E ndarë në tre faza, ja çfarë parashikon marrëveshja Izrael-Hamas për armëpushimin dhe lirimin e pengjeve?

E ndarë në tre faza, ja çfarë parashikon marrëveshja Izrael-Hamas për armëpushimin dhe lirimin e pengjeve?

"Kemi një marrëveshje për pengjet në Lindjen e Mesme. Ato do të lirohen së shpejti," ka njoftuar Donald Trump në Truth, duke konfirmuar lajmin që kishte qarkulluar në media pak më parë. Marrëveshja, e cila ende nuk është shpallur zyrtarisht, parashikon tre faza dhe garantët do të jenë Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara. Armëpushimi në Gaza do të hyjë në fuqi menjëherë, kanë bërë të ditur burime të Shtëpisë së Bardhë, të cituara nga New York Times.

Faza e parë

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, parashikohet një fazë fillestare prej gjashtë javësh që përfshin tërheqjen graduale të forcave izraelite nga qendra e Gazës dhe kthimin e palestinezëve të zhvendosur në veri të Rripit. Rreth 600 kamionë me ndihma humanitare do të hyjnë çdo ditë në Rrip dhe 300 në veri.

Hamas do të lirojë 33 pengje izraelite, duke përfshirë të gjitha gratë (ushtare dhe civile), fëmijët dhe burrat mbi 50 vjeç. Fillimisht do të lirohen gratë dhe ata nën 19 vjeç, më pas burrat mbi 50 vjeç, dhe në fund do të dorëzohen trupat e pengjeve të vdekur. Lirimi do të ndodhë brenda një periudhe prej gjashtë javësh: të paktën tre pengje çdo javë. Izraeli do të lirojë 30 të burgosur palestinezë për çdo peng civil dhe 50 të burgosur palestinezë për çdo ushtare izraelite. Numri total mund të variojë nga 990 deri në 1,650.

Faza e dytë

Negociatat për fazën e dytë do të fillojnë në ditën e 16-të të fazës së parë. Pritet që të përfshijë lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura, duke përfshirë ushtarët, një armëpushim të përhershëm dhe tërheqjen e plotë të ushtrisë izraelite.

Faza e tretë

Faza e tretë pritet të përfshijë kthimin e të gjithë trupave të mbetur të pengjeve dhe fillimin e rindërtimit në Gaza, nën mbikëqyrjen e Egjiptit, Katarit dhe Kombeve të Bashkuara.

Palestinezët, shtetet arabe dhe Izraeli ende duhet të bien dakord për një vizion për periudhën pas luftës në Gaza, një sfidë që përfshin garancitë e sigurisë për Izraelin dhe miliarda dollarë investime për rindërtim. Një pyetje pa përgjigje mbetet se kush do të administrojë Gazën pas luftës. Izraeli ka refuzuar çdo përfshirje të Hamasit, i cili qeveris Gazën që nga viti 2007, por gjithashtu ka kundërshtuar pothuajse në të njëjtën masë Autoritetin Palestinez, organin e krijuar me marrëveshjet e përkohshme të paqes të Oslos tre dekada më parë, i cili ka një fuqi të kufizuar qeverisëse në Bregun Perëndimor.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Përplasen dy trena në Bullgari, 2 persona humbin jetën dhe 6 të tjerë plagosen

Përplasen dy trena në Bullgari, 2 persona humbin jetën dhe 6 të tjerë plagosen