Sipas Veliajt, Tiranës i duhen 170 milion euro për të pasur furnizim me ujë të pijshëm pa ndërprerje. Veliaj mori si shembull qytetin e Korçës, pasi ky qytet që nga viti 2002 furnizohet me ujë pandërprerë dhe sipas atij këtu uji kushton 99 leke metri kub, pra më shumë se sa është rritur në Tiranë.
Po si është realisht situata e furnizimit me ujë në Korçe?
Report tv pyeti qytetaret atje, të cilët u shprehen të kënaqur me furnizimin me ujë, pa shprehur asnjë kundërshti për çmimin, edhe nëse realisht çmimi i ujit në Korçë është 65 leke metri kub dhe jo 99, pra i njëjtë me atë çfarë kërkohet nga kryebashkiaku Veliaj.
Dhe fakt akoma më i rëndësishëm, Korça këtë çmim e ka që prej 15 vitesh dhe nuk është rritur për të realizuar investimin.
“Shumë të kënaqur jemi edhe me shërbimin edhe me cilësinë e ujit që kur ka filluar ky shërbim i cili ka mbi 10 vite. Është justifikuar gjithçka që është investuar. Në përgjithësi njerëzit janë të kënaqur me këtë, nuk kam dëgjuar njeri të ankohet. Pagesat janë të rregullta, paguhet ajo që konsumohet. Familja ime paguan 1 mijë e 700 lekë të reja.
Uji i pijshëm në qytetin tonë ka kohë që është bërë dhe jemi shumë të kënaqur si familjarë. Nuk paguajmë ndonjë kushedi çfarë. 20 e ca mijë lekë na vjen në bazë të konsumit që bëjmë, uji është i një cilësie shumë të mirë, nuk mban erë, është i rrjedhshëm.
Paguajmë 24, 25 mijë lekë në muaj, mirë do ishte të ishte të më pak. Në fakt nga të gjithë qytetet e tjera Korça paguan më shumë, me gjithë ujin me gjithë kanalizimet shkon 1 mijë lekë. Megjithatë ne jemi të kënaqur duke pasur parasysh ujin që e kemi 24 orë”, shprehen qytetarët e Korçës.
Drejtoria Tregtare e Ujësjellës Kanalizimeve Korçë shprehet se shërbimet që ata ofrojnë janë të kompensueshme me çmimin pasi qytetarët e Korçës sot furnizohem me ujë të pijshëm 24 orë, pa patur nevojën e depozitave, të cilat në shumë raste janë shkaktarë të shumë sëmundjeve.
“Në qytetin e Korçës furnizohet të gjithë me ujë të rrjedhshëm 24 orë. Ujë cilësor, ujë të sigurt për shëndetin. Kuptohet që të vinim në një situatë të tillë, nuk u bë në një kohë të shkurtër, por ka qenë një rrugë shumë e gjatë përpjekjesh, kanë qenë një sërë investimesh të kryera.
Investimet fillestare janë akorduar në fillim të viteve 2000. Projekti i rehabilitimit të të gjithë rrjetit nga burimi deri të konsumatori është bërë për dy vite. I gjithë projekti ka përfunduar dhe qytetarët kanë përfituar shërbim 24 orë me ujë prej shtatorit 2002 dhe sot vazhdojë të jenë me të njëjtat kushte.
Aktualisht qytetarët e Korçës në faturën e tyre,ngarkohen për shërbimin e furnizimit me ujë, largimin dhe trajtimin e ujërave të përdorura nëpërmjet impiantit të trajtimit si dhe tarifën fikse të shërbimit. Për grupin e konsumatorëve familjar, çmimi është 65 lekë për metër kub”, thotë për Report TV, Elia Pendavinji, Drejtore tregtare në UKKO.
Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com