66 Kg vetmi/Recensë për një libër
që nuk gjendet në asnjë librari!

66 Kg vetmi/Recensë për një libër<br />që nuk gjendet në asnjë librari!
Ёshtë zhgënjyese se si Ministria e Kulturës u jep fonde sejmenëve të saj militantë, për të përkthyer veprat e  tyre në gjuhë të tjera... ndërkohë që veprat e autorëve vërtet të talentuar si Ardita, nuk gjenden as në librari... Kërkojeni në internet dhe lexojeni poezinë e Ardita Jatrusë. Nëse nuk e lexoni, nuk humbet autorja, por lexuesi. Po të keni pak fat, Ardita do ta nxjerrë librin nga “sepetja” dhe do t’jua dërgojë...

Poezinë e Ardita Jatrù-së e kam hasur nëpërmjet internetit dhjetë vite më parë. Një poezi par excellence, e cila, përveç të tjerash përshkohet nga një dënesë e brishtë, e bukur...
E përsosur artistikisht, fluide, me një sinqeritet vrastar... dhe me një përzierje të ngrohtë aromash; të Shqipërisë ku ka lindur poetja, dhe të qytetit të Selanikut, ku ajo jeton prej shumë vitesh.
Unë Arditën nuk e kam takuar asnjëherë, por e ndiej të afërt prej poezisë së saj.

Nuk mund t’i jap një kombësi kësaj poezie, por mund ta quaj fare mirë; Poezi Europiane, sepse është tërësisht jashtë skematikës dhe cungimeve, që autorëve shqiptarë (edhe të rinjve) u ka lënë në pavetëdije realizmi socialist.

Ka shumë shpirt poezia e Arditës, ashtu siç ka edhe një individualitet të spikatur, të pangjashëm me askënd tjetër.

Ndërsa më ndodh shpesh të lexoj poezi me lojëra fjalësh, që nuk të lënë asgjë në mend kur i mbaron së lexuari, e bukura e poezisë së Arditës qëndron te fabula, çdo poezi e saj ka një fabul të spikatur, e cila të mbetet gjatë në mendje.

Ajo është e aftë ta shndërrojë në poezi, edhe gjënë më pak poetike të mundshme.

Ardita Jatrù dallohet për ndjeshmërinë delikate në vargje, por disa poezi të tjera të saj jane krejt e kundërta e kësaj delikatese. Ato janë gati fshikulluese dhe të skalitura vrazhdë, mjeshtërisht vrazhdë... vërtetësisht vrazhdë...

Një ditë e pyeta virtualisht Arditën se ku mund ta gjeja librin e saj me poezi dhe ajo m’u përgjigj: “Mos më lëndo! Unë librat i mbaj në sepete dhe ua dhuroj miqve.”
U trishtova.

Kurrsesi nuk doja ta lëndoja, por me mjaft delikatesë vazhdova t’i thosha se doja ta bleja librin dhe se nuk e doja si dhuratë, sepse kjo më duket shenjë respekti kundrejt punës së artistit, por pikërisht atë çast dikush tjetër ndërhyri dhe i tha në mënyrë fare të paturpshme: “Ma dhuro edhe mua...”

Dhe Ardita ia ktheu: “Mirë, po ta dhuroj dhe ty...”

Njerëzit që shkruajnë, shpesh ndeshen me kërkesa të tilla, fjali vulgare të llojit: “Dhe ti, s’na dhurove një libër...”  Kërkesa që demonstrojnë një mungesë respekti të shëmtuar për punën e shkrimtarit apo poetit. Por nuk është vetëm kjo... Ç’është më e trishtueshmja, librat e Arditës nuk gjenden në asnjë nga libraritë e Shqipërisë. Dhe kjo, jo sepse janë shitur, por sepse nuk ekzistojnë. Nuk kane ekzistuar ndonjëherë në ndonjë librari, nuk dinë si qëndrohet nëpër librari. E vetmja gjë që dinë është të dergjen gojëkyçur në “sepete”.

Në të vërtetë, ndodh shpesh që librat e mirë të mos gjenden nëpër libraritë shqiptare, ndërkohë që të çpojnë sytë nëpër vitrina librat e personazheve mediatikë, të cilët dallohen për injorancën enciklopedike. (Kujtoj këtu se sa shumë jam stërmunduar për të gjetur një libër me poezi të Frederik Rreshpjes, derisa një botues skrupuloz, Z. Myftar Gjana, botoi një përmbledhje vitin që shkoi, hartuar me shumë dashuri.)

E pyes Arditën se përse nuk gjenden librat e saj nëpër librari, dhe ajo më thotë se pasi kontaktoi disa botues për të botuar librin e saj dhe nuk mori asnjë përgjigje (emri im nuk u thoshte asgjë, u shpreh ajo, edhe pse Ardita është botuar në disa revista letrare; greke, angleze, etj.) më në fund një shtëpi botuese shqiptare, me çmim mjaft të kripur, iu përgjigj menjëherë, i tha se ia merrte përsipër edhe shpërndarjen.

Kjo shtëpi botuese, në fund i doli fjalës në lidhje me shpërndarjen, sepse sipas saj “askush nuk lexon poezi”. Fjalia e fundit më kujtoi një librar te Adrioni, të cilit një ditë i kërkova një libër me poezi të Alain Bosquet dhe ai ma ktheu: “Çfarë kërkoke dhe ti, nuk lexon njeri poezi sot.” Madje mblodhi edhe buzët gjithë përçmim për poezinë.
 
Kështu pra, jam duke bërë këtë shkrim promovues për poezinë e Arditës, ndërkohë që lexuesi nuk ka se ku ta gjejë këtë poezi. (Këto gjëra ndodhin vetëm në Shqipëri! Në këtë vend absurdi të ndjek në çdo hap...)
Dhe e kam fjalën për një poezi si kjo:
 
 
Antony,
mos vdis kësaj vjeshte
se ky pikëllim i kuqërremtë i natyrës duhet ndier në asht
dhe muzgun kur ngjit fytyrën qelqeve me brymë.
Eh, dhe liqenin e hirtë e të heshtur pa një shpend.
Por asnjë vjeshtë nuk është njësoj,
as dashuritë.
 
Shqiptarët nuk e duan poezinë! A nuk është ky një pohim i nxituar? Në Shqipëri dhe në gjithë vendet ish-komuniste, ka më shumë poetë se prozatorë. Ne kemi një traditë të mirë me poezinë. Diktaturat kanë patur kujdes për poezinë, për shkak të ideologjisë i kanë dhënë asaj një vend të rëndësishëm. Problemi qëndron pikërisht te botuesit.

Të marrësh një licensë për të hapur një shtëpi botuese nuk është thjesht çështje biznesi. Kur hap një shtëpi botuese ke një përgjegjësi morale ndaj kombit tënd se çfarë ushqimi do t’i servirësh. Botuesi orienton shijet dhe nuk është çudi pse sot shijet e të rinjve shqiptarë janë ndotur me librat e Steel-it apo Cohellho-s, sepse ashtu të ndotura janë edhe shijet dhe interesat e botuesve që i promovojnë.

Letërsia është shtylla kurrizore e një kombi, të gjitha artet derivojnë nga ajo; pa një tekst të bukur letrar nuk mund të krijohet një këngë e mirë... dhe pa një skenar të mirë, prej dorës së një shkrimtari, nuk mund të ndërtohet një film i mirë... E ta lësh atë në duar që drejtohen vetëm nga përfitimi, siç janë disa duar botuesish shqiptarë, është një ndër krimet më të mëdha që mund t’i bësh këtij kombi. (kam njohur një botues, i cili fjalën Tiranë, e shkruante Tiran...)

Botuesit shqiptarë promovojnë autorin që paguan më shumë para, apo atë tek i cili kanë interes për bizneset e tyre. Dhe këta autorë parallinj, apo që kanë poste të rëndësishme, shpesh qëllon të jenë fare amatorë në veprat që krijojnë, për të mos thënë qesharake. Por kjo nuk ka fare rëndësi. Tamburët në lidhje me librat e tyre janë tejet të zhurmshëm.

Botuesit as që e lodhin veten të nxjerrin në sipërfaqe autorë që do t’i bënin nder çdo librarie... Atyre nuk u intereson fare talenti i Arditës dhe poezi si kjo “që te shkon deri në asht”... (nëse do përdorja një varg të saj):
 
Ana,
kujdesu për mua
krihmi flokët me gishtërinjtë e hollë se për ty kam krijuar një himn.
Eja, lamë për të fundit herë
dhe e dashur, falmë,
siç ti fal shiun kur gjethet rrëzon në tokë, padashur. Në sirtar është një fletore
pentagrami,

hape në faqen e fundit dhe
këndoje pa zë. Pranoje si
dhuratë,
pastaj thuamë, nëse i
mungon diçka që të jetë
e përsosur.

Kështu, pas gjithë andrallave, Ardita e botoi librin në një shtypshkronjë.
E trishtë, e dhimbshme, që poezi kaq të larta artistikisht si këto, të mos jenë në asnjë librari:
Në fund të fundit Antony kjo është jeta,
 
i njëjti diell që lind
të njëjta dhe perëndimet.
Fati ynë nuk është i njëjtë.
 
Ndaj kur të zgjohesh mëngjesin tjetër,
eja më trego historitë e tua, i kthjellët,
për zhgënjimin tënd me zonjën Mina e
për natën e ndarjes që u rrahët paq.
 
Për të shtunën që desh vrave veten për pak.
Tregomë gjithçka…
 
O Zot, më dhimbsesh.
Ta marrë e mira, sa shumë që ngjajmë
 
E trishtë, e dhimbshme, që nxënësit e shkollave njohin vetëm Dritëro Agollin me shokë...
E trishtë, e dhimbshme, që sot në vitin 2017, nxënësit shqiptarë, poezi quajnë vargëzimin me rimë.
E trishtë, e dhimbshme, që poetët e pas 90-ës, si Ardita, nuk përfshihen në tekstet mësimore.
Dhe pastaj themi: “Çfarë rinie është kjo?...”

Ёshtë zhgënjyese se si Ministria e Kulturës u jep fonde sejmenëve të saj militantë, për të përkthyer veprat e  tyre në gjuhë të tjera... ndërkohë që veprat e autorëve vërtet të talentuar si Ardita, nuk gjenden as në librari...
Ardita u përpoq t’i linte gratis tre libra nga të sajat një librareje, dmth., t’ia falte, dhe librarja nuk ia pranoi. (Përse t’i merrte? Ç’lidhje kanë me librin libraret? Ato i ka zënë halli me të... Ato ëndërrojnë të behen velina apo modele.)   

Një indiferencë armiqësore...
Kjo indiferencë rritet në rastin kur autorja është grua... madje një grua mjaft e hijshme, siç duket se është Ardita (veprimi i parë që bën një botuese kur takon një grua që shkruan,  është hedhja e një vështrimi nga koka te këmbët me sy të picërruar).

Kërkojeni në internet dhe lexojeni poezinë e Ardita Jatrusë. Nëse nuk e lexoni, nuk humbet autorja, por lexuesi. Po të keni pak fat, Ardita do ta nxjerrë librin nga “sepetja” dhe do t’jua dërgojë.
Ndërkohë që tamburët mbi veprat mediokre të asgjëbërësve universalë (siç i quajti dikush në facebook autorët mediatikë) do të vazhdojnë të bien duke lajmëruar funeralin e letërsisë...
Me titullin 66 kg vetmi, Ardita Jatru sikur e ka parashikuar dhimbshëm fatin e librit të saj.

Sepse kjo është ajo vetmia e madhe e emigrantëve shqiptarë, të talentuar si Ardita, për të cilët shteti nuk ka asnjëlloj kujdesi... ca të talentuar të mbetur pa atdhe...
Ca shpirtra të humbur që vërtiten mbi një rrip toke, që nuk i mëkoi kurrë...
dokument

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Eduard Zaloshnja: Votat e emigrantëve, shpresa e fundit e opozitës?

Eduard Zaloshnja: Votat e emigrantëve, shpresa e fundit e opozitës?