Policia e Elbasanit ka shkatërruar një bandë kriminale duke arrestuar 5 persona të cilëve u janë gjetur 82 kallëpe tritoli, gjatë operacionit “Porosia”. Nën drejtori i Policisë Elbasanit Edmond Sulaj tha se të arrestuarit janë zbuluar pas një hetimi disamujor. Report TV mëson se një agjent i infiltruar është bërë pjesë e grupit, sikur donte të blinte sasi tritoli dhe më pas është bërë ndërhyrja nga Policia.

Gjatë operacionit është gjetur edhe kanabis, 1 automatik, 1 pushkë dhe rreth 400 fishekë. Në kërkim është shpallur edhe një 20-vjeçar nga Pogradeci me inicalet E.H. Policia dyshon se ky grup ka shitur tritol në disa nga ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në vend, prandaj po vijojnë hetimet për të zbuluar bashkëpunëtorët.

Deklarata e plotë e nëndrejtorit të Policisë së Elbasanit:
Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Elbasanit në bashkëpunim me Forcat e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Shtetit dhe Prokurorinë e Elbasanit, në kuadër të procedimit penal të referuar nga Policia lokale, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “POROSIA”.

Si rezultat i këtij operacioni të finalizuar me sukses pas një hetimi disa mujor me metoda speciale, u arrestuan në flagrancë 5 shtetas dhe 1 u shpall në kërkim.

Ata janë:

- Geraldo Yzeirllari, 20 vjeç, banues në Pogradec;

- Kristi Maxhari, 21 vjeç, banues në Pogradec;

- Kristian Petani, 22 vjeç, banues në Pogradec;

- Edmond Abazi, 39 vjeç, banues në fshatin Hudenisht, Pogradec;

- Gazmor Kokla, 39 vjeç, banues në fshatin Gribë, Gramsh.

Arrestimi i tyre u krye nga forcat e posaçme në disa ndërhyrje në Pogradec dhe në Gramsh. Shtetasve Geraldo Yzeirllari dhe Kristi Maxhari u janë gjetur dhe sekuestruar 82 kallëpe të dyshuara si lëndë plasëse, e llojit tritol.

Shtetasit Edmond Abazi i është gjetur dhe sekuestruar 1.5 kg lëndë narkotike e dyshuar kanabis. Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Gazmor Kokla, në Gramsh janë gjetur 1 armë zjarri automatik, 1 pushkë me 440 fishekë, 3 automjete, 15 celularë si dhe sasi e konsiderueshme lekësh.

Gjithashtu në kuadër të këtij procedimi penal është shpallur në kërkim shtetasi E.H., 20 vjeç banues në Pogradec, i dyshuar për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, si dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm.



elbasan
Forcat Renea gjatë mbrëmjes së djeshme në Elbasan

Redaksia Online
d.b/d.c/a.d/shqiptarja.com