​Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me mësues

​Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me mësues
Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me mësues:

Përshëndetje të gjithëve!

Jemi takuar edhe herë të tjera, por besoj që për ju ky është takimi më i ëmbël, sepse nuk është një takim vetëm për të kërkuar që të gjithë ju sëbashku të jeni pjesë e një përpjekjeje të vështirë dhe të mundimshme, por ësh​të një takim për të nënvizuar se përpjekjet e vështira dhe të mundimshme shpërblehen.

Sidoqoftë, pikërisht sot është e nevojshme që të kthejmë kokën 3 vjet më parë dhe të kujtohemi se kur ne morëm detyrën, gjetëm një situatë shumë të vështirë në të gjithë sektorët dhe u gjetëm me duar të lidhura për shkak dhe të një borxhi të fshehtë prej 720 milion dollarësh, pjesë e të cilit ishte dhe borxhi në sistemin arsimor.

Plot 35 milionë dollarë për shërbime të marra nga të tretët dhe të papaguara. Një infrastrukturë në gjendje shumë të vështirë. 177 mijë nxënës me dije të deformuara për shkak të një politike qorre punësimesh në arsim, jo duke pasur parasysh nxënësin, por duke pasur parasysh partinë, me një analfabetizëm funksional katastrofik 60% dhe me një sistem të arsimit të lartë të transformuar në një sistem grabitjeje të parave të prindërve dhe të ëndrrave të të rinjve.

Ishte e qartë që ajo çka kishim detyrë ishte të çelnim procesin e një operacioni shumë të thellë e jashtëzakonisht të dhimbshëm edhe në arsim. Të thellë për të operuar një sistem të tërë kanceroz, metastazat e të cilit ishin përhapur kudo, e të dhimbshëm për shkak të vështirësisë së jashtëzakonshme që një operacion i tillë krijon për të gjithë, duke e bërë frymëmarrjen jashtëzakonisht të mundimshme, në kushtet kur për shumë vite të tëra, i gjithë sistemi kishte hyrë në një inerci prej lëngate dhe ku nga njëra anë, fëmijët dhe të rinjtë e përshkonin rrugëtimin e tyre me kërkesat më të ulëta të mundshme për cilësi, e nga ana tjetër, mësuesit e përshkonin çdo vit me një motivim të rënë në minimume historike.

Kur flasim për mësuesit, kur flasim për mjekët, kur flasim për punonjësit e administratës, nuk flasim thjesht për njerëz që kryejnë një detyrë, por flasim për qytetarë që kanë familjet e tyre, kanë buxhetet e tyre familjare, kanë dëshirat dhe vuajtjet e tyre të përditshme, e si të tillë, përfshihen në një proces reformash që i prekin jo vetëm në sektorin ku punojnë, por i prekin në mënyrën e të qenit të vetë familjes. Sepse çdo reformë që ne kemi ndërmarrë ka qenë e lidhur drejtpërdrejtë me familjen dhe me një stres të shtuar për shkak të adoptimit me një situatë të re.

Me një situatë të re ku që nga korrektesa në pagimin e faturës së dritave dhe deri tek domosdoshmëria për të respektuar semaforin, përbën një tërmet në mënyrën e të jetuarit në shoqëri.

Unë dua të përsëris këtu për hirin e të vërtetës, por dhe për inatin e gjithë atyre që pasi kanë dështuar për vite të tëra, kanë drejtuar gishtin e akuzave pa i kursyer edhe fyerjet ndaj ministres së arsimit, - duke përsëritur dhe këtu që është falë lidershipit të ministres së arsimit, një vizioni të dakordësuar që në shkrimin e programit, por dhe një mënyre shumë efikase të të drejtuarit të këtij sektori, - që ne sot jemi në kushte të tilla ku mund të themi, që në arsim kemi shënuar një kthesë historike në çdo aspekt. E kur them kthesë historike nuk them që kemi arritur aty ku ne synojmë të arrimë, por them që kemi marrë kthesën në drejtimin e duhur për ta transformuar arsimin në Shqipëri në një instrument të fuqishëm rritjeje ekonomike dhe rritjeje shoqërore.

Prandaj dua ta falënderoj dhe këtu para jush sot ministren, e cila ka provuar se një zyshë si të gjitha gratë dhe vajzat këtu, mundi të bënte në krye të ministrisë së arsimit atë që një karvan i tërë burrash me grada shkencore, nuk e bënë dot kurrë, për 20 e kusur vite me radhë. Hynë në atë ministri me kraharorin plot me dekorata nga më të ndryshmet e siç hynë, dolën, duke lënë pas vetëm bilancin e një rrënimi të mëtejshëm të gjithë sistemit tonë arsimor.

Mjafton të shikojmë rezultatet e operacionit të reformës së nisur në arsim për ta konfirmuar katërcipërisht me fakte këtë që sapo thashë, duke filluar nga tekstet. 650 tekste që u fshinë nga bankat, falë pjesëmarrjes së të gjithë mësuesve, që për herë të parë patën të drejtën të japin mendimin e tyre për ato tekste. Tekste me të cilat u detyruan për vite të tëra, me një imponim absurd nga lart, të jepnin mësim, ku mësuesit të parët, ishin të vetëdijshëm se nuk po bënin gjënë e duhur.

Mjafton kjo për të përfytyruar se çfarë vështirësie keni pasur ju dhe gjithë kolegët tuaj për të motivuar veten në rrugën e një mësimdhënieje me një cen kaq të madh themelor, tekste jashtë çdo standardi. E sot, nëse ne flasim për Shqipërinë e gjeneratës tjetër, mjafton t’ju vëmë përpara të gjithë atyre që duan një shembull të kuptimit të këtij koncepti, tekstet me të cilat jepet mësimi, për të kuptuar dallimin. Sot, fëmijët e këtij vendi, mësojnë me të njëjtat tekste që mësojnë fëmijët në Angli apo kudo qoftë në Bashkimin Europian. Nuk janë të diskriminuar në start, nga një imponim krejtësisht i papranueshëm për të mësuar me tekste që nuk kishin lidhje fare me standardet dhe me ambiciet e një vendi europian. 

4000 mësues pa arsim përkatës ose jashtë profilit merrnin rrogën dhe ata që i kishin vënë dhe i kishin lënë në vendin e punës duke i paguar çdo muaj, as nuk kishin marrë ndonjëherë përsipër të llogarisnin se çfarë dëmi kolosal iu bëhej çdo ditë fëmijëve në klasë, për shkak të këtyre mësuesve.

11 mijë mësues në rang Republike janë trajnuar në të gjithë Shqipërinë dhe faktikisht brenda vitit të ardhshëm, 290 mijë nxënës dhe 35 mijë mësues do të jenë pjesë e një sistemi, ku shkolla i përket që në faqen e parë të çdo teksti të këtij shekulli dhe ambicies të këtij vendi për të qënë një vend normal dhe anëtar i BE.

Ju jeni dëshmitarë sesa e vështirë ishte jo për t’u futur në punë, por edhe për të mbajtur vendin e punës sepse një ditë të bukur krejt papritur me një urdhër, ju duhet ta linit vendin e punës për të shkuar diku tjetër dhe për t’i hapur rrugë dikujt - që jo se ishte më i zoti se ju, por se paguante apo se kishte mbrapa një parti, - të zinte vendin tuaj.

Përveçse një sistem korrupsioni i shtrirë në çdo qelizë, ky ishte dhe një sistem shkatërrimi për cilësinë e mësimdhënies dhe dijes në shkolla.

Sot nuk jemi në kushtet kur mund të themi se sistemi i ri është perfekt, por jemi në kushtet kur mund të themi me plot gojën se asnjëri nga ju që jeni në këtë sallë nuk është i kërcënuar nga një urdhër qorr që vjen nga Drejtoria e Arsimit për të lënë vendin dhe për t’u nisur në një fshat sa më të largët, mundësisht aq të largët sa të ikni fare nga puna. Ashtu sikundër, kush sot synon të bëhet mësues, nuk mund të kalojë nga dera e drejtorit të arsimit me leket në xhep, por duhet të kalojë nga testimi kombëtar për të zënë vendin që meriton sipas testimit në rankimin e portalit “Mësues për Shqipërinë”.

Janë 4000 aplikantë në vit që kalojnë përmes këtij sistemi dhe ndër ta, ata që punësohen, punësohen vetëm në bazë të meritës së tyre. Sigurisht që jo të gjithë sepse nuk ka vend, sepse askush nuk mund t’i thotë dikujt këtu, çohu ti se do vijë të ulet dikush tjetër. Garantimi i karrierës së mësuesit e kthen mësuesin në figurën që duhet të jetë, i jep mësuesit sigurinë dhe autoritetin që ka dhe e bën mësuesin të paprekshëm nga pushteti politik, pavarësisht bindjeve që mund të ketë dhe pavarësisht se për kë mësuesi voton.

1900 mësues janë sot pjesë e trupës falë këtij sistemi. 1900 gra dhe burra, vajza dhe djem që nuk iu është dashur të paguajnë asnjë qindarkë dhe nuk kanë pse t’ia dinë për nder askujt tjetër, përveç meritës së tyre. Në të njëjtën kohë jemi angazhuar në një proces të edukimit në vazhdim të vetë mësuesve, duke i krijuar kushte që në vazhdimësi të trajnohen dhe të rrisin kapacitetin e tyre dhe jo duke vendosur arbitrarisht për cilësinë e tyre të dijes.

Është reformuar sistemi dhe është unifikuar me Kosovën, gjë të cilën shumë pak ne e themi dhe pothuajse fare të tjerët e marrin në konsideratë, por që përbën një transformim rrënjësor.

Është reformuar i gjithë sistemi parauniversitar dhe është reformuar gjithashtu sistemi universitar. Shikoni se çfarë ndodh sot. Gati - gati një pjesë e shoqërisë sonë refuzon të pranojë diçka që për të gjithë ju kur keni hyrë në universitet ka qënë e padiskutueshme, meritën. Refuzon të pranojë se në universitet nuk mund të shkojnë të gjithë, por mund të shkojnë vetëm ata që e meritojnë dhe se radhën për të hyrë nuk mund ta përcaktojë partia, as mund ta përcaktojë paraja, as mund ta përcaktojë fisi, as mund ta përcaktojë një shans qorr, por e përcakton vetëm rezultati. Rezultati për të cilin ata që hyjnë të parët meritojnë të hyjnë të parët dhe ata që nuk hyjnë të parët, nuk meritojnë të hyjnë të parët. Sot asnjë nxënës nuk e ka të varur fatin e tij dhe studimeve të veta nga faktorë jashtë rezultatit. Ajo që po ndodh sot me hyrjet në universitet është një mesazh i drejtpërdrejtë për prindërit dhe për nxënësit që sot kanë filluar gjimnazin. “Qoftet tek daja” kanë mbaruar. Tani secili angazhohet vetë dhe ta përcaktojë vetë nëse nesër do të jetë në universitet apo do marrë rrugën e arsimit profesional. Nuk është bërë pak edhe për inovacionin. Sot janë 120 klasa, 45750 gjimnazistë dhe 2245 mësues që janë pjesë e arsimit dixhital.

13500 fëmijë më shumë se deri para tre vjetësh përfitojnë tekstet falas dhe kjo përbën një trefishim të kategorive përfituese të teksteve falas. Të gjitha familjet me më shumë se tre fëmijë përfitojnë tekste falas për fëmijët e tyre. Megjithatë, këtu nuk jemi mbledhur për të bërë një bilanc të rezultateve sepse do duhej të flisnim shumë më gjatë për çka kemi bërë, por jemi mbledhur për të bërë me dije që, pikërisht sepse reformat kanë ecur në drejtimin e duhur, - disa reforma kanë filluar të japin rezultate, disa të tjera duan ende kohë për të filluar të japin rezultate, asnjëra nga reformat nuk është e kryer, - por në gjithë këtë proces përtej vullnetit tonë si qeveri, rolin kryesor e ka pasur mbështetja e madhe nga ju, nga njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, nga njerëzit që nuk kanë mikrofona për të folur dhe nuk kanë nge të komentojnë nëpër rrjetet sociale, por që si një shumicë e madhe e heshtur i kanë mbështetur reformat fuqimisht.

Për këtë arsye, unë mendoj se kjo është koha që përtej faktit që ne nuk jemi ende në atë gjendje financiare që do na lejonte ta bënim pa dhimbje këtë që duam të bëjmë, të bëjmë pikërisht këtë, të ndajmë në këtë fazë rezultatet e reformave, suksesin e reformave me njerëzit që i mbështesin.

Për këtë arsye, për herë të parë, në 25 vjet, qeveria shqiptare do vërë në dispozicion 100 milion dollarë për paga, për ata që janë në fund të fundit edhe arsyeja e reformave, si qytetarë, por dhe garancia e reformave, si punonjës të këtij shteti.

100 milionë dollarë për të shpërblyer mundin, sakrificat e dhimbjen dhe mbështetjen e madhe të reformave në kushtet e sotme janë një mal me para për këtë shtet, por janë në të njëjtën kohë një detyrim moral i patjetërsueshëm.

Ne nuk mund të vazhdojmë t’ju themi njerëzve sa përqind po rritet ekonomia, sa janë shumëfishuar të ardhurat për OSHEE-në, sa investime po bëhen për herë të parë për rrjetin e furnizimit me energji, sa vend po zë merita në sistemin arsimor, e sa e sa të tjera.

Në fund të fundit, të gjithë kanë të drejtën të thonë: “Dakord! Po unë ku jam? Unë jam mësues. I kuptoj të gjitha këto, po ku është pjesa ime që unë të ndjehem qetësisht pjesë e këtij procesi e të mirëkuptoj dhe sakrificat që duhen bërë më tutje.”

Kemi pasur një debat shumë të vështirë me FMN, pikërisht për këtë. Sepse logjika e ftohtë ekonomike dhe financiare thotë, nuk është ky momenti i duhur.

Por, nga ana  tjetër, përtej logjikës së ftohtë vetëdija jonë dhe ndjesia jonë shumë e fortë për atë që njerëzit përjetojnë në këtë proces reformash, në një vend ku për 20 e kusur vite u zvarrit për shkak se kush ishte përpara nesh, as nuk i mendoi se mund t’i bënte, e jo më t’i ndërmerrte këto reforma, sot duhet të shkojmë përtej kësaj logjike të ftohtë dhe njerëzit sot duhet të marrin mbrapsht një pjesë të parë të shpërblimit që meritojnë për gjithçka që ne po bëjmë.

Në fakt ju jeni dëshmitarë se nuk është hera e parë, pas 3 vitesh që qeveria vepron për të rritur fuqinë tuaj blerëse. Nuk e kemi rritur fuqinë tuaj blerëse duke rritur rrogën, por e kemi rritur fuqinë tuaj blerëse duke ulur taksat. Vetëm nga ulja e taksës mbi rrogën, mësuesit kanë përfituar një rrogë të 13-të, reale. Ndërkohë që po të shikojmë rritjen e pagave nominale në vitet e mëparshme, të paktën në 4 vite, (2009-2013), ato janë rritje më poshtë inflacionit. Pra kanë rritur nominalisht rrogën, por jo fuqinë blerëse. Fuqia blerëse e një mësuesi ra në vitet 2009-2013.

Sot rritja e rrogës që ne kemi projektuar, duke filluar, besoj, nga 1 Marsi i vitit tjetër, është rritje reale mbi inflacionin e parashikuar, pra rritje e drejtpërdrejtë e fuqisë tuaj blerëse.

Konkretisht është një rritje prej të cilës përfitojnë 34630 punonjës arsimorë, të cilët marrin 18 milion dollarë nga 100 milionëshi i përgjithshëm.

Praktikisht përfitojnë jo vetëm mësuesit, por dhe pedagogët. Ministrja e tha dhe unë po e rithem: Në sistemin universitar nuk është prekur rroga që nga viti 2005. Një gjë e pakonceptueshme. 

Janë 5 milionë dollarë në këtë shumë që shkojnë për rritje pagash në sistemin universitar publik. Një rritje pagash në total, e cila po të shikoni gjithë ecurinë e pagës suaj është më e larta e të gjitha kohëve. Këtu nuk po ju them se është një rritje që mjafton. Të jeni të sigurt që nëse ne vazhdojmë sëbashku me të njëjtën vendosmëri të përballojmë vështirësitë e sakrificat e reformave përsëri do të vijë dita që të ketë një tjetër rritje.

Ne duam që në radhë të parë, policët, mësuesit, mjekët dhe infermierët të kenë pagat më të mira në rajon. Ky është objektivi ynë dhe jemi me këtë rritje pranë këtij objektivi, - kapërcejmë ndonjë vend të rajonit, - por objektivi mbetet që pagat më të mira në rajon t’i kenë mësuesit, mjekët, infermierët dhe policët shqiptarë. Janë tre figura pa të cilët s’ka shtet. Janë tre figura pa të cilat s’ka vazhdimësi normale në rrugën për të ndërtuar një shoqëri të shëndetshme dhe për të ndërtuar raporte të shëndetshme mes gjeneratës tjetër dhe këtyre tre figurave.

Dua ta mbyll duke nënvizuar reformën e gjimnazeve, një reformë që ka nisur këtë vit dhe që është një tjetër bazë që ka nisur të zbatohet këtë vit, sepse kemi punuar dy vjet me radhë dhe është një tjetër bazë shumë e rëndësishme për të forcuar të gjithë platformën mbi të cilën do ngrihet arsimi i gjeneratës tjetër.

Rezultatet e përmendura nga ministrja, duke iu referuar indikatorëve të konkurrencës globale janë shumë domethënëse. Unë pres me padurim edhe rezultatet e PISA-s, ku për fat të keq Shqipëria ka qënë një “qamet” në kuptimin më të plotë të fjalës qamet. Nuk e di një fjalë tjetër të shqipes, prandaj më duhet ta përdor nga shqipja e turqizuar “qamet’.

Jam i bindur që edhe tek PISA ne do të shikojmë përmirësim, por të gjitha këto përmirësime janë vetëm fillimi sepse e gjithë kjo reformë rrënjësore që ka përmbysur një sistem të tërë arsimor nga klasa e parë deri në universitet, kërkon disa vite më shumë për të dhënë frute të qëndrueshme në vijimësi. Përtej të gjitha atyre që thuhen, që nuk janë të gjitha të pavërteta lidhur me nivelin e mësuesve në Shqipëri, një gjë është e sigurtë, ne sot kemi një trup mësuesish që mund ta përballojë me sukses të plotë sfidën për t’u ngritur cilësisht në lartësinë e ambicies për arsimin e gjeneratës tjetër sepse nuk janë individët që mund ta korruptojnë një sistem, por janë sistemet që korruptojnë individët. Kur flas për korruptim nuk flas vetëm për korruptimin financiar, por në radhë të parë korruptimin moral dhe sistemi ynë arsimor ai që ne trashëguam ishte një sistem i korruptimit moral që demotivonte çdo mësues për të kërkuar nga vetja më shumë dhe për t’i dhënë nxënësve më shumë. Që e ktheu mësuesin nga një autoritet themelor në jetën e një fëmije, në një figurë qesharake në sytë e fëmijëve, por me koston që fëmijët të humbisnin shansin e një gjenerate. Parafytyrojeni sikur kjo reformë në arsim të ishte bërë 20 e ca vite më parë. Parafytyroni sikur 20 e ca vite më parë të mos ishte varrosur merita, funerali i së cilës u bë me mitingje, me aklamacion, me krenari, duke i’u thënë të gjithëve: Bota është e juaja, merita s’ka pikë rëndësie.

Parafytyroni sikur 20 e ca vite më parë prindërve dhe fëmijëve t’iu ishte bërë e qartë që në rrugën e jetës nuk ka vetëm një korsi, “o universitet o s’ka”, por ka dy korsi, universiteti për ata që e kanë atë ambicie dhe e meritojnë dhe arsimi profesional për ata që mund të mos e kenë atë ambicie dhe përmes rrugës së marrjes së një zanati mund të bëjnë një jetë po aq të denjë dhe po aq të mirë sa ata që janë me shkollë të lartë.

Parafytyroni sikur në 20 e ca vite ne të mos kishim projektuar shtetin e juristëve në çdo metër katror, po të kishim projektuar shtetin e dijes dhe zanateve, - se ku do ishim sot, se çfarë do ishte sot tregu ynë i punës, sesa atraktivë do ishim ne sot edhe për investimet e huaja, në një vend ku botërisht dihet, e kanë ditur të gjithë sepse edhe e kanë thënë, mund bëjmë një turizëm ekselent dhe ku në njëzet e ca vite s’bëmë asgjë për të formuar njerëzit që e bëjnë turizmin ekselent, se nuk e bëjnë ekselent turizmin vetëm dhuratat e Zotit, po e bën e gjithë sistemi i mikpritjes së një vendi.

E kemi ditur ne të gjithë, e kanë ditur edhe ata që e shkatërruan me konsensus, duke ia lënë stafetën njëri-tjetrit, arsimin që Shqipëria është e pasur me naftë, por parafytyroni sikur 20 e ca vite më përpara të ishte menduar që Shqipëria të kishte jo vetëm inxhinierët, por dhe teknikët, zanatçinjtë e atij sektori. Nuk do ishim në kushtet kur kompanitë e huaja që vijnë për të shfrytëzuar burimet tona t’i merrnim të gjitha nga jashtë edhe të shkonin të kërkonin në Kanada ku janë inxhinierët e Enver Hoxhës, se këtu inxhinier nafte të rinj ose teknikë nafte në dispozicion nuk ka dhe detyrohen që të bëjnë investimet dhe paralelisht të hapin ata kurse për të trajnuar të rinjtë tanë. Ndërkohë që të rinjtë tanë duhet të ishin në radhë njëri më i mirë se tjetri për t’u punësuar në këto ndërmarrje dhe kështu me radhë.

Përsëa i takon bujqësisë, ne i kemi ne të gjitha për të bërë një bujqësi të vetëmjaftueshme, jo vetëm që mos të ketë një fshat të varfër, një familje fermere të varfër, por të jetë motor i ekonomisë për eksport. Por më thoni a mendoi njeri 20 e ca vjet për të hapur një shkollë për teknikë bujqësie se nuk po diskutojmë gjëra më të mëdha. Mjafton të shkoni e të shikoni Universitetin Bujqësor, një universitet ekselence i transformuar në një territor të pazot dhe nuk dihet dhe nuk gjendet dot ku është kufiri midis deleve që rriten atje në programin eksperimental dhe atyre që zdërhallen nëpër kafene të ndërtuara brenda territorit.

Si mund të ndërtohen kafene brenda territorit ku zhvillohet programi eksperimental për një nga zërat më të rëndësishëm të ekonomisë së një vendi dhe për një nga burimet më të sigurta të rritjes ekonomike dhe sociale të një vendi. Natyrisht, tre vjet janë absolutisht të pamjaftueshme për të bërë që ç’do sektor të na japë sot, ato rezultate që do t’i kishim sot, nëse do t’i kishim bërë reformat 20 vjet më parë. Por tre vjet janë të mjaftueshme për të vendosur bazën për të kultivuar terrenin dhe për të mbjellë farën e të ardhmes dhe ne këtë e kemi bërë dhe po e bëjmë ç’do ditë.

Unë i mirëkuptoj njerëzit e stërlodhur nga 20 e ca vite pritje, e mirëkuptoj padurimin e tyre por unë nuk do t’i mirëkuptoj kurrë ata që i hapën këto plagë dhe që na tregojnë me gisht thellësinë e këtyre plagëve. Këtë s’mund ta mirëkuptoj dot. Skam si ta mirëkuptoj. E nëse që ditën e parë ne kemi vënë fokusin tek arsimi dhe tek kjo reformë në arsim kemi bërë atë që nuk e bënë tjerët për një arsye shumë të thjeshtë sepse arsimi nuk është një fushë ku t’i mbjell sot dhe ç’do gjë që mbjell e korr në fushatë. Madje  arsimi është një fushë ku sa më shumë ti guxon të mbjellës sot për të ardhmen, aq më shumë ti rriskon në kutitë e votimit qoftë edhe për arsyen që ata të cilët e kanë me të dëgjuar që s’ka nevojë të kesh mesatare, s’ka nevojë të kesh rezultat në maturën shtetërore se si i ke si nuk i ke, bëhesh jurist, me të drejtë mund të thonë, “po pse duhet ta hamë ne tani?” “Pse duhet ta paguajmë ne tani”.

Por ka gjithmonë një moment për të thënë mjaft. Është ai momenti kur, patjetër që të gjithë sëbashku duhet të paguajmë çmimin e lartë të prapambetjes dhe taksën e rëndë të së shkuarës. Që kjo taksë e rëndë e të shkuarës të mos bëhet gjithmonë e më e rëndë, duhet bërë kjo që po bëjmë sot. Është pak, por e sigurtë, që nëse një gjeneratë, ajo që lindi kur ra regjimi i vjetër, sot mund të quhet me plot gojën “gjenerata e shanseve të humbura”, gjenerata që sot fillon klasën e parë, nuk do jetë gjeneratë e shanseve të humbura. Pak rëndësi ka, nëse kjo kushton nga pikëpamja elektorale apo nuk kushton.

Por ajo që është më e bukura në këtë histori, është që shumica dërrmuese e shqiptarëve janë për këto reforma. Sepse janë prindër që në mos e kuptojnë, që të gjithë e ndiejnë që nuk mund të jetë kjo që është sot e tashmja e tyre dhe e ardhmja e fëmijëve të tyre.

Unë kam shumë besim që ne do t’i vazhdojmë sëbashku reformat, ashtu sikundër kam bindjen që këtë rritje pagash, ju do ta kuptoni më shumë se sa një shumë parash që do shtohet në rrogën tuaj. Do ta kuptoni ashtu siç është në të vërtetë. Nuk është thjesht një shumë parash që ne po shtojmë në rrogën tuaj, nga buxhetit i përbashkët që krijohet me taksat tuaja. Por është më shumë se kaq. Është shprehja e një detyrimi moral, që është njëkohësisht dhe një thirrje për ju. Thirrja që secili ka diçka të rëndësishme në dorë kur punon për shtetin. Ka diçka që në dukje mund të jetë shumë më e parëndësishme se ajo që ka në dorë Kryeministri apo ministrja e Arsimit, por në të vërtetë është po aq e rëndësishme, sepse nëse atë që gjithkush ka në dorë kur punon për shtetin, e bën si duhet, atëherë i gjithë shteti bëhet si duhet. Por nëse disa e bëjnë e disa nuk e bëjnë, e më shumë nuk e bëjnë se sa e bëjnë, edhe shteti nuk është gjëkundi ai që duhet, le të jetë kush të dojë Kryeministri, le të jetë kush të dojë qeveria, le të kenë qëllimet më të mira, e le të punojnë ditë-natë, nëse kjo nuk është një punë e përbashkët.

E në këtë proces të rritjes së rrogave, ne thjesht po ndajmë suksesin me ju. Atë që ne e konsiderojmë sukses duke parë shifra, duke parë gjithë lëvizjet pozitive në çdo sektor, por që për t’u konsideruar sukses dhe nga ju, me plot gojën, duhet ta shikojë dhe familja juaj. Duhet ta shikojë në rritjen e buxhetit të saj. Duhet ta ndiejnë dhe fëmijët tuaj në rritjen e mundësisë së secilit prej jush, që mos i dridhet dora kur duhet t’i bëjë fëmijës një dhuratë për ditëlindje. Mos t’i dridhet zemra kur të mendojnë çfarë do bëjnë për pushime apo si do e kalojnë vitin e ri.

Me shumë mirënjohje për ju, dhe jo me mirënjohje formale, sepse më besoni, e kam shumë të qartë se çfarë vështirësie ka të jesh sot mësuese, unë ju falënderoj shumë për vëmendjen dhe gjithë këtë heshtje duhet ta marr si solidaritet.

Shumë faleminderit!

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Media britanike “Daily Express”: Shqipëria perla e fshehur evropiane, duhet të jetë në krye të listës suaj të udhëtimeve

Media britanike “Daily Express”: Shqipëria perla e fshehur evropiane, duhet të jetë në krye të listës suaj të udhëtimeve