70 vjetori, Shkolla e lindur
në zemër të Luftës

70 vjetori, Shkolla e lindur<br />në zemër të Luftës
TIRANE- Historia e veçantë e një shtëpie të bekuar nga një klerik i madh që u kthye në vatër dije për fëmijët dhe analfabetët, duke sfiduar dhunën greke kundër shkollimit shqip.

Populli i Fshatit Senican, i rrethit të Përmetit, si i gjithë populli shqiptar, kishte ëndëruar prej shekujsh për mësimin e gjuhës së shkruar shqipe, si një kusht jetik dhe i domosdoshëm për të ruajtur dinjitetin dhe kombësinë e vet.

Por pushtimi 500 vjeçar i Perandorisë Osmane jo vetëm që ua mohoj këtë dëshirë legjitime dhe jetësore, por pas fitores së Revolucionit grek të 1820, u lejoi shovinistëve grekë të hapnin në Shqipërinë Jugore shkolla dhe kisha greke, dhe, për këtë, vërshuan një numër mësuesish grekë.

As qeveria zogiste nuk u a plotësoi këtë dëshirë legjitime dhe jetësore, jo vetëm senicanllinjve por as shumë fshatrave të tjerë, përkundrazi ajo mbylli edhe një sërë shkollash të ngritura me kontributin e vetë fshatarëve
Megjithëkëtë, Senicanllinjtë, të etur për gjuhën e shkruar shqipe, u shkolluan në shkolla të tjera të zonës si dhe jashtë atdheut, në emigracion.

Rrugën e vërtetë për arsimimin në gjuhën e shkruar amtare, popullit shqiptar, pra edhe popupllit të Sencanit, ja çeli Lufta Antifashiste Nacionalclirimtare.
Pa përfunduar ende çlirimi i plotë i vendit nga pushtuesit nazifashistë dhe tradhëtarët e vëndit kur lufta ishte në kulmin e saj, Udhëheqja e Luftës dha direktivën e organizimit të konferencave arsimore në qarqe për të shtruar detyrën dhe, vendosur për hapjen e shkollave dhe vazhdimin e luftës kundër analfabetizmit.

Të tilla konferenca u organizuan në qarkun e Korçës dhe atë të Gjirokastrës, me pjesëmarrjen e arsimtarëve dhe të përfaqësuesve të pushtetit të këshillave NACL. Një konferencë e tillë u zhvillua edhe në fshatin Lipë të rrethit të Përmetit nga data 29 gusht deri më 2 shtator të vitit 1944. Në këtë konferencë mori pjesë edhe Gani Nikollari, që përfaqësoi fshatin Senican. Ai dhe familja e tij u lidhën ngushtë me LANC-in. Shtëpia e tyre u bë bazë e rëndësishme e luftës, e ndihmuan atë me të gjithë fuqitë që kishin, vënë në dispozicion dhe shtëpinë e tyre për çeljen e shkollës së parë.

Me 1943 Ganiu u zgjodh sekretar i këshillit Nacional Çlirimtar të fshatit dhe anëtar i këshillit krahinor të Dëshnicës, me qendër në Zhepovë, bashkë me Xhafer Cankollarin, veteran i LANC-it dhe aktivist i palodhur për edukimin atdhetar të brezit të ri. Në vazhdim të dashurisë për arsim kulturë e dije Ganiu i la shoqërisë 11 djem, vajza, nuse, nipër e mbesa që vazhdojnë të jenë mësues në shkolla edhe sot. 

Me t’u kthyer nga konferenca ju përvesh punës me mish e me shpirt për të vënë në jetë vendimet e konferencës dhe për të bërë realitet një ëndër dhe dëshirë të hershme. Bashkë me shokët anëtarë të këshillit NÇL: Vesel Jaupllari, Demir Demcellari, Haziz Duçkallari, Xhafer Çankollari dhe Organizaten e Rinisë e Gruas Antifashiste,  mblodhen popullin dhe punuan me aksion për plotësimin e pajisjeve të shkollës dhe vendosën që me 11.09.1944, ditën e hënë, të hapej shkolla e parë shqipe fillore me katër klasa. Aty u vendos që Gani Nikollari të jetë mësues i parë i kësaj shkolle.

Pasi siguroi bazën e nevojshme materiale: banka, dërrasa të zeza etj, dhe disa Abetare, më 11 shtator 1944 në shtëpinë HAURIN, e Gani e Muharrem Nikollarit, u çel e para shkollë shqipe në historine e fshatit Senican dhe vetë Ganiu u bë mësues i parë i saj.

Kjo u prit me gëzim të madh nga fshatarët, dhe me urimet më të mira për iniciatorin e saj Gani Nikollari. Këtë fshatarët e Senicanit e kanë quajtur një akt të madh Atdhetar dhe patriotik për të shkolluar fëmijët për dije e kulturë. Dhe kështu u bë, më 11 Shtator 1944, ditën e hënë, u bë ceremonia e çeljes së shkollës së parë shqipe në Senican, mes një entuziazmi të papërshkruar nga i gjithë populli i Senicanit.
Së bashku të gjithë u shtruan në një drekë të gëzuar që u bë në qendër të fshatit tek sheshi te Cezma. Ata puthin e përqafonin njëri-tjetrin, nxënesit dhe mësuesin e tyre të dashur Ganinë, e uronin suksese dhe faqebardhë në shkollë.

Kjo ditë ka mbetur një ditë e madhe Historike, e gëzuar, e shënuar për popullin dhe nxënësit e Senicanit që për herë të parë në historinë e tij, iu hapën dyert për shkollë e kulturë.
Ata kujdeseshin dhe për të gjetur ndonjë libër abetareje, fletore, lapsa, vizore etj, në Përmet, Këlcyrë, Korcë, Gjirokastër, Berat, Lushnjë etj, ku ata shkonin për të shitur rrushtë e për të blerë misër për bukë për familjet, që në atë kohë mungonin shumë dhe ishin çështje jetike.

Pjesëtarët e familjes Nikollari, thonë së kur është ndërtuar shtëpia jonë që quhet HAURI, në katin e dytë, atje e ka bekuar dhe ka vënë dorën në mur të HAURIT, një klerik i madh Fetar, me forcat e mëdha Hyjnore, prandaj kjo shtëpi quhet edhe i MIRI i HAURIT. Kjo Shtepi-Hauri, i Gani e Muharrem Nikollarit, ka qene një vend me të vërtetë peligrinazhi, që e ruajti këtë traditë në mbi 300 vjet, deri, në 11 Shtator 1944.

Në atë kohë sipas urdhërit të Qeverisë Demokratike, në të gjithë fshatrat, qytetet dhe zonat e çliruar në jug të vendit, duhet të ngriheshin e të fillonin shkollat, ku do të mësonin brezi i ri. Për këtë Këshilli N.Cl. dhe populli i Senicanit, i kishte marrë të gjitha masat pergatitore, e kishte filluar punën me aksion që në fillim të gushtit 1944, për orendi: banka, tavolina, dërrasa e zezë, me bazë materiale të fshatarëve, të cilët punonin marangozë si Isuf Mjafti, Fejzo, Nikollari, Hysen Alikollari, Shaqo Duçkallari etj.

Për këtë, siç e kanë shprehur, pjestarët e familjes Nikollari, bashkëfshatarët, dhe Baba Hekuran Nikollari, i Teqes së Alipostivanit, shprehen me nostalgji, dhe thonë se shtëpia HAURI, i Sulejmanit, Hakiut, Gani e Muharrem Nikollarit, ka qenë shtëpi që i thoshin i Miri i HAURIT. Atje bëheshin gosti, dreka e darka për lindje, fejesa e martesa, për datat e shënuara të vitit si Dita e Vitit te Ri, e festa të tjera popullore.
 
Me kthimin e Gani Nikollarit, nga Konferenca e dytë Kombëtare për Arsimin që u bë më 19 Gusht- 2 Shtator 1944, në Lipe të Përmetit, i cili përfaqesoi Fshatin Senican, më 11 Shtator 1944, u hap Shkolla e Parë Shqipe në Senicannë Shtëpinë-HAURIN, e Gani e Muharrem Nikollarit, dhe mësuesi i saj i parë do të ishte Gani Nikollari. Kjo ishte shtëpia e vetme, bashkë me një kasolle kuzhinë përdhese perballë HAURIT, ku u strehua: Kapiten Sulejman Efendi Nikollari, atdhetar e luftëtar për lirinë e Shqipërise, i perndjekur, nga regjimi zogist, dhe i internua me 1927, bashkë me familjen e tij.

Bashkë me nxënësit, që shkonin në shkollë, në mënyrë paralele, u ngrit dhe Kursi kundër analfabetizmit, ku mësuan shkrim e këndim, edhe djemtë, nuset, gratë burrat që ishin analfabetë, duke i dhënë kështu fund, analfabetizmit, një plagë të rëndë të së kaluarës. Në shkollë hynë për të mësuar jo vetëm nxënës të moshës shkollore, por edhe djem e vajza, që gjysma ishin mbi 13-15 vjeç, anëtarë të organizatës së Rinise Antifashiste, dhe aktivistë të LANC.
 
HAURI si Monument Kulture
 
Mbi 300 vjet ajo ka qenë shtëpi pelegrinazhi, e fshatit. HAURI-Shtëpia e Gani e Muharrem Nikollarit, është shtëpi Muze, se aty u hap Shkolla e Parë Shqipe e Senicanit, me mësues Gani Sulejman Nikollari. Pavarësisht se nuk u ruajt, nga ish-drejtuesit e fshatit Senican, të cilët e lanë pa mirëmbajtje, e rrëzuan, për nevoja guri të shkollës 8-vjeçare. Ky ishte një veprim barbar. Trualli i saj ekziston ende, dhe duhet të ringrihen muret, deri në katin e dytë siç ka qenë, kur në të u hap shkolla më 11 Shtator 1944. Kështu do të vihet në vend një padrejtësi ndaj ish-shkolles së parë Shqipe të Sinicanit, kësaj Shtëpie Muze, dhe shkeljeve flagrante që u janë bërë, ligjeve, dhe vendimeve për këtë qëllim.
 
 
Mësuesi i parë
Ganiu, ishte mësuesi i parë i kësaj shkolle.  I lindur në vitin 1917 në gjirin e familjes patriote të Sulejman Nikollarit, ashtu si pasardhësit e tij, i etur për dije e kulturë kish kryer shkollën plotore në Këlcyrë.
 
Si mësuesi i parë i shkollës së Senicanit, Ganiu ju mësoi nxënësve të tij shkronjat e para. Krahas alfabetit dhe gjuhës së shkruar shqipe, Ganiu u mësonte edhe aspekte të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, ngjarje dhe figura të rëndësishme të saj, të krahinës dhe në shkallë kombëtare, u mësonte edukatën njerëzore. U mësonte nxënësve këngë patriotike e partizane, u fliste për sukseset e LANÇ, për rilindasit e patriotët e tjerë të Shqipërisë.

Ai mbante lidhje të ngushta  dhe shkëmbente mendime me mësues të njohur si Samit Elezin, Sotir Andonin, Halil Selenicën, Bajram Zoton, Islam Gremin, Sami Cafkën, Sami Cuci, etj, që shërbenin në atë krahinë.
Ganiu, shumë shpejt fitoi dashurinë dhe respektin e bashkëfshtarëve. Në vitin 1947 me iniciativën e Ganiut dhe kontributin e fshatarëve u ngrit godina e re e shkollës, ku Ganiu vazhdoi të shërbente si mësues i saj, dhe sekretar i këshillit popullor të fshatit, detyrë në cilën u zgjodh për shumë vjet, dhe ai e kreu me nder e dinjitet deri në vitin 1960, kur ai familjarisht, u vendos në Fermën e Piskovës me detyre llogaritar.
Ai ishte Veteran i LANÇ dhe u shqua si aktivist i palodhur shoqëror deri në fund të jetës së tij.
 
Shkollimi i 700 nxënësve
“Për ndërtimin e shkollës së re në vitin 1947, lënden e drurit e trasportuam me aksion, ne të rinjë anëtarë të Organizatës së Rinisë së Senicanit, nga Mali-Bredhi i fshatit Kala-Malëshovë, me krahë e me kafshë deri në Senican”. Siç dëshmojnë bashkëkohësit Senicani në atë kohë kishte 24 shtëpi me 164 banorë dhe shkollën e vijuan 22 të rinj dhe të reja, nga të cilët 9 vajza. Pjesëmarrja e vajzave në shkollë ishte revolucion i madh psikologjik, sepse sipas zakoneve të vjetra të futura nga pushtimi turk, ato nuk lejoheshin jo vetëm të shkonin në shkollë por as të dilnin nga pragu i derës, vetëm apo më fytyrë zbuluar.

Në turin e parë të kësaj shkolle dolën të arsimuar: Adem Cankollari, Ali Cankollari, Malo Cankollari, Esat Muratllari, Dituri Muratllari, Muharrem Nikollari, Mehmet Nikollari, Nasipe Duckallari, Hiqmet Duckallari, Zenepe Shaqo Duckallari, Vasieko Demcellari, Xhevit Duckallari, Ali Duckallari, Sanie Demcellari, Mendurie Alikollari, Zylfo Alikollari, Meto Manellari, Servet Manellari, Skender Nikollari, Bukuri Nikollari, Hysen Hodollari, Mynevere Hodollari. Shumica e tyre i kishin kaluar të 13-14 vjetët e ishin anëtarë të Rinise Antifashiste dhe aktivistë të LANC-it.

Më 1 shtator te vitit 1971, në Senican u çel edhe shkolla 8 vjeçare, të cilën e vazhduan rreth 100 nxënës nga fshatrat e tjerë të krahinës, si nga Fratari, Alipostivani, Velcishti dhe Kuqari. Ku në të sot japin mësim Qerim Jaupllari, Luftar Cankollari, Anjeza Qirici, Kujtim Zani, Besnik Kanani.
 
70 vjet shkollë
Gjatë 70 vjetëve të ekzistencës të shkollës së Senicanit, u shkolluan rreth 700 nxënës, shumë nga të cilët vazhduan edhe shkollat e mesme dhe të larta dhe u pregatitën kuadro të fushave të ndryshme si të administratës-shtetërore, ushtrisë, ekonomisë, arsimit, shkencës, shëndetësisë etj, të cilët kanë punuar dhe punojnë brenda dhe jashtë vendit.

Kështu të diplomuar në shkollën e lartë dhe akademitë ushtarake rezultojnë 24 oficerë e mnënoficerë, 9 kuadro që kanë kontribuar në organet shtetore e ekonomike, 24 arsimtarë, 10 të diplomuar në fuëshën e mjekësisë, mbi 27 të diplomuar si ekonomistë, juristë, agronomë, sociologë e tj, e po ashtu 27 të tjerë të diplomuar në fushat e Inxhinierisë, Arkitekturës, Mekanikës, Elektronikës, etj. Për këto arritje kanë meritën e tyre edhe një numër mësuesish që kanë punuar në shkollën e Senicanit, si: Gani S.Nikollari, Sami Cafka, Tahir Hotova, Moisi Como, Mjaftoni Nikollari, Kujtim Meta, Petrit Xhaferri, Kujtim Zanaj, Eqrem Sulce, Nuri Bundo, Sulo Nikollari, Bilbil Caushi, Niko Tyto, Maliq Karati, Tomor Caushi, Zihni Duckallari, Qerim Jauplllai, Agim Duckalllari, Misto Pilo Cama, Engjell Gogollari, Vjollca Cankollari, Luftar Cankollari, Hajdar Caushi, Koco Dhimitri, Laver Muco, Astrit Harizi, Sherif Alikollari, Drini Ducka, Themistokli Coma, etj.
 
Ja përse populli i Senicanit, i kudo ndodhur, e përkujton  dhe e feston me krenari 70-vjetorin, e çeljes së shkollës së parë shqipe të fshatit dhe mësuesin e parë të saj Gani Nikollarin, dhe gjithë mësuesit e tjerë që shërbyen në këtë shkollë.
 
Pas vitit 1991, në vitet e Demokracisë kanë vazhduar shkollat dhe janë diplomuar në fusha të ndryshme të jetës edhe shumë nxënës e studentë nga Senicani ose që banojnë në Tiranë, Durrës, Vlorë etj, por që familjet e tyre jane me origjinë nga Senicani por të shpërngulur nga Permeti që mbas çlirimit e deri sot.
 Data, 11 Shtatori 1944, e çeljes së shkollës së parë Shqipe, në Senican do të përkujtohet, festohet e nderohet vazhdimisht, nga brezat e ardhshëm, si dita e hapjes së portave për arsim e kulturë, dhe nxënësit e mësuesit e parë të kësaj shkolle, do të kujtohen, respektohen e nderohen si pionerët e parë të arsimit e kulturës. Për këtë ditë të madhe të shënuar, të gëzuar e historike do të shkruhet gjithnjë brez pas brezi.
 
Dr.Apostol Kotani-Historian, Muharren Nikollari, Servet Manellari, Sulo Nikollari, Kujtim Muratllari, Mehmet Nikollari, Sabah Duckallari, Xhevit Duckallari, Dashnor Nikollari, Luan Nikollari, Meto Manellari-Beshiri, Qerim Jaupllari.
 
Suljeman Nikollari, Ushtaraku i lartë që  u arratis nga ushtria turke

Senicani, është i përmendur në historinë e rrethit të Përmetit, për qëndrimin e luftërat kundër pushtuesve të huaj për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë. Ai ka përjetuar tmerret e masakrave të shovenistëve grekë më 1914. Nga ky fshat kanë dalë trima, djem të shkolluar, oficerë dhe kapedanë popullore, komandantë të zotë, dëshmorë që kanë derdhur gjakun e tyre në altarin e memedheut. Të tillë kanë qenë: Sulejman Efendi Nikollari, i shkolluar në fushën ushtarake, në akademitë e Turqisë dhe Italisë, Kapiten i 1-rë, komandant i Divizionit të Janinës. Më 1912 i përfshire në Lëvizjen Kombëtare u arratis nga ushtria turke dhe bashkë me Kamber Benjën, Qazim Rribani, Sherif Duckallarin, Myslim Demcellarin, Kamber Duckallarin mori pjesë në ngritjen e flamurit në Vlorë më 28 Nentor 1912 dhe u vu në disponicion te qeverise se Ismail Qemalit pa rrogë.

Ka qenë luftëtar e komandant në çetat patriotike kundër okupatorëve që shkelën viset e Shqipërisë së Jugut, bashkë me shokët ngritën flamurin shqiptar në Përmet e Gjirokastër dhe kanë marrë pjesë në luftërat kundër andarëve grekë në prill 1911, 1914 e 1916 ku ranë heroikisht 2 dëshmorët: Nazif Delvina e Bilal Alipostivani. Sulejman Nikollari ka qenë anëtar i Klubit Patriotik të Korçës e Gjirokastrës që u krijua më 1908, ai ka marrë pjesë dhe u vu në mbrojtje të Kongresit të Lushnjes në janar 1920, dhe në Revolucionin Demokratik të Qershorit 1924 të qeverisë së Fan Nolit.

Kapiten Sulejman Nikollari, ishte i vetmi i shkolluar e i diplomuar me Akademi të lartë ushtarake, që nga regjimi otoman edhe pas shpalljes së pavarësisë me 1912, gjatë gjithë kohës para çlirimit. Ka qenë personalitet i njohur, Ushtarak i lartë e burrë shteti, me integritet dhe reputacion të madh në popull e në shtet.

Sulejmani Nikollari, ishte Komandant i Divizionit ne Janine qe perbehej nga djemte e jugut, duke luftuar kunder grekeve me 1911, ku rane heroikisht edhe dy djeme nga Senicani: Mehmet Sefer Nikollari e Mehmet Mersim Jaupllari.Patrioti e Luftetari, Sherif Duckallari qe ngriti ceten me 20 djem nga Senicani, komandant i saj kishte dhe mbi 100 djem Permetare, qe moren pjese ne luften e Vlores, më 1920. Kështu ishin dhe Mustafa Taip Jaupllari-Bash Caushi, në Melesin, Leskovik, Follorinë e Prevezë trima, atdhetarë e luftëtarë të tjerë si: Mazllem Jashari, Myslim e Sulejman Ahmeti, Hajdar Zenuni Ali Kame, Xhemal Malindi, Hasan Markuri, Hasim Taullaj, Hasan Mehmeti, Mehmet Pavari, Xhelal Elezi, Vesel Jaupllari, etj, shokë të luftëtarëve Nexhip Benja e Myrteza Panariti, që vranë kollazin në Leskovik me 7 Prill 1907.

Ata ishin bashkëluftëtarët e atdhetareve, luftëtarëve, komandantëve të çetave patriotike, që ranë duke luftuar heroikisht për lirinë e Shqiprisë: Riza Velcishtit, Bilala Alipostivanit, Cercis Topullit, Mihal Gramenos etj. 

gani nikollari



























Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 Shtator 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit