Berisha është i pafuqishëm dhe me të njëjtin avaz si prej 30 vitesh, thotë avokati Spartak Ngjela. Gjatë një lidhjeje direkte me “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv ku u pyet për protestat e dhunshme të Berishës, ai tha se janë veç me 600 veta dhe se lodhet pa arritur asgjë.

“Është teori e Saliut. Ky ka qenë Saliu në 30 vjet. Pse, kështu bëhet politika? Sa të jetë Saliu, nuk mund të ketë shtet të pastër, në kuptimin e teorive politike. Këto do jenë, bjer këtu, bjer atje. Ka një protestë, i shkojnë 600 veta, bërtet këndej e andej, por s’ka fuqi, lodhet kot”, tha Ngjela.

Opozitën e kritikoi për mungesën e vizionit: "Nuk kanë ide. Nuk është opozitë, është turmë njerëzish pa tru. Ja mblidhen atje, duan të bllokojnë parlamentin dhe si komunistë, janë shumë të vjetër. S’janë as komunistë modernë”.

Sa për numrin e pjesëmarrësve në protesta, ku Ngjela nënvizoi se nuk janë publikuar, tha se “PD i ka shumë poshtë sondazhet, nën 30%”.

Avokati nuk i sheh këto protesta si diçka të frytshme për zhvillimin kombëtar, madje kjo është arsyeja e heshtjes së Ramës pasi për të është e qartë që opozita s’ka program.

“Modë e vjetër. S’është protesta ajo që nxjerr njerëzit, janë idetë. Pse sallata e fjalëve shet një roman? Shesin idetë. Edhe politika. Pse, sallata e fjalëve do të mobilizojë shoqërinë shqiptare? Duhet të kesh ide për zhvillimin kombëtar. Rama s’flet fare se e sheh që këta nuk kanë fare program”, tha Ngjela.

Sa për rezultatin e tyre, Ngjela tha se këto protesta s’mund ta bëjnë kryeministër një ‘non grata’.

“Nuk mund të jetë dot kryeministër i Shqipërisë. Person non grata në Shqipëri nuk mund të bëhet kryeministër sepse del Shqipëria non grata. Ka bllokuar PD, ka sjellë shtetin me një parti në Shqipëri”, tha ai.

Lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë ku presidentja Vjosa Osmani shpërndau parlamentin duke e çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme, Ngjela mendon se kjo është brenda normave kushtetuese.

“Ata s’po bëjnë kryengritje. Ajo është normale, s’e kanë shumicën, do të ikin, do të bëjnë zgjedhje të reja”, tha ai.

Ndërsa sa për luftën në Iran dhe kërcënimin e saj kundrejt Shqipërisë për shkak të pranisë së disa opozitarëve iranianë në vend, fjalët e avokatit duken gati si paralajmërim.

“Ajo që e mbron Shqipërinë është se është anëtare e NATO-s që të godasësh Shqipërinë duhet të matesh mirë se ke goditur NATO-n. Kushdo që e godet, do të ketë luftë nga NATO”, përfundoi Ngjela.