2025-sa futi në një fazë të re rritjen ekonomike. Pas pesë vitesh luhatjesh, nga tërmeti, pandemia e deri tek kriza e çmimeve, ky vit duket se shënoi fundin e pasojave pas-inflacioniste. Një pjesë e plagëve të vjetra u mbyll, por për disa të tjera kura ende nuk është gjetur.
Me shpresën e një turizmi rekordesh edhe në 2025-ën, u ndërtua skenari për rritjen ekonomike të vendit. Parashikim që edhe u materializua, rritja ekonomike e 9-mujorit të vitit 2025 rezultoi në 3.73%, pak më pak se objektivi i qeverisë për një rritje ekonomike prej 3.9%.
“Pritshmëritë për tremujorin e katërt dhe për përfundimin e vitit janë për arritje të parashikimit të rritjes ekonomike prej 3.9%”, tha Delina Ibrahimaj më 24 dhjetor.
Rritja e pagave të administratës shtetërore, shitja e pronave dhe turizmi ishin lokomotivat ekonomike.
Më shumë se 12 milionë të huaj hynë në Shqipëri deri në fund të nëntorit të vitit 2025. Vetëm për gjysmën e parë të vitit sollën në vend 4.4 miliardë euro, ose rreth 562 milionë euro më shumë se në 2024-ën.
Kurse sektorët që prodhojnë ‘ekonomi’, mijëra vende pune dhe kontribut në prodhimin kombëtar, u zhytën edhe më shumë në krizë në 2025-ën.
2025 mbylli plagën e çmimeve, por pa kurë për prodhimin
Bujqësia dhe industria, vijuan të pësojnë rënie përgjatë gjithë vitit. Bujqësia nën kthetrat e fondeve të pamjaftueshme dhe braktisjes së fshatit, ndërsa industria përballë kostove të rritura të prodhimit, mungesës së fuqisë punëtore dhe zhvlerësimit të valutave.
“Mbështetja e ekonomisë në faktorë, siç janë shpenzimet, buxhetore apo pagat në rastin konkret, apo sektori i dyshimtë i ndërtimit duhet të na shqetësojë për të ardhmen. Duhet të flasim për vendet e reja të punës që krijohen, duhet të flasim për produktivitetin në këto vende pune, duhet të flasim për shtim të prodhimit vendas dhe jo për ndërtim”, thotë eksperti i ekonomisë Zef Preçi.
Për ekspertët, kriza në sektorin bujqësor dhe në atë industrial, duhet të jetë kambanë alarmi për institucionet që të reagojnë.
“Problemi kryesor i ekonomisë është që nuk mbështetet në sektorë të qëndrueshëm, në bujqësi dhe industri, që japin prodhim, japin performancë të mirë ekonomike jo vetëm brenda vendit por edhe jashtë, pasi do të rriste eksportet edhe më shumë”, pohon Romina Radonshiqi.
Mes mungesës së fondeve të IPARD të bllokuara prej 2023-shit, dhe kërkesave në rritje për financim të bujqësisë, përballë dyerve të mbyllura nga bankat, qeveria erdhi me një propozim të ri, ngritjen e “Bankës Shqiptare të Zhvillimit”. Kjo pritet të jetë dritarja e re e financimit që nis operimin në 2026-ën.
“Qëllimi kryesor i bankës është të rrisë qasjen në financë të sektorëve të nën financuar duke mbështetur zhvillimin e infrastrukturës, ndërmarrjet e mesme dhe të vogla, eksportet dhe projektet strategjike me ndikim ekonomik”, u shpreh Delina Ibrahimaj ministre për sipërmarrjen.
Jo vetëm financimi i ulët, por edhe politika fiskale e ndjekur me bujqësinë ka kontribuar negativisht në zhvillimin e sektorit. Me ndryshimin e ligjit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në 2018-2019 u vendos që TVSH-ja për bujqësinë të jetë 0%.
Në këtë rast grumbulluesit, tregtarët apo kompanitë nuk kanë asnjë interes për të blerë prodhimin vendas, duke lëshuar faturë me TVSh pasi nuk e rimbursojnë dot më atë. Në variantin më të mirë, nëse e blejnë janë të detyruar që 20 përqindëshin ta ngarkojnë mbi çmim, e për pasojë, produkti final për konsumatorët del më i shtrenjtë.
E kundërta ndodh në import, ku si në blerje dhe në shitje TVSH-ja është 20%. Në këtë moment grumbulluesi paguan TVSH për diferencën midis çmimit të shitjes së produktit dhe atij të blerjes në import.
Kjo skemë që dukshëm ka favorizuar prodhimin e huaj dhe jo atë vendas, u tentua të korrigjohej me kompensimin 10% të faturave me ndryshimet që ju bënë ligjit të TVSH-së vjeshtën e 2025-ës që ishte edhe pjesë e paketës fiskale. Por dhe kjo skemë nuk duket se do të sjellë përmirësim, përsa kohë nuk zgjidh origjinën e problemit. Nga ana tjetër, mënyra se si është ndërtuar skema, lë jashtë pjesën dërrmuese, gati 90 përqind, të fermerëve, të cilët nuk kanë një NIPT tatimor.
Paratë janë, por nuk shpenzohen
‘Sëmundja e vjetër’ e mos realizimit të shpenzimeve shoqëroi gjithë 2025-ën, fillimisht prej zgjedhjeve të 11 majit që kufizonin institucionet të bënin shpenzime, e më pas prej frikës sipas ekspertëve që kanë shkaktuar hetimet e drejtësisë.
“Vitet e fundit shikohet një rritje të presionit të kontrollit nga sistemi i drejtësisë, kjo në një farë mënyre ka trembur shumë prej ‘firmëtarëve’, të cilët mendohen disa herë përpara se të firmosur një shpenzim të caktuar”, thotë eksperti i ekonomisë Klodian Muço. (19 shtator)
Në 11 muaj institucionet buxhetore shpenzuan më pak se 6.4 miliardë euro, dhe mbeten afro 2 miliardë euro për tu shpenzuar deri në mes të janarit kur mbyllen plotësish pagesat e 2025-ës. Shkak për këtë ecuri të dobët sipas Ministrisë së Financave është mos realizimi i investimeve të parashikuara gjatë gjithë viti.
“Është pozitive që administrata po ndërgjegjësohet. Por frika nga hetimet e SPAK duhet të kapërcehet se nuk i shërben mirëmenaxhimit të financave publike”, shprehet Preçi.
Leku forcohet, inflacioni ulet, çmimet nuk ndryshojnë
Inflacioni edhe në 2025-ën nuk e arriti objektivin e Bankës së Shqipërisë, pasi rezultoi më i ulët se 3%. Inflacioni i importuar, po ashtu, sipas Bankës së Shqipërisë, ishte në rënie.
“Inflacioni i brendshëm dhe ai bazë janë rritur gjatë vitit, duke qëndruar rreth niveleve mesatare 3.1-3.5% në muajt tetor-nëntor, ndërkohë që inflacioni i importuar është në territor negativ dhe ai afatshkurtër ka zbritur në minimumet e tij historike”, tha Gent Sejko guvernator i BS më 17 dhjetor.
Nga ana tjetër Leku regjistroi një forcim konstant ndaj valutave. Një situatë e cila nuk gjeti asnjë reflektim në çmimet e produkteve që vijnë nga jashtë.
“Ne kemi një element pozitiv, kursin e këmbimit për të gjitha produktet bujqësore që ne i importojmë që nën kuptohet këto produkte bujqësore kur ne i importojmë, i blejmë një treg të huaj në euro. Ne kur i konvertojmë në lekë i kemi blerë më pak, më lirë kjo gjë duhet të reflektohet në treg dhe çmimet duhet të jenë më të lira”, thotë ekspertja Teuta Nunaj Kortoci.
Rasti më flagrant është ai i karburantit. Edhe pse çmimi i fuçisë së naftës bruto në bursë ka rënë me 17 dollarë, në Shqipëri rënia e vetme ishte në prill 2025 me vetëm 1 lek.
E vetmja ulje çmimi e dukshme erdhi nga vetë ndërhyrja e shtetit. Prej 1 shkurtit çmimi i energjisë elektrike u ul me 1 lekë për kilovat, për të të gjitha familjet që konsumojnë deri në 700 kilovat në muaj. Kjo kategori e paguan energjinë me 8.5 lekë/kilovat pa TVSH. Kurse ata që konsumojnë mbi këtë sasi vijojnë ta paguajnë me 9.5 lekë kilovatin. Ky çmim i diferencuar i energjisë për konsumatorët familjarë do të vijojë të jetë në fuqi edhe përgjatë 2026-ës.
Borxhi bie në përqindje, rritet në vlerë
Më 14 shkurt 2025, qeveria emetoi eurobondin 650 milionë euro në bursën angleze me normë interesi 5%, i cili duhet shlyer deri në 2035-ën. Sipas kryeministrit, bëhet fjalë për transaksionin më të suksesshëm
“Së pari për interesin e investitorëve të huaj sepse ofruan 4.3 herë më shumë se nevoja jonë, që solli ulje të normës së interesit. Është mbulimi më i lartë i regjistruar që nga tetori 2024. Së treti normë më të ulët interesi sesa për shtete si Serbia dhe Rumania”, tha Rama.
Nëntëmujori i 2025-ës u mbyll me ulje të borxhit publik në 53.4% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 54.2% që rezultoi në 2024. Kontribut kryesor dha larja e borxheve të vjetra me eurobondin e 7-të që u mor, si dhe prej zhvlerësimit të valutave, që e kanë bërë më të lirë shlyerjen e kësteve.
Borxhi publik raportohet në rënie si përqindje në raport me PBB-në, pasi është rritur prodhimi kombëtar. Por përkthyer në vlerë, ai përllogaritet në 14 miliardë euro, me një rritje me 510 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Pensionet, nga reforma e premtuar te skema e re me bonuset
‘Kambana e Alarmit’ ra edhe më fort në 2025-ën për pensionet. Edhe pse u fol dhe u premtua shumë për rritje të tyre, viti u mbyll pa një reformë të re. I vetmi ndryshim, erdhi në fund të vitit, kur qeveria njoftoi se bonuset vjetore, do të shpërndahen çdo muaj
Nën ethet e garës elektorale në kërkim të votës së qytetarëve më 11 maj, ‘Kali i betejës’ i partive politike mbeti premtimi për pensione të denja, minimali 200 euro e mesatari 400 euro brenda 4 viteve.
“Kushdo që e premton rritjen e pensioneve nuk ka parasysh sesa mund të mbajë pjesa e buxhetit për të mbështetur një rritje të madhe”, tha Gjokutaj.
Më 5 shkurt, në konferencën ndërkombëtare për reformën e pensioneve, kryeministri Edi Rama ju rikthye edhe një herë premtimit për të riparë skemën aktuale, të miratuar nga socialistët e që është në fuqi prej 2015-ës.
“Duam që këto bonuse të vazhdojnë dhe që pensionistët të marrin pjesë në shpërndarjen e fryteve të rritjes, ndërkohë paralelisht duke ri-ndërhyrë në sistemin e pensioneve, duam që të bëjmë një akselerim pa prishur në asnjë mënyrë themelet që ka sistemi”, tha Rama.
Në ndërkohë, akti i fundit normativ i 2024-së kishte parashikuar një shpërblim pranvere për pensionistët, që nisi të shpërndahej nga 1 marsi 2025. 10 mijë lekë morën ata që kishin pension mujor nën 20 mijë lekë dhe 5 mijë lekë ata që merrnin mbi 20 mijë lekë.
Më 1 tetor, pensionet u indeksuan me 2.5% , vlerë më e ulët se vitet e kaluara, prej zbehjes edhe të valës së inflacionit. Kjo shtesë për të amortizuar koston e shtrenjtimit të ushqimeve ishte 490 lekë në muaj për pensionet mesatare urbane dhe vetëm 296 lekë më tepër për ruralët.
Një muaj më vonë, më 4 nëntor kryeministri Edi Rama njoftoi se
“Pensioni urban në vitet të plota pune do të rritet 1 mijë e 800 lekë,
Pensioni urban i pjesshëm do të rritet 800 lekë,
Pensioni rural do të rritet 1 mijë lekë,
Pensioni familjar do të rritet 700 lekë”, tha Rama.
Në fakt bëhet fjalë për një skemë të re shpërblimi. Bonuset e fundvitit, praktikisht shpërndahen në 12 muajt e vitit.
“Nuk është thjesht një politikë sociale, por një politikë e domosdoshme që vjen në kushtet e konsolidimit ekonomik si një mënyrë për t'u dhënë brezave që ndërtuan këtë vend më shumë respekt dhe më shumë dinjitet”, tha Petrit Malaj më 5 nëntor.
Prej vitesh qeveria thotë se po punon për një rishikim të skemës së pensioneve me qëllim që të rriten pensionet më të ulta, dhe të ketë një zgjidhje për deficitin që ekziston në skemë, që ka ardhur për shkak të numrit të ulët të kontribuuesve në raport me përfituesit. Por edhe 2025-sa u mbyll pa një projekt të ri konkret.
Ndërkohë Banka Botërore ka propozuar rishikimin e formulës si llogaritet pensioni, rritjen moshës së daljes në pension, heqjen e përfitimeve suplementare, jo indeksime progresive, të bëhen skema me kontribute fikse e deri te fuqizimi i skemës private.
Skema e Pensioneve përtej demografisë, emigrimit dhe numrit të ulët të kontribuuesve po sfidohet fort nga nëndeklarimi i pagave, që prek direkt vlerën e kontributeve që paguhen për të punësuarin.
Pavarësisht aksioneve kundër nëndeklarimit të pagave nga bizneset, apo caktimit të referencave për rrogat në sektorin e turizmit apo edhe rritjes së tyre të detyruar të pagave për shkak të mungesës së punonjësve, shifrat e INSTAT, tregojnë se pjesa më e madhe e punonjësve nuk e arrijnë pagën mesatare as të përgjithshme dhe as mesataren e sektorit privat.
Debatet e nxehta që provokoi paqja fiksale dhe rivlerësimi
Paqja fiskale dhe rivlerësimi i pronave të patundshme ishin dy elementët më të debatueshëm të paketës fiskale që shoqëroi buxhetin e 2026-ës
Dy vite pasi u tërhoq nga Amnistia Fiskale dhe Penale, qeveria në pranverën e 2025-ës erdhi me një ‘surprizë’ të pa-artikuluar më parë në publik. ‘Paqja Fiskale’ u artikulua për herë të parë nga Kryeministri Edi Rama më 29 mars 2025, teksa shpalosi programin qeverisës për zgjedhjet e 11 majit.
“Në mandatin e katërt ne do të kemi një paqe fiskale të negociuar me biznesin, një instrument i njohur qysh në kohëra shumë të vjetra, të cilën latinët e quanin Pax Fiscalis Cum Negotiis”, tha Rama më 29 mars 2025.
Pas shumë aludimesh dhe akuzash se pas këtij termi fshihej Amnistia që e ndaloi në 2023-shin Komisioni Evropian, paketa ligjore u depozitua në Kuvend më 13 nëntor 2025, me dy projektligje, ‘Fshirjen e Borxheve’ dhe ‘Marrëveshja e Paqes” me bizneset.
Çdo borxh i papaguara deri në fund të 2014-ës fshihet automatikisht, ndërsa borxhet më të reja, lehtësohen me kushte. Prej kësaj nisme fshihen gati 2 miliardë euro detyrime, gjoba dhe kamata.
Kurse “Marrëveshja e Paqes Fiskale”, parashikon që bizneset e mëdha me të ardhura mbi 14 milionë lekë, që nuk janë subjekte që përfitojnë nga normat e reduktuara tatimore, tu jepet mundësia që të bëjnë një marrëveshje me tatimet, dhe të përfitojnë lehtësi fiskale.
Pra mbi fitimin e deklaruar të një biznesi do të shtohet një marzh 18%, dhe çdo fitim që kalon pragun prej 18% do të tatohet me 5%. Gjithashtu ju jep mundësinë bizneseve që të korrigjojnë pasqyrat financiare të 5 viteve të fundit për të rritur deklarimet deri me 30%.
Të dyja nismat u miratuan me votat e mazhorancës mes akuzave të deputetëve jo vetëm të opozitës por edhe nga vetë socialistët se i hapet rruga pastrimit të parave. Qëndrim që u forcua edhe më shumë ditën e 11 dhjetorit, kur Komisioni Evropian tha se Paqja Fiskale është e rrezikshme dhe krijon hapësira për pastrim parash.
“Një subjekt që për 20 vite ka deklaruar 3% normë fitimi, nuk mund të vijë e të deklarojë 19% fitim, dhe të përfitojë 5% për atë 1% mbi 18%. Po duhet ta thotë edhe burimin e të ardhurat”, thotë Braçe.
Por mazhoranca i mbylli ‘veshët’ përballë këtyre shqetësimeve dhe i dha 75 kartonë jeshil projektligjit të ‘Marrëveshjes së Paqes Fiskale’.
Po mëngjesin e 12 dhjetorit u miratua 81 vota pro Buxheti për vitin 2026 në vlerën 8.8 miliardë euro.
“Katër janë shtyllat kryesore të projektbuxhetit 2026. Rritja ekonomike, konsolidimi fiskal, mirëqenia sociale dhe përshpejtimi në integrimin evropian”, tha Malaj. (5 nëntor)
Dritë jeshile pas më shumë se 1 viti zvarritje iu hap edhe rivlerësimit të pasurive të paluajtshme me një normë tatimore prej 5%.
Gati në çdo tre vjet Shqipëria është përfshirë nga fushata të rivlerësimit të pasurive të paluajtshme, ose ndryshe afrim i vlerës së pronës me çmimet aktuale në treg. Ndërsa fushata e 2026-ës që do të zgjasë 1 vit do të jetë e katërta që zhvillohet në vend.
“E gjejmë të tepërt dhe të pavend normën tatimore 5% sidomos për ato prona që kanë të bëjnë me strehimin”, tha kreu i NAREA Reinaldo Pipiria.
Ndërsa pasuritë e paluajtshme përveçse janë kthyer në motor për rritjen ekonomike për shkak të shtrenjtimit të çmimeve deri në 44% gjatë 2025-ës, kanë ‘mbërthyer’ edhe më shumë fondet e huaja. 1 në 3 lekë të huaj që hyn në Shqipëri shkon në këtë treg, që për shtetasit e huaj është ende i lirë dhe me leverdi.
Çfarë parashikohet për 2026?
Në hapat e 2025-ës pritet të ecë edhe ekonomia në 2026-ën. Rritja projektohet në 4% në raport me vitin e lënë pas, me kontributin kryesor të turizmit, ndërtimit dhe konsumit.
Për të mbështetur rritjen ekonomike, vijuar me investimet, përmirësuar sistemin shëndetësor, arsimor apo mbrojtjen, më shumë para do u lihet në dorë institucioneve.
Nga 494.4 miliardë lekë (rreth 4.9 mld euro), që është buxheti për institucionet në 2026-ëm, pjesën më të madhe e merr Ministria e Shëndetësisë me 82.5 miliardë lekë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë 77.2 miliardë lekë, ndjekur nga Arsimi me 64.8 miliardë lekë dhe më pas Ministria e Mbrojtjes që merr 58.9 miliardë lekë, për të përmbushur edhe detyrimet ndaj NATO-s.
Buxheti për vitin 2026 u dekretua më 24 dhjetor nga Presidenti Bajram Begaj, më 29 dhjetor u publikua në Fletoren Zyrtare dhe i nis efektet e tij më 1 janar 2026.
Nga ana tjetër përtej paketës fiskale që do të vihet në zbatim, 2026-ta nis me rritje të pagës minimale nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë dhe pritet të përfitojnë 307 mijë punonjës në sektorin publik dhe privat.
Rritja e pagës minimale do të nisë nga 1 janari i vitit 2026, dhe për 9 muajit e parë të zbatimit të saj kostoja e rritur për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore nuk do të paguhet nga biznesi, por nga shteti.
Gjithashtu për herë të parë do të bëhet indeksimi i pagave të administratës publike me 2.5%, në mënyrë që të mbulohen kostot e shtuara të çmimeve të ushqimeve.
Komente












