Tre vlonjatë janë arrestuar mëngjesin e sotëm në Bari të Italisë, pasi u kapën në flagrancë, duke transportuar me gomone një sasi të konsiderueshme lëndë narkotike, të llojit kanabis sativa.

Burime për 'Report TV' bëjnë të ditur se gomonia rreth 10 metra e gjatë,  me 1550 kg kanabis në bord, është ndjekur nga kapur për 7 orë nga Policia Kufitare dhe Guardia Di Finanza, nga Kepi i Rodonit deri në Mola da Bari në Itali, ku u kap rreth orës 04:00 të mëngjesit.

Mësohet se dy trafikantët dhe drejtuesi i gomones kanë tentuar t'i shpëtojnë policisë duke u hedhur në det, por policia kufitare ka bërë të mundur arrestimin e tyre.

Sipas policisë, vlonjatët e arrestuar janë  A.Gj, 34 vjeç, K.M, 26 vjeç, G.Xh, 42 vjeç. Në gomone u gjet edhe një armë zjarri, pistoletë.

Burime zyrtare nga policia e Shtetit bëjnë të ditur se: "Në dt.25.11.2016, rreth orës 20.00 shërbimet e Policisë Kufitare dhe Migracionit zbuluan një mjet lundrues në zonën e Ishmit.

Policia Kufitare është vënë në ndjekje të gomones në zonën e Ishmit - Kepi i Rodonit dhe menjëherë ka kërkuar ndihmën e GdF.

Policia Kufitare ka bashkëpunuar dhe koordinuar me Guardia di Finanza dhe si rezultat i këtij operacioni të përbashkët, në orën 03.00, dt. 26.11.2016 u bë e mundur kapja e gomones në Mola da Bari - Itali.

Në bordin e saj u gjendën 1550 kg lëndë narkotike e llojit Canabis Sativa, si dhe 1 armë zjarri Pistoletë.

Si dhe u arrestuan 3 shtetas shqiptarë të cilët drejtonin mjetin lundrues, konkretisht:
A.Gj, 34 vjeç
K.M, 26 vjeç
G.Xh, 42 vjeç.
Gomonia ishte 9,5 m e gjatë me dy motorë x 350 kf.

Në lidhje me këtë rast Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Shtetit ka shkëmbyer në kohë reale informacion me autoritetet policore Italiane.

Sektori Kundër Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë dhe Fier po ndjekin hetimin me qëllim identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Nga strukturat e Policisë së Shtetit vijon puna në bashkëpunim të ngushtë me misionin policor Italian Interforca për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti trafiku të lëndës narkotike.

[gallery]19864[/gallery]
 
(er.nu/shqiptarja.com)