Administrator i OSHEE-së, Adrian Çela zbardhi sot disa nga projektet e kompanisë që lidhen me matësit elektronik dhe kartat me parapagesë të energjisë elektrike. I ftuar në forumin “Smart Balkan”, kreu i OSHEE foli për herë të parë, për idenë e kartave me parapagim të energjisë së konsumuar dhe matur nga matësit elektronik.

“Përveç smart meter kemi nisur vendosjen e disa matësave të tjerë elektronik që u bëjnë të mundur lexuesve të bëjnë këtë veprim në mënyrë automatike. Kjo eliminon të gjitha problemet e mbifaturimit dhe nënfaturimit”, u shpreh Çela.
 
Kreu i OSHEE-së gjithashtu u shpreh se, do të nisë dhe një projekt pilot për printimin e faturave në kohë reale nga lexuesi përmes pajisjeve të veçanta me anë të së cilës do të ulen kostot.

“Duhet të mendojmë smart për të vjel sa më shumë të ardhura por edhe për të ulur shpenzimet pasi kompania ka nevojë për para për investimet. Me vendosjen e matësve elektronike ne do të hedhim edhe kartën me parapagesë të energjisë. Po eksperimentojmë dhe jemi në fazë laboratorike të kësaj ideje. Konsumatorët mund të shkojnë drejt përspektivës që të marrin energjinë me parapagesë”, deklaroi kreu i OSHEE.
 
Ai shtoi se, në javët e ardhshme do të bëhet promovimi i kioskave të informacionit të cilat do të vendosen në ambiente publike, në qendra tregtare në disa qytete të mëdha.

“Fillon në Durrës, Tiranë e Elbasan ndërsa më pas shtrihet në gjithë Shqipërinë. Në këto kioska nuk mund të bëhet vetëm kontrolli i faturës dhe pagesa e energjisë por edhe të bëjë ankesa e të marrë statusin aktual të shqyrtimit”, përfundoi adminsitratori Adrian Çela.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)