​Alarmi i SHISH: Në rritje numri i
ndjekësve të propagandës së ISIS

​Alarmi i SHISH: Në rritje numri i<br />ndjekësve të propagandës së ISIS
Numri i të atyre që ndjekin propagandën e ISIS në Shqipëri, është gjithnjë e në rritje. Alarmin e ka ngritur vetë kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror Visho Ajazi Lika, i cili paralajmëron se ata që radikalizohen nga propaganda e ekstremizmit dhe terrorizmit islamik, janë shumë të vendosur dhe e pamundur të kontrollohen. Duke folur gjatë një tryeze mbi strategjinë e online të ISIS në Shqipëri, Visho Ajazi Lika tha se problemet ekonomike shoqërore janë shkaku kryesor i përhapjes së fenomenit të ekstremizmt të dhunshëm në vend dhe prandaj duhet bashkëpunim me të gjitha palët.

"Numri i atyre që kyçen nëpër këto rrjete është në rritje. Nga ana tjetër, këta njerëz ndihen bosh dhe gjejnë ngushëllim në këto rrjete. Ndaj edukimi fetar ka vlerë të jashtëzakonshme. ata aksesohen direkt në versionin më radikal të islamizmit. Ata që përfshihen janë ideologjikisht shumë të vendosur dhe pësojnë një shpëlarje truri, aq sa e bën të pamundur të kontrollohen. Kemi një avantazh që ata që radikalizohen nuk kanë mbështetjen e familjarëve apo të shoqërisë”, tha Ajazi.

Sipas kreut të SHISH, avantazhi i vetëm është se ata që radikalizohen nuk gëzojnë mbështetjen e familjarëve apo të shoqërisë. Ndërkaq i pranishëm në tryezë ishte edhe Sandër Lleshi, këshilltari i kryeministrit për sigurinë kombëtare, i cili paralajmëroi se të rinjtë sot në Shqipëri kanë shumë pak informacion për çështjet fetare ndaj dhe bien pre lehtësisht e rekrutuesve, ndërsa shpjegoi më në detaje çfarë synon strategjia kombëtare kundër terrorizmit. 

Studimi i prezantuar nga pedagogu Fabian Zhilla, përgatitur në kuadër të Akademisë së Studimeve Politike tregon se shqiptarët janë një ndër grupet më të shenjëstruara për rekrutim nga ISIS, i cili përdor mesazhe specifike vetëm për shqiptarët, ose në raste të tjera për “Myslimanët e Balkanit Perëndimor”. Zhilla theksoi se Tirana, Shkupi dhe Prishtina mbeten qendrat më vulnerabël ndaj rekrutimeve të ISIS. Ndërsa kreu i Komunitetit Mysliman në Shqipëri, Skënder Bruçaj, i bëri apel qeverisë shqiptare të adresojë rekrutimin online nga ISIS. 

Gjatë konferencës, ekspertë dhe përfaqesues të shoqërisë civile ranë të gjithë dakord se përballja online me propagandën e ISIS në Shqipëri ka dështuar. Studimi i prezantuar këtë të premte, ka analizuar mbi 270 mesazhe të faqeve propagandistike në gjuhën shqipe, ose të përkthyera në gjuhën shqipe në “Facebook” dhe platforma të tjera online gjatë 3 muajve të fundit, duke krijuar një panoramë të mënyrave moderne të komunikimit që përdor ISIS si dhe ofron disa rekomandime.

Fushata online e ISIS

Dokumenti studimor analizoi mbi 270 mesazhe të faqeve propagandistike online në gjuhën shqipe, ose të përkthyera në gjuhën shqipe në “Facebook” dhe platforma të tjera online gjatë 3 muajve të fundit, duke krijuar një panoramë të mënyrave moderne të komunikimit që përdor ISIS si dhe duke ofruar disa rekomandime përkatëse. Disa prej këtyre rekomandimeve të prezantuara nga kërkuesi Z. Fabian Zhilla, pedagog i Institutit Kanadez të Teknologjisë dhe pjesëmarrës i Shkollës, ishin:

• Politikat për pengimin e strategjive të rekrutmit të ISIS në Shqipëri duhet të konsiderojnë një kundër-narrativë dhe jo vetëm politika të ashpra të burgosjes dhe luftrave online ndërmjet shteteve dhe individëve radikalë (mbyllja e adresave ëeb të ekstremistëve).
• Përballja online me propagandën e ISIS duket sikur ka dështuar, pasi sa më shumë adresa web, apo faqe të individëve radikalë mbyllen nga agjensitë ligjzbatuese, aq më shumë hapen, akoma edhe më të sofistikuara.
• Në vend të harxhimit të burimeve në mjetet online, qeveritë duhet të konsiderojnë faktorët offline që shtyjnë individët për të kontaktuar dhe komunikuar me ISIS. Fokusi duhet të orientohet në faktorët social dhe mënyrat për të integruar individët e radikalizuar online në shoqëri.

• Çështja e ISIS ka treguar gjithashtu se rekrutimi nuk është vetëm individual, por mbart edhe lidhje komunitare. Shumë individë janë bashkuar me ISIS në grupe shokësh apo familjesh dhe duhen strategji qeveritare për të trajtuar këtë fenomen.
• Nxitja e dhunës dhe urrejtjes online me baze fetare është problematike dhe në besimet e tjera (“katolike” dhe “ortodokse”)

Prezantimi i gjetjeve të para të dokumentit si dhe bashkëpunimi i mëtejshëm me aktorët e rëndësishëm të kësaj tryeze do të shërbejnë për të finalizuar më tej punimin studimor. 

Ky dokument u prodhua si pjesë e iniciativave publike të pjesëmarrësve të “Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike” dhe u mbështet nga Akademia e Studimeve Politike. Nëpërmjet angazhimit në këto iniciativa, synohet që objektivat e reformave të rëndësishme në vend të transmetohen tek publiku i gjerë dhe në këtë mënyrë, të sigurohet ndërgjegjësimi i duhur për rolin e gjithsecilit prej aktorëve dhe vetë publikut në zbatimin e këtyre detyrimeve dhe standardeve.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kosova mbyll dy ndërmarrje publike serbe në veri

Kosova mbyll dy ndërmarrje publike serbe në veri