Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Helmut Hoffman ka ndjekur ceremoninë përkujtimore të martirëve të Borovës, ku forcat gjermane vranë 107 civilë si reprezalje pas sulmit nga partizanët. Masakra ka ndodhur më 9 korrik 1943.
 
“Jemi këtu për të kujtuar krimin më të rëndë të ushtrisë gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Është e drejtë dhe e domosdoshme të kujtojmë ngjarje të tilla të dhimbshme. Në këtë vend ajo që mund të ndjejë një gjerman është një turp për çfarë ka ndodhur. Është një ndër mrekullitë e parimit europian që pas dekadash kujtohen gjëra të tilla”, u shpreh Hoffman.
 
Ambasadori më tej duke folur për rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në BE tha se, është pozitiv rrugëtimi i deri tanishëm dhe se Gjermania e mbështet përpjekjet e saj.
 
Hoffman komentoi edhe vizitën e kancelares Angela Merkel, që do të zhvillojë më 8 korrik në Tiranë si “gëzim të madh”. “Ajo do të pritet tejet miqësisht për sa e njoh unë situatën”, tha ambasadori.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)