Në këtë 7 Mars krerët e institucioneve shqiptare uruan të gjithë mësuesit për misionin dhe punën e çmuar që bëjnë për edukimin e brezave të rinj. Kreu i qeverisë Edi Rama ndau një album fotosh gjatë një vizite të fëmijëve të Manastirit në godinën e qeverisë.

“Me energjinë e fëmijëve nga Manastiri, që na kujtojnë sa e fortë është lidhja përmes gjuhës, ju uroj Gëzuar 7 Marsin”, shkruan kryeministri Edi Rama.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, bëri bashkë në një pritje mësues shqiptarë nga të gjitha trevat dhe nga diaspora, në një ceremoni kushtuar kontributit të tyre kombëtar për ruajtjen, përcjelljen dhe trashëgiminë e gjuhës shqipe.

“7-Marsi nuk është vetëm festë kalendarike. Është një moment reflektimi kombëtar. Sa investojmë ne në arsim, aq investojmë në të ardhmen tonë. Sa respektojmë dhe nderojmë mësuesin, aq respektojmë dhe nderojmë veten tonë, shoqërinë tonë dhe kombin tonë”, – deklaroi Presidenti Begaj në çelje të ceremonisë.

Urim përcolli edhe kreu i Kuvendit Niko Peleshi, i cili shkroi se arsimi mbetet një nga forcat më të mëdha që formëson jetët dhe të ardhmen e shoqërisë.

Ndërsa Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro flet për arritjet dhe sfidat e mësimdhënies gjatë viteve të fundit.

“Më vjen mirë që ky 7 Mars, ju gjen më të vlerësuar, me paga të rritura, falë një tjetër rritjeje që ka nisur që nga janari; me përpjekje të vazhdueshme për të përmirësuar mjediset ku zhvillohet procesi mësimor, me personel mbështetës që lehtëson punën tuaj.  Gëzuar 7 Marsin, Ditën e Mësuesit! Faleminderit për gjithçka që bëni për fëmijët tanë dhe për të ardhmen e Shqipërisë. Ju paçim të palodhur, me shpirtin plot dritë e me pasion të pashtershëm”

Ndërsa Partia Demokratike, gjatë një tryeze me pedagogë dhe ekspertë ngritën shqetësimin për braktisjen masive të mësuesisë në vend.

Nga burgu, mësuesit i uroi edhe kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, i cili foli nënfinancim të arsimit nga buxheti i shtetit apo pagat e ulëta.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:49
7 Marsi/ Begaj pret mësues shqiptarë nga të gjitha trevat dhe diaspora: Sa respektojmë mësuesin, aq respektojmë vendin tonë

1772895158_WhatsAppImage20260307at14.22.05.jpeg

Sot, në ditën e shënuar të Ditës së Mësuesit, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, bëri bashkë në një pritje mësues shqiptarë nga të gjitha trevat dhe nga diaspora, në një ceremoni kushtuar kontributit të tyre kombëtar për ruajtjen, përcjelljen dhe trashëgiminë e gjuhës shqipe.

Të ftuar në këtë aktivitet ishin mësues në pension nga e gjithë Shqipëria, mësues nga shkollat shqipe në Kosovë, Mal të Zi dhe rajon, si dhe mësues të shkollave shqipe të diasporës, të ardhur nga shtete të ndryshme të botës.

“7-Marsi nuk është vetëm festë kalendarike. Është një moment reflektimi kombëtar. Sa investojmë ne në arsim, aq investojmë në të ardhmen tonë. Sa respektojmë dhe nderojmë mësuesin, aq respektojmë dhe nderojmë veten tonë, shoqërinë tonë dhe kombin tonë”, – deklaroi Presidenti Begaj në çelje të ceremonisë.

Presidenti i Republikës vlerësoi gjithashtu shërbimin që i bëjnë gjuhës amtare mësuesit e shkollave shqipe në diasporë.

“Ju keni diçka më të fortë, diçka që lidhet me bindjen se gjuha nuk është thjesht një mjet komunikimi, por është identiteti ynë. Ajo mbart në vete rrëfenjat e të parëve, këngët e djepit dhe ëndrrat e Rilindësve tanë. Sa herë humb një fjalë shqipe, humb edhe një pjesë e shpirtit tonë. Prandaj, puna juaj në diasporë nuk është thjesht mësimdhënie, por edhe ruajtje e lidhjes shpirtërore me kombin. Në klasat tuaja gjuha shqipe nuk mësohet vetëm si gramatikë. Ajo mësohet si histori, si kujtesë, si lidhje me gjyshërit dhe gjyshet, me vendlindjen dhe me rrënjët tona”.

“Ju jeni ambasadorët tanë më të çmuar. Ju po parandaloni humbjen e shpirtit shqiptar në dallgët e globalizimit. Ju jeni ura që lidh brezat. Ju jeni garancia se integrimi nuk do të thotë asimilim. Ju jeni dëshmia se një komb nuk matet vetëm me territorin që ka, por me gjuhën që ruan dhe trashëgon”, – nënvizoi Presidenti Begaj, duke theksuar se për këtë mirënjohja është e thellë dhe e përhershme.

Ora 11:50
7 Marsi, ministri i Jashtëm: Nëna ia kushtoi gjithë jetën mësimdhënies, e kam kuptuar herët misionin fisnik të mësuesit

Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha ka uruar Ditën e Mësuesit duke vlerësuar kontributin e çmuar të tyre për ruajtjen e gjuhës dhe krijimin e urave të forta mes diasporës e Shqipërisë. Urimi i tij merr nota shumë personale pasi rrëfen se për shkak se nëna i përket këtij profesioni, e ka kuptuar që herët rëndësinë e tij. Në vëmendje sjell gjithashtu edhe samitin e diasporës që do të mbahet më 14-15 prill.

7 Marsi është Dita e Mësuesit, në Shqipëri, por edhe në diasporë.

Në këtë ditë të shënuar për arsimin shqiptar, e cila na bashkon në mirënjohjen e thellë për të gjithë mësuesit shqiptarë, dëshiroj të uroj e përgëzoj veçanërisht mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë, të cilët me përkushtim, pasion dhe energji, mbajnë gjallë, kultivojnë e transmetojnë gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar kudo ku janë.

Puna juaj është një kontribut i çmuar për ruajtjen e lidhjes së brezave të rinj me gjuhën shqipe dhe me rrënjët e tyre. Përmes mësimit të gjuhës, ju ndërtoni ura të forta mes diasporës dhe Shqipërisë, duke forcuar identitetin dhe përkatësinë tonë kombëtare kudo në botë.

Për mua, kjo ditë ka edhe një domethënie personale. Si djali i një nëne që ia kushtoi gjithë jetën mësimdhënies, falë saj kam kuptuar që herët se sa fisnik dhe i rëndësishëm është misioni i mësuesit në formimin e mirërritjen e brezave dhe në ndërtimin e shoqërisë.

Samiti i diasporës, i cili do të mbahet me 14-15 prill 2026, nën moton "Përmes Rrënjëve Lartësohemi" përpos të tjerash do të këtë në qendër ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore, gjuhësore dhe shpirtërore, si themeli mbi të cilin ndërtohet identiteti shqiptar përtej kufijve.

Gëzuar 7 Marsin të gjithë mësuesve shqiptarë në çdo cep të globit!”, shkruan Hoxha.

Ora 11:40
‘Shumë prej jush festoni larg atdheut’, Meta uron 7 Marsin: Mësuesi mbetet shtylla më e fortë e shoqërisë, arsimi prioritet kombëtar

Urimi i Ilir Metës për 7 Marsin fokusohet te sfidat e mësuesisë dhe arsimit. Në shkrimin e tij, ish-presidenti dhe ish-kryeministri, i cili ndodhet në qeli, thotë se shumë mësues sot festojnë në emigracion, ndërsa arsimi përballet me nënfinancim dhe zbrazje të shkollave.

Meta shkruan se arsimi duhet të jetë prioritet kombëtar dhe kjo ditë duhet të rikujtojë jo vetëm respektin, por edhe mbështetjen ndaj mësuesve.

Gëzuar 7 Marsin – Ditën e Mësuesit!

Urimet më të përzemërta për të gjithë mësuesit, pedagogët dhe profesorët shqiptarë, të cilët me përkushtim dhe sakrificë i shërbejnë çdo ditë dijes dhe edukimit të brezave të rinj. Mirënjohje të thellë për misionin tuaj fisnik në përcjelljen e dijes, vlerave qytetare dhe identitetit kombëtar.

Fatkeqësisht, shumë prej jush sot e festojnë këtë ditë larg atdheut. Politikat e gabuara dhe mungesa e mbështetjes për arsimin kanë detyruar jo pak mësues e pedagogë të largohen në emigracion, kur vendi kishte më shumë se kurrë nevojë për përvojën dhe përkushtimin tuaj në shkolla dhe universitete.

Sot arsimi përballet me sfida të mëdha: nënfinancim nga buxheti i shtetit, paga të ulëta që nuk krahasohen dot as me Kosovën, shkolla që mbyllen, universitete që zbrazen dhe një sistem që shpesh nuk i jep vlerësimin e merituar mësuesit shqiptar. Por pavarësisht vështirësive, mësuesi mbetet shtylla më e fortë e shoqërisë dhe themeli i së ardhmes së vendit.

Arsimi duhet të jetë prioritet kombëtar. Investimi në dije, në dinjitetin dhe mirëqenien e mësuesve është investimi më i sigurt për një Shqipëri më të zhvilluar, më të drejtë dhe me më shumë shpresë për të rinjtë.

Me besim se e ardhmja ndërtohet mbi dijen, uroj që kjo ditë të jetë jo vetëm një kujtesë për respektin, por edhe për mbështetjen që çdo mësues meriton”, shkruan Meta.

 

Ora 09:17
Urimi i Evis Salës për mjekët pedagogë: Me dije e përvojë formësojnë brezat e rinj dhe kontribuojnë në rritjen e cilësisë së kujdesit shëndetësor

Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, ua ka dedikuar urimin e saj të 7 Marsit mjekëve pedagogë. Ajo shpreh mirënjohjen për ta dhe rolin kritik në formimin e brezave të rinj të mjekëve dhe rritjen e cilësisë së kujdesit shëndetësor.

“Gëzuar 7 Marsin!  Mirënjohje për mjekët pedagogë, që me dije, përvojë dhe përkushtim formojnë brezat e rinj të mjekëve dhe kontribuojnë në rritjen e cilësisë së kujdesit shëndetësor”, shkruan Sala krah videos ku mjekë të fushave të ndryshme ndajnë përvojën e tyre.

 

 

Ora 09:10
Peleshi uron Ditën e Mësuesit: Mirënjohje për ata që formësojnë brezat e rinj

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, uroi sot të gjithë mësuesit dhe pedagogët shqiptarë me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, duke vlerësuar kontributin e tyre të çmuar në arsimimin dhe edukimin e brezave të rinj. Peleshi përcolli një reflektim të pedagoges së Departamentit të Letërsisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Belfjore Qose, mbi rolin dhe përkushtimin e mësimdhënësve në shoqëri.

"Një reflektim i ndjerë për rolin e mësuesit, për përkushtimin dhe ndikimin e tyre në formimin e brezave të rinj, duke kujtuar se arsimi mbetet një nga forcat më të mëdha që formëson jetët dhe të ardhmen e shoqërisë", shkruan ai. "Dita e Mësuesit është një simbol mirënjohjeje për përkushtimin, profesionalizmin dhe sakrificat e mësuesve, të cilët çdo ditë përcjellin dije, formësojnë vlera dhe frymëzojnë vajzat dhe djemtë e Shqipërisë për të ndërtuar themelet e së ardhmes", shton Peleshi.

Ora 09:04
‘Zemra më shtyn të flas si një prej jush’, mesazhi i Kumbaros për 7 Marsin: S’është e lehtë të jesh mësues, faleminderit për gjithçka bëni!

Ky 7 Mars e gjen Mirela Kumbaron në krye të Ministrisë së Arsimit duke simbolizuar një moment të veçantë për të, ndërsa thekson se fatmirësisht ka rritje të pagave të tyre dhe zgjidhje ligjore për ngërçet e mëparshme.

Ajo solli në vëmendje edhe sfidat me të cilat haset mësuesia sot. Në përfundim, falënderoi veçanërisht mësuesit e lindur pas viteve ’90 që kanë zgjedhur këtë profesion duke sjellë energji të reja.

“Të dashur mësues,

Këtë vit, detyra ma kërkon t’ju drejtohem si ministre, por zemra më shtyn t’ju flas si një prej jush. Sepse arsimi është një profesion që vërtet ushtrohet deri në një farë moshe, por realisht mbetet një mision që të shoqëron gjatë gjithë jetës dhe modeli i secilit përcillet ndër breza. Më vjen mirë që ky 7 Mars, ju gjen më të vlerësuar, me paga të rritura, falë një tjetër rritjeje që ka nisur që nga janari; me disa nga ngërçet ligjore të zgjidhura për mësuesit e diplomuar para vitit 2017, me përpjekje të vazhdueshme për të përmirësuar mjediset ku zhvillohet procesi mësimor, me personel mbështetës që lehtëson punën tuaj. Por, mbi të gjitha, ju gjejmë me të njëjtin përkushtim dhe me të njëjtën përgjegjësi të madhe që mbart profesioni i mësuesit. Një përgjegjësi që zyrtarisht mund të mbyllet në orën 2 apo 3 të pasdites, por që në të vërtetë vazhdon moralisht gjatë gjithë ditës – 24 orë në 24. Ne e dimë se në një kohë ku teknologjia shpesh konkurron vëmendjen dhe durimin e nxënësve, nuk është e lehtë të jesh mësues, por roli juaj bëhet edhe më i rëndësishëm: të orientoni brezat e rinj drejt dijes, mendimit kritik dhe vlerave që ndërtojnë një shoqëri më të mirë. Në këtë ditë të rëndësishme për arsimin shqiptar, dua t’ju shpreh mirënjohjen më të sinqertë për punën tuaj të palodhur, për durimin, për dashurinë dhe për besimin që i jepni çdo ditë brezit të ri. Një falënderim të veçantë e kam për mësuesit e rinj, për ata që kanë lindur pas viteve ’90 dhe që, në një botë plot mundësi e zgjedhje të tjera profesionale, kanë vendosur të zgjedhin pikërisht mësuesinë.  T’ju kemi ju në shkolla është një shenjë shprese për arsimin shqiptar, sepse sillni energji të reja, ide të reja dhe një mënyrë të re komunikimi me brezin e nxënësve që po rritet sot. Gëzuar 7 Marsin, Ditën e Mësuesit! Faleminderit për gjithçka që bëni për fëmijët tanë dhe për të ardhmen e Shqipërisë. Ju paçim të palodhur, me shpirtin plot dritë e me pasion të pashtershëm”, shprehet Kumbaro.

Ora 08:18
7 Marsi, Rama ndan fotot mes fëmijëve nga Manastiri: Na kujtojnë sa e fortë është lidhja përmes gjuhës

1772868010_edirama.jpg

Kryeministri Rama ka ndarë një mesazh të veçantë në rrjetet sociale për festën e mësuesit duke sjellë në vëmendje edhe një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e vendit. Ai ka pritur në kryeministri disa fëmijë nga Manastiri, vendin ku u mbajt edhe kongresi për njësimin dhe standardizimin e gjuhës shqipe.

“Mirëmëngjes  dhe me energjinë e fëmijëve nga Manastiri, që na kujtojnë sa e fortë është lidhja përmes gjuhës, ju uroj Gëzuar 7 Marsin dhe fundjavë të mbarë!”, shkruan Rama.