80 vjet Azem Shkreli, fanatiku i
vargut, që me pak thotë shumë

80 vjet Azem Shkreli, fanatiku i<br />vargut, që me pak thotë shumë<br>
1. “LIRIKË ME SHI” Përmbledhja poetike “Lirikë me shi” është libri i parafundit i poetit të njohur Azem Shkreli, botuar së pari në Prishtinë dhe ribotuar në Tiranë në fillim të vitit 1997. Në këtë përmbledhje poetike është ruajtur lirshmëria poetike e librave të mëparshëm, madje mund të thuhet se kjo lirshmëri ka mbërritur në kuotën më të lartë.

Kjo vjen prej veçantisë që përmbante opusi poetik i Shkrelit dhe jo vetëm në librin “Lirikë me shi”, por në gjithë krijimtarinë e tij poetike të mëparshme: mendimi aktivizohej lirshëm brenda ndjenjës. Kësisoj, poezia e Shkrelit, e menduar lirisht dhe shkruar profesionalisht paraqitet si një nga veçantitë në poezinë moderne shqipe.

Për opusin poetik të Shkrelit, formësuar si shprehje e ndjeshmërisë së lartë, mund të thuhet se prej shenjtërisë poetike të De Radës është një prej të paktave kapërcime estetike në poezinë shqipe, ku fjala mund të shihet si obsesion, si fuqi kreative. Në këtë pamje, Shkreli (siç do të shprehej A. Podrimja: “… njihet si fanatik i vargut, i latimit të tij, i ritmit, i muzikalitetit tekstor, i ironisë që shpesh na shfaqet në sarkazmë. Me pak mundohet të thotë shumë. Kjo është veti e krijuesve të mëdhenj, të cilët dinë përse shkruhet dhe artin e kuptojnë punë mjeshtërore”).

Dy librat e parë me poezi të Shkrelit (“Bulzat” dhe “Engjujt e rrugëve”), qenë një paralajmërim i ndjeshëm se në poezinë shqipe po shfaqej një krijues me frymën e vet të mëvetësishme poetike, sidomos në dendurinë kuptimore dhe artistike si dhe në përdorimin e gjuhës. Ndërsa, prej librit “E di një fjalë prej guri” (1969) e në vazhdim, poezia e Shkrelit klimatizohet sistematikisht si e tillë, dmth., ngrihet në një kuotë të tillë cilësore ku menjëherë mund të hetohet ligjërimi autentik dhe interpretimi poetik.

Dhe, interpretimi poetik, merret në këtë rast, jo në kuptimin e interpretimit të një pjese artistike (psh. në fushën e teatrit), por në mundësinë që ofron vetë poezia për t’u hetuar a për t’u vëzhguar nga kënde të ndyshme. Kjo rrjedh se mbresat që rrjedhin nga leximi i tekstit janë të shumta, por edhe për faktin se teksti përmban shumë gjëra: komunikimin e tejdukshëm artistik, pavarësisht nga denduria e figuracionit, fjalën që formësohet dhe paraqitet në variacione, hapësirën poetike të metaforizuar.

Gjithsesi, poezia e tij është prezantimi më i ndjeshëm i një mëvetësie estetike të rrafshit të epërm, është lodrimi me fjalën në tërësi, si figurë dhe si mendim, është një dremitje e ëmbël nëpër metafora, siç është kompozimi artistik i një jete të plotë njerëzore, të një jete me një përditshmëri mungesash që e trishtojnë dhe e bëjnë të vuajë poetin. Do t’ish e mjaftë vetëm ekzistenca e poezisë së tij “Para elegjisë”, botuar mbi 4 dekada më herët, për të dëshmuar se ç’është antologjikja e një poezie, ç’është fryma dhe harmonia poetike që e mban të gjallë atë dhe si mund të funksionojë një poezi si e tërë.

Për sa u parashtrua më sipër, mëvetësia estetike është veçantia më dalluese e poezisë së Shkrelit dhe një gjë e tillë vihet re në krejt poezinë e tij.

Lirshmëri poetike
Në librin “Lirikë me shi”, sidomos në poezitë: “Drita e ndarjes”, “Madërgonë e ferrit”, “Homazh”, “:Fytyra e dytë e gjërave”,  “Psalm Për Kosovën”, “Lirikë për lirinë”, etj. krijohet një komunikim estetikisht i pastër dhe gjallërohen nuanca të shumta stilistiko – semantike.  Nuancat e tilla i japin kompozimit artistik praninë e ngjyrave që ndërrohen harmonishëm dhe krijojnë imazhe të shumta vezulluese. Natyrisht, imazhet janë vezulluese, por poeti realizon edhe portretin individual e kolektiv të shqiptarit, ku, sipas poetit: “ Kohë e historishme sa herë na vonohet”.

E gjithë lëvizja poetike e librit “Lirikë me shi” mund të kundrohet lehtësisht. Duke qenë poezi e metaforifikuar, metaforikimi s’e ka penguar lirshmërinë që përmban në vetvete poezia. Ndërsa, kur themi se poezia e Shkrelit në librin “Lirikë me shi”, por jo vetëm në këtë libër të tij ka mbërritur në kuotën e lartë të lirshmërisë, kjo ka të bëjë me lirshmërinë e vetë tekstit në komunikim me lexuesin. Lirshmëria në këtë rast vjen prej formës së ndërtimit të poezisë, të harmonizimit të mjeteve stilistikore, që mund të thuhet se përbëjnë një ansambël figurash, të këndvështrimit poetik, të fuqisë medituese, të fuqisë shprehëse, etj.

Larmia e modelimeve poetike
Poezia e Shkrelit modelohet përmes vargjeve të çrregullta dhe ato të rimës. Në librin “Lirikë me shi”, poezitë e modelimit të parë përbëjnë pjesën më të madhe të librit, por në të dyja rastet, vërehet përsosja e formës ose tendenca për kah përsosja e vazhdueshme. Kjo do të thotë se konstrukti poetik i librit në fjalë është i përpunuar dhe i latuar deri në imtësi. Si poezi që vjen prej frymës së parë, si poezi e refleksit të atypëratyshëm, ajo shtresohet kryesisht brenda lirshmërisë poetike: harmonia e brendshme aktivizon ndjeshëm rimën, ritmin, tensionin ndërmjet vargjeve dhe i funksionalizon ato në përshtatje me konstruktin e përgjithshëm të poezisë.

Përsa i përket poezisë me varg të çrregullt, përgjithësisht vargu e pëson thyerjen dhe siç është vërejtur më heret nga kritika, vargu i parë shtrihet deri në gjysmën e vargut vijues. Rrjedhimisht, vargu i parë në këtë lloj shtrirje, gjen hapësirë të mjaftueshme deri diku në vargun vijues. Zhvendosja  e vargjeve kësisoj nuk kalon pa u vënë re (vargu thyhet, por thyerjen e ndjek pas ritmi), mbasi ritmi i brendshëm merr më tepër fuqi përmes këtij ndërtimi dhe njëkohësisht e shton dendurinë e mendimit edhe në vetë vargun. Për këto arsye, mund të thuhet se poezia është e ndërtuar me vargje rrjedhëse. Kësisoj, e gjithë poezia pëfshihet në rrjedhjen e plotë ose në rrjedhjen pa ndalesa: vargu i parë montohet në vargun vijues, e kështu me radhë, vargjet shpalosen njëri pas tjetrit dhe në lidhje të ndjeshme ndërmjet tyre.

Në anën tjetër, poezitë që përmbajnë vargje të rimës, ose poezitë që u nënshtrohen rregullave që përmban vetë ndërtimi i tillë, mund të thuhet se përmbajnë një ëmbëlsi më produktive. Aty mendimi rrjedh më lirshëm, ritmi i brendshëm poetik merr vijueshmërinë ngjitëse, ndërsa teksti në tërësi është lehtësisht i përceptueshëm. Në këtë libër janë vendosur 13 poezi të ndërtimit strofik dhe, si në këto lloj poezish, ashtu dhe në të tjerat për nga lloji i ndërtimit, është krijuar një labirinth artistik, brenda të cilit formësohet një mendim cilësisht i kultivuar. Psh. mund të marrim një pjesë të poezisë “Madërgonë e ferrit”, ndër krijimet më të spikatura të librit, ku mund të thuhet se poezia modelohet vetëm në shtratin e vetvetes.

 “Yjet  dhe poetët nuk i tremben zjarrit

Kur përzjarren, kur gugëzojnë si fëmija

Është bar i hidhur, madërgonë e ferrit

Me qumësht të saj ngaherë mëkohet poezia

Me këtë bar poetët mjekojnë nëpër botë

Ka dhe ndonjë sëmundje që ndodh të shërohet

Dikush merr një pikë, dikush merr një gotë

Barërat, mjekët vdesin, jeta jo, jetohet”.

Në vargjet e mësipërme vetvetiu lind hapësira poetike dhe kjo, jo se krijohet prej distancës së jashtme që paraqet vetë poezia (yjet – poetët), por prej gjallërimit të idesë së universializuar: jeta merr frymëmarrje pikërisht në përditshmërinë e saj. Poezia e Shkrelit mbetet e profilizuar tashmë si poezi që vjen prej ngacmimeve të shumta të shpirtit: poeti komunikon natyrshëm përmes mendimit të lirë dhe racional.

Në vrojtimin e poezisë
Poezia e këtij libri do vrojtuar në shumë anë. Është vetë ndërtimi i poezisë që kërkon një mundësi të tillë leximi dhe observimi të shumanshëm: me pak fjalë lind shumëkuptimësia dhe rrjedhimisht mund të lindin edhe përsiatjet e shumta. Në këtë lloj ndërtimi poetik, pa dyshim që duhet vëzhguar teksti dhe nënteksti.

Kjo ndodh se vetëm pas leximit lindin apo formësohen imazhet, lind vetvetiu kërkimi shqetësues dhe detyrimisht kërkohet një lexim i dytë, një lexim plotësues. Kjo gjithashtu mund të shpjegohet me mbresat që lë tek lexuesi vetëm poezia që vjen prej natyrshmërisë së krijimit dhe jo prej sforcimeve të jashtme apo prej parapërgatitjeve artificiale për të shkruar poezinë. Në poezi  të tilla, do të thonim, mungojnë fjalët e tepërta ose fjalët jashtë poezisë, jashtë tekstit letrar.

Është për t’u shënuar se në librin “Lirikë me shi’, si pjesa më e dukshme prezantohet denduria stilistiko – semantike e tekstit. Me gjithë këtë denduri stilistiko – semantike, teksti mbetet i perceptueshëm dhe gjallëron vazhdimisht aftësinë komunikuese. Lexuesi mund të meditojë ndaj tekstit, por denduria kuptimore dhe kombinimi i shpeshtë i figuracionit prej poezisë në poezi, s’e pengon kurrsesi të përthithë vlerat kumtuese të poezisë.

2. “ZOGJ DHE GURË”
Përmbledhja poetike “Zogj dhe gurë” u botua në Prishtinë më 1997, disa muaj mbas vdekjes së poetit. Poeti, në të gjallë të vet, me dorëshkrimin e këtij libri me vete është endur për disa kohë: Prishtinë-Tiranë dhe anasjelltas si dhe n’udhëtimin e mbramë Gjermani-Prishtinë. Një udhëtim tekanjoz, gati si n’ëndërr, si me u nda përfundimisht me krijimin dhe jetën gjithashtu.

Shkreli e kish titulluar librin e tij “Zogj dhe gurë”, duke e metaforizuar titullin e veprës poetike. Një metaforë e shkëlqimtë, tepër vezulluese, si për të ndriçuar një botë njerëzore që lëvizte thuajse humbshëm ndërmjet reales dhe irreales, ndërmjet jetës dhe vdekjes. Por libri do vinte në dritë vetëm si një botim post-mortum, prandaj poezitë më të fundme të tij janë një lloj lamtumire në vetvete, si me thënë, një lloj dëshire e fundme.

Tinguj të dallueshëm lamtumire
Duke vërejtë mjegullnajën e jetës, poeti, njëri prej më origjinalëve të letrave shqipe, në këtë libër poetik, duke derdhë trishtimin pikë-pikë në çdo poezi, sikur po kërkonte jo vetëm të reagonte ndaj kësaj mjegullnaje, por dhe të jepte imazhin e një jete si të ngrirë, thuajse të mermertë, që më së pari vriste shpirtin e poetëve. Poeti i ka veshë poezitë e veta me një mbulesë të tejdukshme trishtimi, dhe në rast se mund të hetohet se tubëza të hollë e shpojnë tejpërtej këtë mbulesë, atëherë fryma që qarkullon nëpër tubëzat, s’është dhe s’mund të jetë gjë tjetër, përveçse shfaqje e shqetësimeve dhe trazimeve shpirtërore të poetit.

Është vërejtë me të drejtë prej studiuesve se prej librit “E di një fjalë prej guri”, mbasi poeti kish kapërcyer sprovat e para krijuese, poezia e tij është modeluar krejtësisht dhe fuqimisht në shtratin e vetvetes, dmth., profili poetik noton qetësisht në mëvetësi të plotë krijuese, duke mbetë pa as më të voglën kundërshti si një prej këngëtimeve lirike më të ndjeshme në poezinë shqipe.

Libri i fundit “Zogj dhe gurë”, si në librat e tjerë të këtij autori, frymon në kohë dhe prezentohet para lexuesit si kënga e fundit poetike e tij, ose kënga e fundit të mbramë, siç mund të thuhet edhe si lamtumira e përjetshme e poetit. Tingujt e shkëputur të kësaj lamtumire poeti i kish shpërndarë pjesë-pjesë nëpër organe të ndryshme të shtypit, si për të kuptuar shenjën e parë se duhej të niste deshifrimi i kodit të poezisë, ndërsa me botimin e plotë të poezive të këtij libri, lexuesi mundi të kundrojë lehtësisht dimensionin vertikal dhe horizontal të lamtumirës së fundit. Aty mund të gjesh këngën e klithmës njerëzore, brengën e dashurisë së paprajshme dhe të pasosur, mungesat e panumërta, lëvizjen e territ, thirrjen për ringritje morale, etj.

Në rast se ky libër do t’ish botuar në gjallje të poetit, atëherë lexuesi mund të hetonte lehtësisht se kish përpara një grumbull poezish me dritë poetike, por kur të këndoheshin ngeshëm dhe me vëmendje të gjitha, atëherë hetohej se kënga e kishte një cak; poeti e kish kryer këngën e vet dhe vetë do të ikte për në zonën tjetër, por kurrsesi në zonën e harresës, aty ku shkojnë më të shumtët e qenieve njerëzore. Ndërsa tani kur gjykojmë se libri është botuar pas vdekjes së poetit, atëherë lexuesi me lehtësi mund të vërejë se poeti sikur e kish shkruar vetë ngeshëm këngën e parandjenjës, por njëherazi edhe nekrologjinë për jetën e vet.

Mu për këtë, ndoshta ky libër, më tepër se librat e tjerë poetikë të Shkrelit zgjon emocione dhe përjetime të veçanta dhe çdo botues, në çdo rast botimi të poezisë së zgjedhur të Shkrelit, mund ta linte si këngë më vete, si kënga më e mbrame e poetit që po paralajmëronte se po largohej nga bota njerëzore.

Formësimi i dritës poetike
Edhe në këtë libër poeti frymon çdo krijim të tij; poezia jetësohet (merr frymë) përmes dritës së njohur poetike: rima pothuajse e muzikuar, herë-herë vargje të shpërbërë, muzika nëpër çdo varg dhe rrjedha e saj nëpër vargjet që vijojnë.

Por, do thënë se drita poetike formësohet para se të gjithash prej latimit të vargut deri në imtësi, siç mund të shpreheshim se vargu punohet siç punohet apo gdhendet një pjesë statuje e mermertë, ndërsa puna që kryen autori për të sjellë në jetë qoftë edhe një poezi të vetme, pa dyshim që i ngjan punës për gdhendjen e një statuje dhe shkëlqimi i saj mund të kundrohet sa më larg saj po të jesh. 

Pra, duke lëmuar çdo varg, Shkreli i shtonte ëmbëlsinë poezisë, që të kujton punën e përkryer të Poradecit, pavarësisht se drita që derdhin këta poetë në poezitë e tyre është krejt e ndryshme për kah origjinaliteti. Dhe kjo gjë, s’mund të thuhet për një poezi a dy, dmth. s’është diçka e rastishme, por në vija të përgjithshme në krejt krijimtarinë poetike.

Edhe libri i fundit e ka ruajtë dorën e mjeshtrit, pavarësisht se krijohet përshtypja se autori ngutet për të thënë shumë gjëra, nga frika se do t’i mbeteshin shumë gjëra për të thënë, siç i mbetën në të vërtetë. Për shembull, në poezinë “Arie”, ndër poezitë antologjike të librit dhe të krejt poezisë së Shkrelit, përmes tetë vargjeve rrjedhëse dy e nga dy, vendosen shtyllat e ndërtimit të poezisë: mungesa, largësia, pikëllima, bari i harrimit. Në të gjitha vargjet ka muzikë, dhe si e tillë ajo ëmbëlson rrjedhën e tyre dhe njëkohësisht krijon një zhurmë të tillë si ajo e ujit të përroit që zhvendoset prej pjesës më të lartë në t’ultën:

“Më deshën ardhjet, tani një shkuarje më do
Oshëtimë e trishtë mungese mos më kërko

Më ler ndajnatës largësia le të ndodhi pahir
M’i duhet rrugëtimit pendesë e hidhur, e mirë

Nëse nuk piqemi, nëse pikëllima ka mallë
Më harro bukur, thuaj u pamë në një përrallë

Bari i harrimit përherë tek ndonjë breg tjetër
Mëkon ofkamëve pushin e dhembjes së vjetër”.

Në këtë poezi lexuesi i ndjen menjëherë ndalesat gjatë leximit, por ndalesa të tilla janë brenda kompozimit të përgjithshëm të poezisë, ku lexuesi duhet të marrë frymë për të shijuar këtë bukuri estetike. Përveç kësaj, autori ndryshon gjendjen poetike prej vargut të parë në të dytin (është fjala për dyvargëshin): gjendja e parë sikur fshihet prej asaj që vjen pas, çka do të thotë se krijohen dy variante poetike brenda një dyvargëshi të vetëm.

Ndërsa, duke e lënë shpesh gjendjen poetike në situatë të ndërmjetme, poeti intuitivisht krijon tablotë poetike të trazimeve a shqetësimeve njerëzore, qofshin këto individuale apo të një shumësie njerëzish. Kur poeti thotë: bari i harrimit, atëherë atmosfera bëhet më tensionuese dhe malli, dhembja njerëzore pikojnë pikëllueshëm. Kur poeti përmend: pushin e dhembjes së vjetër, lexuesi instiktivisht e çon mendjen tek vjetërsia e dhembjes, e cila bren paprajshëm shpirtin e njeriut. Atëherë lexuesi, kur vëren dhe e ndjen se renditen të gjitha këto, jeton intensivisht me shpirtin e poezisë.

Pikaderdhja e trishtimit
Nëpër gjithë poezitë e librit lëviz shpirti i ndjeshëm i poetit dhe kristalizohet natyrshëm ndjenja e vetmisë, trazimi shpirtëror, brenga për mungesat, brenga për përditshmërinë e trazuar, etj. Në poezinë “Varg për vjeshtë”, më në fillim të saj, ai shkruan:

“Vargu për vjeshtë s’është dashur të fillojë me pemë
Pjekur për krymba…”

Ndërsa më poshtë, si për plotësuar mendimin e mësipërm dhe që mendimi të jetë sa më i mbingopur, poeti rendit fjalët e mëposhtme:

“Vargu për vjeshtë s’është dashur të fillojë me gjëmë
Të shpendkeqes…”.

Poeti e zhvendos shikimin në zona të dramës njerëzore, mu aty ku vuajtja dhe trazimet shpirtërore janë më të mëdha. Atëherë, në këtë rast poeti e vesh mendimin me një mbulesë trishtimi, ose me mbulesën dhembjes për çka sheh, për çka ndjen. Mund të thuhet se për sa sheh dhe për sa ndjen, për poetin është diçka e trishtë, është një trishtim që i sjell trishtim, një lloj helmi në shpirt. Në sytë e tij tashmë mungon dita ose është arratisë s’dihet se ku (së paku, është arratisë prej syve të poetit ose është një ditë krejt e mjegullt), dhe ai mundohet të shohë edhe në natën e terrtë, ku vetëm fjala mund t’u japë dritë syve të tij dhe asgjë tjetër në botë s’mund të kryejë si duhet funksionin e fjalës.

Cikli i fundit poetik “Motive me zjarmi”, është shembull për këtë dhe brenda tij mund të përmendim ato poezi ku poeti sikur ka më tepër dëshirë të kumtojë mendimin përmes “Fletëve nga natari”. Kur shihet se një lëng si i trishtë derdhet pikë-pikë nëpër çdo varg poezie, në pamje të parë, sikur krijohet përshtypja se poeti kërkon t’i largohet të trishtës, pra kësaj zone të zymtë të dramës, por ajo, e gjithëfuqishme, e tërheq me vete dhe e mban të ngujuar aty; poeti, sidoqoftë, përpiqet të reagojë dhe pavarësisht nga muret, gjen mundësi dhe e përcjell mendimin e tij, ashtu siç dinë t’i përcjellin mendimet e tyre vetëm mjeshtrat e fjalës.

Mund të thuhet gjithashtu se gjendja shpirtërore e mbrame e poetit mund të ketë ndikuar në modelimin e situatave të tilla poetike, por kurrsesi s’është zbehë fuqia kreative e fjalës, kthjelltia e mendimit, lodrimi me figurat poetike dhe sidomos metaforikimi, si një prej veçantive të dallueshme të artit poetik të Shkrelit.

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë