Interneti po pushton gradualisht shërbimet e telefonisë së lëvizshme në Shqipëri, duke ndjekur tendencën e tregjeve më të zhvilluara.

Statistikat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare tregojnë se koha mesatare e bisedave telefonike të shqiptarëve po ulet, ndërsa konsumi i trafikut të të dhënave po rritet me ritme të shpejta.

Për tremujorin e parë të këtij viti, çdo përdorues i telefonisë celulare foli në celular mesatarisht 165 minuta në muaj. Kjo shifër është në rënie me 3.2% krahasuar me tremujorin e fundit të vitit të kaluar.

Nga ana tjetër, konsumi mesatar i internetit arriti në 1.81 Gigabyte në muaj, në rritje me afro 10% krahasuar me tremujorin e fundit 2016.

Falë teknologjive që mundësojnë internet të shpejtë, si rrjetet 3G e 4G dhe aparatëve smartphone, edhe për shqiptarët, aparati celular po bëhet më shumë një instrument universal për të këmbyer informacion, sesa një mjet për të folur me të tjerët.

Vetë komunikimi direkt nga rrjeti po zëvendësohet shumë shpejt nga aplikacione te bazuara te interneti, si Viber apo Whatsapp. Kjo dëshmohet edhe nga fakti që numri mesatar i mesazheve të shkurtra SMS nga rrjetet ka rënë sërish me 10% në tremujorin e fundit.

Por, përtej komunikimit ndërpersonal, tashmë aparati celular është një mjet për lundruar në internet dhe për të pasur akses në informacion kudo, pavarësisht nga vendndodhja. Sipas AKEP-it, tashmë janë 1.76 milionë shqiptare që përdorin internet me brez të gjerë përmes rrjeteve celulare.
 
Performanca
 
Shqipëria është ndër vendet me shpejtësinë më të ulët të internetit. Në Europë, ajo renditet e dyta, pas Malit të Zi (4.6Mbps) me 5Mbps sipas veleunomad.com. Kjo e renditje e bën atë një vend jo tërheqës për investime nga kompani të ndryshme të telekomunikacionit.

Si shkaqe të nivelit të ulët të shpejtësisë së internetit nënvizohen kushtet e dobëta të biznesit, si dhe PPB-ja e ulët.

Megjithatë, statistikat e fundit tregojnë se Shqipëria, vit pas viti, ka rritur penetrimin e internetit për banorë. Në vitin 2016, norma e penetrimit ishte 62.8% nga 62% që ishte në vitin 2015 dhe 60.01% në 2014-n. Përdoruesit shqiptarë të internetit zënë 0.1% të totalit botëror.
Në shkallë botërore, Europa renditet ndër kontinentet që zbaton një shpejtësi të lartë sa i përket internetit, falë tregjeve të hapura, infrastrukturës dhe përpjekjeve për kërkime në teknologji.

Disa nga shtetet me shpejtësi të madhe të internetit gjenden në Europë. Suedia është ndër këto vende me shpejtësi mesatare ndërlidhjeje 17.5 Mpbs.
Ndërsa sipas Akmai referuar të dhënave të tremujorit të fundit të 2016-s, Koreja e Jugut është vendi me shpejtësinë më të lartë në botë 26.1Mbps, 8.9 më e lartë se në SHBA.

Norvegjia renditet e dyta me 23.6Mbps ose 2.5Mbps më shumë se vitin e kaluar. Pas ndjekin vende si Suedia (22.8 Mbps), Hong Kongu me 21.9Mbps, Zvicra me 21.2Mbps. këto vende përbëjnë edhe 5-shen e vendeve me shpejtësi më të lartë në botë.
 
Renditja
Ndërsa vendet me shpejtësi më të ulët të internetit në Europë janë:
5 – Bjellorusia Shpejtësia e internetit: 6Mbps
4 – Bosnjë dhe Hercegovina Shpejtësia e internetit: 5.7 Mbps
3 – Kroacia     Shpejtësia e internetit: 5.5 Mbps
2 – Shqipëria   Shpejtësia e internetit: 5 Mbps
1 – Mali i Zi   Shpejtësia e internetit: 4.6 Mbps

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com