Para 8 vitesh, Viola Hoxha nuk e mendonte kurrë se jeta e saj do merrte këtë rrjedhë. Në moshën 25-vjeçare ajo u diagnostikua me sëmundjen e veshkave, që për fat të keq nuk mund të parandalohej.

Faktikisht unë kam qenë në marrëdhënie pune dhe herë pas here kisha dhimbje të përsëritura koke, të forta dhe të padurueshme. Atëherë vendosa të shkoj te mjeku të bëj një kontroll dhe fatkeqësisht rezultoi që 90% e funksionit të veshkave kishte humbur”, tregon ajo. 

Ndaj Viola është e detyruar të kryejë hemodializën çdo tre herë në javë nga 4 orë, gjë që e pengon të ketë një jetë normale si të tjerët. “Ti kufizohesh nga gjithçka. Nuk je i aftë që të jesh njeri aktiv, të punosh ose të bësh ato gjëra që ke bërë më përpara se të sëmureshe”, shpjegon Viola.

Megjithatë, Viola nuk e heq buzëqeshjen nga fytyra. Studimet i ka mbaruar për Punë sociale dhe ajo tregon për Report Tv se gjen forcën tu japi besim edhe pacienteve të reja që përballen me këtë ndryshim të jetës së tyre.

“Është për t’u çuditur se para se të sëmuresha isha tip shumë i brishtë edhe nuk mendoja që do kisha gjithë këtë forcë për ta përballuar, se më besoni është shumë e vështirë. Shumë e vështirë. Por nuk e di, ndoshta zoti është ai që ta jep atë forcën për ta përballuar sepse i thua vetes nëse unë nuk do ta superoj këtë gjë, ti do të bëhesh akoma më keq. 

Mërzitja, stresi sjellin vetëm keq. Edhe komunikimi me njerëzit, ku mundohem që edhe pacienteve këtu apo shoqeve të mia që janë më të dobëta mundohem që t’u flas, t’u jap kurajo..zemër”, shprehet Viola. 

Labirintet e errëta të jetës, 33 vjeçarja i përdor për pasionet e saj. “Pasioni im më i madh ka qenë aktrimi, edhe kam pasur shumë talent por im atë nuk ka dashur që të vazhdoj për aktrim. Si dhe unë shkruaj shumë mirë”, tregon Viola. 

E veshur me ngjyra, si e shikon ajo jetën, edhe pse kjo e fundit e ka sprovuar në moshën më të bukur, Viola ka një ëndërr të vetme. “Nëqoftëse nuk je mirë, nuk realizon dot asnjë lloj ëndrre...kështu që ëndrra ime është që të bëhem më mirë”, rrëfen Viola. 

Është lirshmëria e Vjolës dhe buzëqeshja në fytyrën e saj, që të lë të bën të ndihesh fajtore në ankesat e kota tonat, si dhe nënvizon rëndësinë e të kujdesurit për shëndetin gjithmonë...

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com