Përgjysmohet numri i nxënësve në gjimnazin e Përrenjasit, shkak emigracioni dhe zgjedhja e arsimit profesional.

Shkolla e mesme e përgjithshme “Halit Bërzeshta” në Përrenjas ka njohur edhe numrin më të ulët të gjimnazistëve të regjistruar ndonjëherë. Kështu gati janë përgjysmuar dhe sipas të dhënave një pjesë e mirë janë orientuar drejt arsimit profesional.

Sipas drejtorit të shkollës, Hajdar Hana janë hapur 2 klasa me rreth 45 nxënës gjithsej nga 58 që kanë përfunduar arsimin nëntëvjeçar. Ai thekson se emigracioni por edhe përzgjedhja e arsimit profesional kanë ulur numrin e nxënësve.

“Kjo shkollë historikisht frekuentohet nga nxënës që vijnë nga qyteti dhe zonat përreth, por nga statistikat e marra numri i nxënësve këtë vit ka qenë shumë i ulët. Kjo sjellë probleme sepse reduktimi i numrit të tyre sjell dhe reduktim të numrit të punonjësve.”, tha Hana.

Qyteti i Përrenjasit ka vetëm një shkollë të mesme dhe furnizohet nga të gjitha njësitë administrative përreth, por megjithatë edhe kjo shkollë ka njohur rënie të madhe të numrit të nxënësve edhe si pasojë e rënies së natalitetit që kanë prekur edhe këtë zonë të Shqipërisë.

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com