​Ndërron jetë akademikja e njohur
Afërdita Veveçka Priftaj

​Ndërron jetë akademikja e njohur<br />Afërdita Veveçka Priftaj
Ka ndërruar jetë në moshën 69-vjeçare akademikja Afërdita Veveçka Priftaj. Akademia e Shkencave të Shqipërisë njofton se Veveçka ndërroi jetë pas një sëmundjeje të rëndë më 4 korrik 2017 në Vjenë të Austrisë.

Fizikantja e njohur lindi më 21 janar 1948 në Berat në një familje intelektuale. Është diplomuar më 1970 në degën e fizikës 5-vjeçare në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës dhe pas studimeve u emërua pedagoge pranë katedrës së fizikës së përgjithshme pranë këtij fakulteti, kurse pas vitit 1990 si pedagoge në departamentin e fizikës të Universitetit Politeknik të Tiranës. Në vitin 1982 fiton gradën “Doktor i shkencave”, kurse më 1994 merr titullin “Profesor i asociuar” dhe më 1999 “Profesor”.

Më 2008 zgjidhet “Akademike e asociuar” pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Akad. asoc. Afërdita Veveçka ka një përvojë të pasur jo vetëm në mësimdhënie, por edhe në kërkimin shkencor në fushën e materialeve, veçanërisht për nanomaterialet dhe nanoteknologjinë, falë kualifikimit pasuniversitar dhe specializimeve të shumta në universitete prestigjioze jashtë vendit, si në Universitetin e Kalifornisë së Jugut në Los Anxhelos, në Universitetin e Kembrixhit dhe të Oksfordit, të Klausthalit dhe të Erlangenit në Gjermani, të Limerikut në Irlandë, në Qendrën Ndërkombëtare të Fizikës në Trieste, në Institutin Mbretëror të Teknologjisë në Stokholm.
 
Ajo ka marrë pjesë aktive në realizimin e disa projekteve të përbashkëta me bashkëpunëtorë në stafe të kualifikuara të institucioneve shkencore evropiane në fushën e materialeve me Universitetin e Stavangerit të Norvegjisë, me Universitetin Jagellonian në Krakov të Polonisë dhe me Universitetin e Ankonës në Itali.

Gjithashtu ka qenë koordinatore e shumë projekteve shkencore në kuadër të Programit Kombëtar për Kërkim dhe Zhvillim si dhe për disa projekte të bashkëpunimit dypalësh të Shqipërisë me Italinë, Austrinë, Greqinë, Slloveninë. Falë përvojës së pasur në fushën e kërkimit shkencor, Komisioni Europian e ftoi si eksperte për vlerësimin e projekteve TEMPUS për thirrjen e 6-të.

Ajo u zgjodh në bordin botues të revistës ndërkombëtare “Materials Science and Engineering A”. Gjithashtu akad. asoc. Veveçka ka qenë anëtare e redaksisë së revistës JNTS (Journal of Natural and Technical Sciences) të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Homazhet në nderim të jetës dhe veprës të zonjës Afërdita Vevecka "Akademike e Asociuar", do të zhvillohen ditën e shtunë, datë 8 korrik 2017, ora 11.00-12.00, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë!

(D.T/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?



×

Lajmi i fundit

Çfarë synon vizita e Presidentit kinez në Serbi?

Çfarë synon vizita e Presidentit kinez në Serbi?