Bashkia e kryeqytetit ka lajmëruar sot nismën “Tirana pa makina”, e cila do të kulmoi më 22 shtator, ku qendra e qytetit do të kthehet në pedonale. Kryebashkiaku, Erion Veliaj ka promovuar këtë nismë, ku i shoqëruar edhe nga përfaqësuesit e “Ecovolis”, ka përdorur sot biçikletën në vend të makinës për të sensibilizuar qytetarët që të përdorin sa më pak makinën.

“Jam shumë i lumtur që sot fillojmë një javë fantastike për Tiranës, do të jetë java mobilitetit ku duam të promovojmë një jetë të shëndetshme në Tiranë, njerëzve që ecin dhe që përdorin biçikletat. Më vjen mirë që bashkë me Ecovolis, atë që nisëm gjatë fushatës, duam që ta vazhdojmë edhe tani në Bashkinë e re të Tiranës”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku u shpreh se, ai dhe administrata e bashkisë do të përdorin gjatë gjithë “Javës së Mobiliteti” biçikletën për të shkuar në punë.

Ai ka bërë të ditur se nisma në fjalë do të shtrihet në një javë dhe përgjatë këtyre ditëve bashkia dhe organizatat e ambientaliste do të zhvillojnë një sërë aktivitetesh që kanë për qellim që të nxisin qytetarët që të përdorin mjetet ekologjike për të lëvizur në Tiranë.

“Në datën 22 shtator, ditën e martë, ne do të bllokojmë totalisht trafikun në qendër të Tiranës, brenda asaj që quhet unaza e vogël e Tiranës për të pasur një qendër të kryeqytetit pa makina”, tha Veliaj.

Ndërkaq, sot kryetari i Bashkisë së Tiranës urdhëroi kufizimin e qarkullimit të  automjeteve në  sheshin “Skënderbej” në datën 22 shtator, për mbarëvajtjen e aktiviteteve që do të zhvillohen aty gjatë ditës. Nga ana tjetër, qarkullimi i automjeteve, mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit, në 22 shtator do të bëhet i drejtuar sipas planit lëvizës, si më poshtë:
 
• Në kryqëzimin e rrugës “Ded Gjo Luli” me bulevardin “Zogu i I-rë”, drejtim i detyruar djathtas.
 
• Rruga “Ded Gjo Luli”,me drejtim nga bulevardi “Zogu i I-rë” deri në “Rruga e Durrësit” do të kufizohet vetëm me një sens lëvizjeje.
 
• Në kryqëzimin e rrugës “Ded Gjo Luli” me “Rruga e Durrësit”, drejtim i detyruar drejt djathtas.
 
• Në kryqëzimin e “Rruga e Durrësit” me rrugën “Ded Gjo Luli”, drejtim i detyruar djathtas.
 
• Në kryqëzimi e “Rruga e Kavajës” me rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, drejtim i detyruar djathtas.
 
• Në kryqëzimin e rrugës “Luigj Gurakuqi” me rrugën “George Ë Bush”, drejtim i detyruar majtas.
 
• Ura që lidh bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me bulevardin “Bajram Curri” dhe “Zhan D’Ark”, lëvizja e mjeteve nga sheshi  Nënë Tereza – Ura e madhe do të jetë me drejtim  majtas.
 
• Në kryqëzimin e rrugës “Myslym Shyri” me rrugën “Ibrahim Rugova”, drejtim i detyruar majtas.
 
• Mjetet e transportit publik me drejtim  sheshin “Skënderbej” nga “Rruga e Dibrës” do të devijohen në rrugën “Urani Pano”.
 
• Mjetet e transportit publik me drejtim sheshin “Skënderbej” nga “Rruga e Kavajës” dhe “Rruga e Durrësit” do të devijohen në rrugën “Ibrahim Rugova”.