Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka bërë thirrje që Kuvendi dhe institucionet e Kosovës të formohen sa më shpejtë, meqë vendin e presin sfida të mëdha.

Zëdhënësja e BE në Kosovë, Dinka Zhival, thotë se përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë, kërkon nga partitë parlamentare të veprojnë me përgjegjësi dhe të përmbushin detyrimet që rrjedhin nga Kushtetuta dhe ligjet.

“Kosova përballet me shumë sfida – papunësia e lartë, sistemi arsimor me performancë të ulët, korrupsioni dhe sundim të dobët të ligjit – të cilat mbeten pengesë për tërheqjen e investimeve të qëndrueshme që ndihmojnë zhvillimin e ekonomisë. Prandaj, është e rëndësishme që liderët politikë t’i marrin seriozisht këto sfida dhe të veprojnë në përputhje me interesin më të mirë të popullit të Kosovë”, tha ajo.

Sipas përfaqësuesve të BE-së në Prishtinë, Kosova ka perspektivë të qartë evropiane dhe Bashkimi Evropian pret përshpejtim në agjendën e reformave që kontribuojnë në këtë rrugëtim.

“Banorët e Kosovës presin një udhëheqje të përgjegjshme që do të bëjë përparime të rëndësishme drejtë rrugës evropiane. Është detyrë e udhëheqësve politikë të ecin përpara”, deklaron Zhival./telegrafi

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com