Në qytetin e Ersekës, në juglindje të Shqipërisë ka nisur ndërtimin një central i ri fotovoltaik. Bëhet fjalë për një projekt të kompanisë turke të energjisë të rinovueshme Fortis Energy.

Projekti, i cili do të ketë një kapacitet maksimal prej 75 MW, parashikohet të prodhojë rreth 135 GWh energji elektrike në vit duke kombinuar prodhimin e energjisë nga dielli me kapacitete moderne magazinimi të saj.  Punimet po kryhen në fshatin Taç-Lartë të Kolonjës. 

Sipas kompanisë, ekipet janë tashmë në terren dhe "aktivitetet po zhvillohen në përputhje të plotë me kërkesat dhe standardet e Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë."

Paralelisht me nisjen e ndërtimit, Fortis Energy ka hapur procesin për përzgjedhjen e furnitorëve dhe kontraktorëve të kualifikuar, të cilët ftohen të paraqesin interes për paketat e ardhshme të ndërtimit dhe prokurimit.

Leja e ndërtimit për parkun diellor u miratua nga qeveria shqiptare në muajin qershor. Në bazë të dokumentit zyrtar, koha e ndërtimit dhe pajisjes me lejen përkatëse do të zgjasë maksimumi 3 vjet, ndërsa afati i operimit të centralit është i përcaktuar për 49 vjet. Kjo e bën këtë projekt një prej investimeve më të mëdha të energjisë fotovoltaike në rajonin e Juglindjes së Shqipërisë.

Fortis Energy ka edhe disa projekte të tjera diellore në Shqipëri në faza të hershme zhvillimi  ku përfshihen: një central me kapacitet 100 Mw pranë Dibrës; projekte 100 MW dhe 25 MW pranë Shkodrës; projekte me kapacitet 55 MW, 20 MW dhe 45 MW pranë Fierit; si dhe një projekt me kapacitet 20 MW në zonën e Vlorës.

Kompania operon në Turqi, Holandë dhe Evropën Juglindore, me fokus në investime në energjinë diellore, të erës, biogazit, gjeotermike dhe atë me hidrogjen të gjelbër.