80 vjet udhëtim poetik i Xhevahir Spahiut, vargje e kujtime! Mbrëmje artistike, së shpejti dokumentar

Një rrëfim mbi jetën dhe krijimtarinë e Xhevahir Spahiut, shoqëruar me copëza kujtimesh, vargje të poezive të tij dhe muzikë, ka qenë mbrëmja e kësaj të hëne në aktivitetin kushtuar poetit me rastin e 80-vjetorit të tij të lindjes. “80 vjet udhëtim poetik i Xhevahir Spahiut” solli për të pranishmit edhe pjesë nga dokumentari, që regjisori Bashkim Rodoni, organizator i aktivitetit, po përgatit për artistin.

I biri i Xhevahirit, Orges Spahiu rrëfen se shpesh, si poet i fjalës dhe shpirtit të lirë, vendimet e të atit kanë qenë të tilla, që mund të çonin të gjithë familjen në zgrip dhe në buzë të honit gjatë periudhës së komunizmit.

“Vendimet e tua ishin në zgrip, buzë honit. Mjaftonte një hap më tutje dhe të gjithë binim në humnerë. Ke pasur mundësi që të shkoje dhe më tutje me fjalën, dhe më guximshëm të veproje por ke pasur dhe një gjendje të brendshme, njerëzore, e cila ka ruajtur familjen tonë.”, - nënvizon Orges Spahiu.

“Ishte një natë shumë e veçantë. Sfidë e madhe për t’u marrë me këtë autor. Kënaqësi e madhe për t’u marrë me autorët e mëdhenj.  U munduam të jepnim një ndjesi të mirë, të linim një shenjë dhe ta mbanim e merrnim dhe ne shenjën me vete sepse ishte preteksti për të punuar me Xhevahirin. Me Orgesin, djalin e Xhevahirit dhe Xhevahirin, para dy vjetësh kemi filluar punën për realizimin e një dokumentari, që po e vazhdojmë, po xhirojmë, po marrim maksimalisht dhe shpresoj që shumë shpejt të bëjmë një dokumentar të plotë për të gjithë jetën e Xhevahirit, ku trajtohen multidimensionet e Xhevahirit, tepër interesant, tepër i rëndësishëm, me një vepër të jashtëzakonshme.”, - thotë organizatori i aktivitetit, regjisori Bashkim Rodoni.

“Kam nderin të marr pjesë në këtë ceremoni të 80-vjetorit të poetit të madh të kombit shqiptar, Xhevahir Spahiu. Kam pasur kënaqësinë, privilegjin dhe simpatinë e jashtëzakonshme që kur isha student dhe interpretoja poezitë e Xhevos, të cilat futen në gjak dhe në rembat e tua. Një poet emocional, i vërtetë, i qartë dhe shumë artistik. Poezia e Xhevahir Spahiut është poezi simbolike e fuqishme dhe tregon thelbin dhe artin e vërtetë të poezisë.”, thotë aktori Bujar Asqeriu.

Ndërkohë, motra e poetit, Ana Papa, sjell për “Report TV” disa vargje që Xhevahiri ia ka dhuruar në 40-vjetorin e lindjes së saj.

"Nëse më lejoni unë dua të them dy vargje, që ia ka kushtuar motrës dhe me këtë them që janë të gjitha brenda. Unë dikur kisha njëpërvjetor, 40 vjetor dhe më solli një kujtim shumë të bukur:

Atje në buzë të detit thith dhe rrezen më të humbur të diellit të ma falë mua/, s’është gjethe dafine, e bukura, nënokeja, motra ime.”

Me këto vargje kudo që shkoj sikur e kam brenda vetes dhe më jep forcë të madhe.”

Edhe sot, pavarësisht se e ka të vështirë të flasë, Xhevahiri qëndron në krah të së motrës, ashtu si dhe krejt familjes së tij.

“Unë jam motra më me fat që kam këta vëlla, që quhet Xhevahir Spahiu. Ai është tre vjet më i madhe se unë, por jemi rritur pranë njëri-tjetrit, me dashurinë e njëri-tjetrit, me gëzimet e njëri-tjetrit dhe vëllai për mua u bë shumë herë më i afërt se të tjerët. Patëm një lidhje shpirtërore më të madhe dhe dua ta them. Kujtime kam kaq shumë me vëllain tim sa nuk mbarojnë, si në Vlorë, edhe në fshat e kudo ku kemi shkuar."

Fjala poetike e Spahiut e sjellë nën interpretimin e aktorëve të njohur ishte në qendër të mbrëmjes.

 

B.G/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Miranda: 26/03/2025 09:52

    Me ne fund po kujtohemi per nje poet te madh, para se te vdese.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 28 Mars, 18:47

    Fileto pule me salmonelë, sa të sigurta janë produktet që konsumojmë?



×

Lajmi i fundit

Arben Malaj: Berisha, si babai që e rrit fëmijën dhe në fund e vret! Ja përplasja ime në një darkë me të dhe të shoqen

Arben Malaj: Berisha, si babai që e rrit fëmijën dhe në fund e vret! Ja përplasja ime në një darkë me të dhe të shoqen