përvjetor përkujton një nga çastet përcaktuese të jetës kishtare të Patriarkut Ekumenik. Në vitin 1961, pas përfundimit të studimeve në Shkollën Teologjike të Halkit, ai u dorëzua dhjak, duke nisur kështu një rrugëtim 65-vjeçar shërbese, përkushtimi dhe dëshmie në gjirin e Kishës.