Indrit Taullai i dënuar me 25 vjete heqje lirie për akuzën e tre vrasjeve dhe i vlerësuar nga prokuroria si anëtar i grupimit të drejtuar nga Lulzim Berisha, ka lënë qelinë e burgut dy ditë më parë, me argumentin se vuan nga një sëmundje e zemrës.
Me këtë vendim lirimi, Taullait i “falen” 11.5 vite burgim. Vendimi është marrë nga kolegji penal i kryesuar nga Edmond Islamaj, i cili vendosi rrëzojë dy vendime gjyqësore atë të 19 majit 2016 të gjykatës së Elbasanit dhe 25 janarit 2017 të Apelit Durrës.
Këto gjykata kanë argumentuar se rrethanat e sëmundjes së zemrës nuk janë të mjaftueshme për lirimin e të dënuarit Taullai pasi nuk plotësohet qëllimi i ligjvënësit në dispozitën e parashikuar nga neni 478 i K.Pr.Penale si dhe interpretimit të bërë në praktikën gjyqësore.
Veç kësaj thonë gjykatat, rreziku i sëmundjes duhet të jetë real, tejet i rëndë dhe i avancuar sa që personi të mos reagojë ndaj trajtimit mjekësor. Kjo gjendje e kërkuesit nuk është përshkruar si e tillë nga ekspertët mjekoligjorë, ndaj kërkesa nuk mund të pranohet.
Gjithashtu dy gjykatat konstatojnë se në raste analoge apo me semundje më të rënda se ajo nga e cila vuan i dënuari Taullai, ky spital ka pranuar se trajton çfarëdo lloj sëmundje nga të cilat vuajnë të dënuarit, pasi ka marrvëshje me spitale private të specializuara për trajtimin e tyre. “…Gjithashtu, përcaktimi që i jep dispozita e nenit 478 të Kodit Pr.Penale nuk është detyruese për Gjykatën…”-thonë gjyqtarët e Elbasanit dhe të Durrësit.
Lirimi nga Gjykata e Lartë
Pavarësisht këtyre argumentave në 29 qershor 2017 Gjykata e Lartë vendosi të pranojë kërkesën e avokatit Alban Bengasi dhe një sërë analizash mjekësore, të cilat vërtetonin se Taulla ndodhej në gjëndje kritike për jetën dhe se trajtimi i tij mjekësor, duhet të vijojë në kushte shtëpiake dhe jo në spitalin e burgut apo në reanimacionin e kardiologjisë pranë QSUT.
Tashmë tre anëtarët e bandës së Durrësit të dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda me burgim të përjetshëm Lulzim Berisha, Indrit Taulla dhe Plarent Dervishaj ndodhet të lirë. I vetmi që po qëndron në qeli me burgim të përjetshëm është Indrit Dokle.
Dervishaj ka qënë personi i parë që i ka shpëtuar akuzave të rënda të prokurorisë, pasi në Prill 2015 Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda i pushoi akuzat për vrasje.
3 të dënuarit përjetë jashtë qelive të burgu
Mësohet se pas Dervishaj, Lulzim Berisha dhe Indrit Taullai i janë drejtuar paralelisht gjykatës së Durrësit dhe Elbasanit me një kërkesë për “Lirim me kusht” dhe “Lirim i të burgosurit”. Teksa Lulzim Berisha humbi betejën e parë në gjykatën e Durrësit, ai mundi ta fitojë atë në 13 dhjetor 2016 në gjykatën e Apelit Durrës, ku treshja e gjyqtarëve Arben Vrioni dhe me anëtarë Petrit Çenon dhe Anita Micin renditi nëntë argumente në favor të lirimit të Lulzim Berishës, ku më kryesori ishte kushti i kryerjes së masës ¾ të dënimit prej 25 viteve burgim, sipas përcaktimit të nenit 64 të Kodit Penal.
Mësohet se 43 ditë nga lirimi i Lulzim Berishës, shoku i tij Indrit Taullai nuk ka mundur të fitojë lirinë nga gjykata e Apelit në Durrës, edhe pse i kishte paraqitur gjykatës një sërë analizash mjekësore se vuante nga sëmundja e zemrës, për të cilën mjekët kanë dhënë epikrizën “Sindrom koronar akut”.
Taulla një pjesë të dënimit e ka vuajtur në burgun e Peqinit. Sipas gjykatës së Apelit Durrës, nga dinamika e vuajtjes së dënimit kërkuesi Taulla ka vuajtur 13.5 vjet burgim. Në vitin 2016 Indrit Taulla, kërkoi lirimin nga vuajtja e metejshme e dënimit me burgim, për shkaqe shëndetësore duke pretenduar se për këtë shkak, vazhdimi i burgimit mund ti rrezikonte jetën e tij. Në funksion të kësaj kërkese, i dënuari nëpërmjet mbrojtesit të posaçëm të tij, paraqiti disa prova shkresore si dhe kërkoi që Gjykata të caktonte mjekë specialistë nga IML-ja Tiranë, për të vërtetuar rrezikshmërinë e sëmundjes së të dënuarit.
Sipas përgjigjes së datës 18 mars 2016 nga mjekët e IML, në mënyrë të përmbledhur, provohet se sëmundja nga e cila është disgnostikuar dhe është duke u trajtuar aktualisht në kushtet e reanimacionit qëndror pranë Qëndrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë, shtetasi i burgosur Indrit Taulla rrezikon jetën e tij në kushtet e vuajtjes së dënimit në burg. “…
Kushtet shëndetësore kërkojnë kujdes të vazhdueshëm nga shërbimi shëndetësor jashtë kushteve të burgut, pasi nuk mund të trajtohet nga Spitali i Burgut në Tiranë…”-thonë mjekët. Mjekët kanë pohuar se: “..Mjekimi i kërkuesit po kryhet në qendrën reanimatore të Spitalit “Nënë Tereza”.
Sëmundja nga e cila vuan kërkuesi e pengon qëndrimin e tij në kushtet e bëurgut.Jeta e kërkuesit në burgim është e rrezikuar...”. Indrit Tallai është dënuar nga gjykata e Lartë për vrasjen e Eduart Ongari, ndodhur më 5 korrik 1999, Marsel Sotira, ndodhur në 22 gusht 999, Dritan Disha ndodhur në 9 korrik 2000, “Rrëmbimit ose mbajtja peng e personit”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”. Taullai është akuzuar dhe gjykuar në gjykatën e Durrësit për akuzën e “Shfytëzimit të prostitucionit në rrethana rrënduese” në dëm të shtetases V.J por kjo akuzë është pushuar në vitin 25 janar 2012 nga gjykata e Apelit Durrës, me argumentin se nuk vërtetohet fajësia.
(D.T/Shqiptarja.com)