Ditën e sotme, Partia Socialiste e Durrësit feston 35 vjetorin e themelimit të saj. Përmes një ceremonie të zhvilluar në qytetin bregdetar, është pasqyruar aktiviteti i kësaj force politike, përgjatë këtyre viteve të demokracisë.

Në aktivitet kanë qenë të pranishëm disa figura të rëndësishme të kësa force politike, përfshi kryeministrin Edi Rama, por edhe mbështetës ndër vite të Partisë Socialiste. Gjatë ceremonisë, janë zhvilluar edhe aktivitete të tjera, të cilat kanë sjellë një atmosferë festive mes të pranishmëve. Drejtuesit e Partisë Socialiste kishin rezervuar certifikata mirënjohjeje për 9 prej themeluesve të PS dega Durrës, për të vlerësuar kontributin e dhënë prej tyre për këtë forcë politike.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama teksa vlerësoi kontributin e çdokujt që i ka shërbyer kësaj force politike, tha se gjatë qeverisjes së PS, Shqipëria ka bërë përparime të mëdha.

Teksa kujtoi vitet e kaluara, Rama tha se gjatë qeverisjes së Berishës, kundërshtarit politik i mohohej e drejta për t’u mbledhur dhe për të organizuar tubime.

“Shumë falëminderit për këtë mikpritje dhe me keqardhjen që shumë njerëz ishin jashtë, në pamundësi të hynin brenda, sepse salla ishte plotë. Besoj që në këtë përvjetor, janë shumë ata të cilët janë pjesë e kësaj historie, e këtij rrugëtimi, e këtij kremtimi, pavarësisht sesa mund të jenë në një sallë apo përreth një salle. Ky përvjetor për ne është një moment i rëndësishëm, jo thjeshtë për të kujtuar një datë, por për t’u ndalur në një stacion dhe për të vlerësuar të gjithë ata që i dhanë PS aq sa mundën, kudo ku mundën dhe siç edhe doli nga fjalët e tyre këtu, në momente të caktuara, për shumëkënd në këtë sallë, janë tërësisht të paimagjinueshme. Është e paimagjinueshme sot në këtë sallë, që të duash të mblidhesh dhe të mos të të lejojë PS që të mblidhesh”, tha mes të tjerash Rama.

Shefi i Qeverisë theksoi gjithashtu se falë punës dhe përkushtimit të PS, Shqipëria ndodhet sot me pranë se kurrë më parë me Bashkimin Europian.

Më tej kryeministri theksoi se ishte Partia Socialiste ajo që ia ‘dhuroi’ stabilitetin vendit tonë, në një kohë kur sipas tij, Shqipëria kishte më shumë se kurrë nevojë.

“Por ky ka qenë realiteti i atyre që morën kurajon ta themelojnë PS-në, sidomos në territore ku thjeshtë emri i PS, krijonte reaksion negativ. Megjithatë, sot ia vlen të ndalemi në stacion, për faktin se gjatë gjithë këtyre viteve, në një mënyrë apo një tjetër, rrugëtimi i Shqipërisë u njëhsua me rrugëtimin e PS. Dhe ky është fakt. Sepse nëse Shqipëria sot është një Shqipëri tjetër, kjo është në radhë të parë puna, vepra dhe merita e familjes së madhe të sicialistëve dhe progresistëve shqiptarë. Historia e PS është historia e një transformimi të brendshëm, në funksion të një vendi që duhej transformuar. PS u bë zëdhënësja e nevojave të vendit dhe njëkohësisht edhe fuqia që i adresoi ato nevoja. Sot është e paimagjinueshme që të flitet për një vend në kërkim të stabilitetit të arsyeshëm. Kur Shqipëria pati nevojë për stabilitet, ishte PS ajo që e mundësoi këtë stabilitet. Nëse sot Shqipëria është më pranë se kurrë BE-së, ka vetëm një arsye të madhe, që është forca, përkushtimi dhe puna e PS-së”, vijoi më tej Rama.

Nga ana tjetër, gjatë fjalës së tij, drejtuesi politik i PS për qarkun Durrës, Blendi Klosi, tha se anëtarët e kësaj force politike duhet të ndihen krenarë. Kjo pasi sipas tij, kjo forcë politike i ka shërbyer Shqipërisë dhe po vijon t'i shërbejë.

Klosi shprehu bindjen se me kryeministrin Edi Rama dhe lidershipin e tij, PS do të vijojë ta qeverisë Shqipërinë, deri në integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

“Në 35 vjetorin e PS, ne të gjithë, anëtarët e thjeshtë, ata që kanë kontribuar për PS-në, duhet të ndihen krenarë. Sepse për 35 vite kjo parti i ka shërbyer Shqipërisë. I kemi shërbyer Shqipërisë nga dita e themelimit, deri në ditën e integrimit. Me Edi Ramën dhe lidershipin e tij ne do të vazhdojmë të fitojmë, do ta çojmë Shqipërinë në BE”, tha mes të tjerash Klosi.

Në takim ka qenë i pranishëm edhe ish-deputeti socialist Bardhyl Agasi, djali i të cilit, Ergys Agasi, është i shpallur në kërkim nga SPAK, lidhur me hetimet për AKSHI-n.

Bardhyl Agasi tha gjatë fjalës së tij, se PS e ka rritur forcën e saj nga viti në vit dhe ka arritur të marrë mbështetjen e shumicës dërrmuese të shqiptarëve.

Agasi kujtoi kohën kur PS ishte në opozitë në vitet 1992-1997, teksa tha se terrori i ushtruar nga pushteti i Presidentit të kohës, Sali Berisha ndaj socialistëve ka qenë i jashtëzakonshëm.

Ai foli edhe për dhunën e ushtruar nga policia e kontrolluar asokohe nga njerëzit e Berishës, teksa tha se shkopinjtë e gomës godisnin mbi kurrizin e socialistëve.

“Është vërtetë emocionuese që pas kaq vitesh të kthehesh në këtë pallat, kur dikur ndjenim mbi supet tona shkopinjtë e policisë berishjane. Sot ne shohim këto fytyra të qeshura, plotë entuziazëm e optimizëm, me besimin e plotë se PS do të arrijë në suksese të mëtejshme, me në krye Edi Ramën. Në Durrës, kur është krijuar PS, ishte heroizëm të pranoje se ishe anëtar i PS, sepse ishte një terror i vërtetë. Nga viti në vit, PS e rriti forcën e saj. Ne nuk kishim as komisionerë në qendrat e votimit”, tha mes të tjerash Bardhyl Agasi.

Lajm në përditësim...