Është momenti i vajtimit të Avni Rustemit të vrarë në më 22 Prill të vitit 1924 dhe për t’u zhvarrosur në vitin 1982 për t’u nderuar dhe njëherë nga nga regjimi i asaj kohe.
Për studiuesit Dervishi, Rustemi u himnizua deri si kult fetar. Trupi iu balsamos me mjeshtëri dhe u ruajt si ai i Leninit.
Por për Dervishin gjithë këto procedura ishin të gabuara sepse u kryen për një njeri që nuk e meritonte këtë respekt, pasi ishte një personazh që në mendjen e tij kishte vetëm vrasjen.
(Foto nga Kastriot Dervishi)
Ja cfarë shkruan Kastriot Dervishi
“Avni Rustemi është një person që nuk mbahet mend për ndonjë gjë të rëndësishme, përveçse vënien në zbatim të metodave terroriste, atë të përligjjes së vrasjeve me çdo lloj justifikimi, si dhe të keqpërdorjes së rinisë. Pas aktit terrorist të Parisit më 13.6.1920 ndaj ish kryeministrit Esat Toptani dhe kalimit në një proces të çuditshëm të drejtësisë franceze, Rustemi erdhi në Shqipëri. Kapërceu misionin dhe nga një njeri i porositur për një vrasje u fut në politikë duke u zgjedhur deputet në rrethana të dyshimta, pasi humbi qartësisht në zonat të tjera (në vitin 1923 kandidohej më shumë se në një zonë zgjedhore).
Në veprimtarinë e tij shkatërrimtare për shtetin shqiptar sidomos në drejtim të keqedukimit të rinisë dhe administratës, ai nuk u ndal. Mendonte se vetëm me vrasje mund të arrinte synimet e veta politike. Porositi vrasje të tjera në drejtim të Ahmet Zogut dhe familjeve si Vlora apo Libohova. Si rezultat, erdhi një reagim tjetër që lidhet me filozofinë popullore “ç’të mbjellësh do korrësh”. Më 20 prill 1924 Avni Rustemi u plagos nga Isuf Reçi. Dy ditë më vonë nga plaga e vetme e marrë vdiq në spitalin e Tiranës.
Për të u zhvilluan dy ceremoni varrimi, në Tiranë dhe në Vlorë. Filluan më 28 prill 1924 me ceremoninë e zhvilluara në sheshin para xhamisë së vjetër në Tiranë. Arkivoli me trupin e tij të balsamosur udhëtoi në Durrës, e prej andej me vaporin “Beogradi”, nën flamujt jugosllavë e shqiptarë, mbërriti në Vlorë, të martën e 29 prillit 1924. Ceremonia e varrimit u zhvillua të mërkurën e 30 prillit 1924. Figura e të vrarit mori përmasa të mëdha, aq sa shtypi antiqeveritar shkruante se varri i Avni Rustemit do të bëhej si Meka ose Jeruzalemi. Pas mbajtjes së fjalimeve të ashpra para kufomës dhe zemrës së Rustemit të vendosur në një enë qelqi, ithtarët e Rustemit organizuan tri mbledhje në sallën e bashkisë së Vlorës.
Vendi i prehjes së Avni Rustemit ishte menduar një tip bodrumi në qendër të Vlorës, i cili u nderua për vetëm 6-7 muaj. Më pas kaloi një heshtje 58-vjeçare. U desh viti 1982 kur për varrin e Avni Rustemit u interesua ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai. Trupi i Avni Rustemit ishte balsamosur me shumë cilësi nga doktor Sazai Çomo. Përveç kësaj arkivoli ishte izoluar më së mirë, duke mundësuar që trupi të mos dekompozohej. Në pjesën e sipërme të kokës ai kishte një xham për t’u shikuar, ndërsa vendi i varrimit ishte një dhomë nëntokësore, e përshtatur për të bërë homazhe raste. Ndonëse duket disi e çuditshme, nuk përjashtohet mundësia e imitimit të balsamosjes së Leninit në Moskë. Kapaku i dhomës varr u hap në orën 13.00 të datës 8.10.1982. Ishin të pranishëm disa emra të njohur të historisë, ministra dhe drejtues të pushtetit vendor. U bë dezinfektimi dhe u vendos rihapja dy orë më pas.
Fillimisht regjimi fashist, e më pas ai komunist, e nderuan Avni Rustemin me emra rrugësh, shkollash, bustesh dhe monumente. Secili sipas interesave të veta, fashistët e shikonin si antizogist, ndërsa komunistët përveç kësaj edhe si revolucionar kundër shtresave të pasura, etj.
Asgjë nuk ka ndryshuar edhe sot, kur i adhuruari nga fashistët dhe komunistët nderohet me emra, buste e shtatore.
Bashkëlidhur fotot e viteve 1924 dhe 1982"
Redaksia Online
(d.b/Shqiptarja.com)