Ajo që pritej ndodhi: Baleti profesional që me mund, djersë e sakrifica ngriti nga rrënojat Ilir Kerni po merr të tatëpjetën në një rrugë pa kthim.

Liqeni i Mjellmave, e para premierë që do të vihet në mes të prillit në Pallatin e Kongreseve, rrezikon, siç e ka quajtur një tjetër baletmaestro, Arjan Sukniqi, të jetë një “pellg sorrash”. Çfarë ka ndodhur?
 
Pak javë më parë Shqiptarja.com mblodhi dëshmitë përmes burimeve konfidenciale për gjendjen absurde në trupën e baletit.

Drejtoresha e emëruar në nëntor të vitit të shkuar, balerina e njohur Enada Hoxha, nisi një praktikë të njohur në Shqipëri, por që me ardhjen e Ilir Kernit kishte perënduar. Enada, nisi konceptimin e baletit jo duke pasur në qendër të vëmendjes talentet që kishte evidentuar paraardhësi i saj, por nisi menjëherë nga puna për vënien në hije të tyre. Siç duket dhe nga posteri tashmë i bërë publik, zonja Enada Hoxha ka vënë veten në rol kryesor dhe sigurisht dhe bashkëshortin e saj, Gerdin.
 
Gjendja profesionale e dy bashkëshortëve nuk është më ajo e një kohe, baleti ka etapa kohore qe duhen respektuar, ndaj znj. Enada ka përshtatur më të famshmin balet në botë.

Kështu, për të shmangur lëvizjet dhe koreografinë brilante klasike, burime të Shqiptarja.com bëjnë të ditur se në premierë do të shohim diçka që do ta lërë me gojë hapur spektatorin e apasionuar pas ketij arti delikat: Nuk do te jete as musical (sepse askush nuk këndon) e nuk është as version original. Për t’i lejuar vetes disa lëvizje të thjeshta, drejtoresha aktuale e Baletit shqiptar, e ka përshtatur atë sipas vetes tamam siç kërkon nga i talentuari Ardi Asllani, t’i pershtase fustanet në skenë. Të gjithë balerinët më të mirë të evidentuar nga Kerni do të jenë në rradhët e pasme e në role periferike për të mos shuar “ndriçimin” e drejtoreshës-protagoniste.
 
Pas kritikave dashamirëse të Shqiptarja.com, menduam se do të kishte reflektim nga drejtuesit aktualë të institucionit të rëndësishëm të kulturës sonë, por jo. Pas daljes së shkrimit, jo vetëm që nuk u bë më e mira, por nisën ditë të tëra persekutimi për të demaskuar e për të mësuar “spiunët” që i duan të keqen drejtoreshës. Trupa e baletit bën prova në kushte të një presioni absurd: dyer të mbyllura që askush të mos futet, celularët që kycen që të mos filmohet e regjistrohet. Një terror i vërtetë.

Këto ditë janë ditë provash para premierës. Duke qënë se drejtoresha e Baletit ka humbur shumë ditë për të caktuar trupën, për të bërë audicionin, për të shpallur kërcimtarët, ka humbur tepër kohë për të mësuar më shumë se kush janë balerinët që “ja duan të keqen” dhe jo balerinët që do ta çojnë në shkëlqim baletin shqiptar, atëherë, bën prova me një intensitet skllavërues.

Premiera do të jetë me 14, 15, 16 prill. Mjellma nuk do të vdesë siç e thotë Çajkovski, por do të martohet, siç e thotë Enada Hoxha, vetëm e vetëm që Drejtoresha e baletit ne rol kryesor të shmange perfeksionin dhe artin e një gjeniu botëror e të sajojë një tallava alla shqiptare.

Kostumet, me siguri do të jenë të bukura e të larmishme, siç di ti bëjë Ardi Asllani. Por arti, ai i bërë me vite sakrificë dhe përkushtim, ai i bërë nga talenti e pasioni, me siguri nuk janë vënë në piedestal e në plan të parë. Baleti në TKOB është kapur prej fyti nga egoja, intrigat e mendja e mbyllur, urojmë që dikush të hapë sytë e ta shpëtojë nga vdekja atë, baletin e bukur, që sot po vuan si një mjellmë e vogël, e bardhë.

mjellma
Redaksia Online
Shqiptarja.com