Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha ka uruar Ditën e Mësuesit duke vlerësuar kontributin e çmuar të tyre për ruajtjen e gjuhës dhe krijimin e urave të forta mes diasporës e Shqipërisë. Urimi i tij merr nota shumë personale pasi rrëfen se për shkak se nëna i përket këtij profesioni, e ka kuptuar që herët rëndësinë e tij. Në vëmendje sjell gjithashtu edhe samitin e diasporës që do të mbahet më 14-15 prill.

7 Marsi është Dita e Mësuesit, në Shqipëri, por edhe në diasporë.

Në këtë ditë të shënuar për arsimin shqiptar, e cila na bashkon në mirënjohjen e thellë për të gjithë mësuesit shqiptarë, dëshiroj të uroj e përgëzoj veçanërisht mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë, të cilët me përkushtim, pasion dhe energji, mbajnë gjallë, kultivojnë e transmetojnë gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar kudo ku janë.

Puna juaj është një kontribut i çmuar për ruajtjen e lidhjes së brezave të rinj me gjuhën shqipe dhe me rrënjët e tyre. Përmes mësimit të gjuhës, ju ndërtoni ura të forta mes diasporës dhe Shqipërisë, duke forcuar identitetin dhe përkatësinë tonë kombëtare kudo në botë.

Për mua, kjo ditë ka edhe një domethënie personale. Si djali i një nëne që ia kushtoi gjithë jetën mësimdhënies, falë saj kam kuptuar që herët se sa fisnik dhe i rëndësishëm është misioni i mësuesit në formimin e mirërritjen e brezave dhe në ndërtimin e shoqërisë.

Samiti i diasporës, i cili do të mbahet me 14-15 prill 2026, nën moton "Përmes Rrënjëve Lartësohemi" përpos të tjerash do të këtë në qendër ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore, gjuhësore dhe shpirtërore, si themeli mbi të cilin ndërtohet identiteti shqiptar përtej kufijve.

Gëzuar 7 Marsin të gjithë mësuesve shqiptarë në çdo cep të globit!”, shkruan Hoxha.


Lajmi kryesor:

7 Marsi, politika uron mësuesit: Mirënjohje për gjithçka bëni!