TIRANE- Prej orës 18:00 të pasdites së sotme shumë qytetarë vijojnë që të jenë të bllokuar në autostradën Tiranës- Durrës. Të irrituar, ata apelojnë në Report Tv për ndihmë nga shteti për t’u evakuuar nga autostrada, ku qëndrojnë të bllokuar për disa orë. “Ne jemi duke vdekur sonte. Policia na lenë të vdesim këtu, turp të ketë shteti dhe të gjithë. Kemi hipur në një maune. Turp t’i vijë shtetit, tre orë që jemi këtu.

Vetëm një makinë e gardës mund të lëvizë në ujë dhe të marrë njerëzit. Brenda në makinë mund të kenë fëmijë. Jeta e njerëzve për këtë shtet, faleminderit prej jush” shprehen banorët në Report Tv. Uji ka arritur mbi një metër në autostradë.

Forcat e ushtrisë po punojne prej orësh për ti ardhur ne nidhme automobilisteve të bllokuar, por operacionet po kryen me ngadalesi per shkak te bllokimit te qarkulimit. Një tjetër qytetar shprehet se prej 6 orësh jemi të bllokuar. “Uji ka hyrë në makinë, kam hyrë në një parking me familjen, pasi për momentin është cdo gjë e bllokuar, i kemi kërkuar policisë një gomone për të dalë.

Karrotreci nuk hynë dot. Nuk dal dot nga makina, pasi uji është deri në gju. Edhe parkingu është deri në gju me ujë. Jam me dy fëmijët dhe gruan. Me gjendjen shëndetësore jemi mirë, pasi edhe fëmijët i kam të rritur, por kemi 6 orë të bllokuar këtu. Kërkojmë vetëm një gomone për të dalë nga këtu. Le të hapet autostrada me ekskavator që të ikë uji” u shpreh ai. 

Po nga kjo zonë një zonjë shprehet: “Jemi në rrugën dytësore pranë “City Park”, kemi 6 orë të bllokuar në autobus dhe situata duket kritike pasi nuk ka përmirësime, jemi në errësirë dhe e gjithë zona është e përmbytur”.

Qindra makina janë të përmbytura në autostradë, ndërsa nuk kanë shpëtuar as bizneset dhe disa banesa që ndodhen pranë. Emergjencat Civile njoftojnë se janë në terren duke ndërhyrë në të gjithë rastet që janë sinjalizuar, por ende ka qytetarë që janë të bllokuar në autostradë.

dy.b/shqiptarja.com