Ndër ngjarjet e atyre ditëve në veri, vlejn të veçohen përballjet e komunistëve në Mirditë me forcat kundërshtare të tyre që ishin grumbulluar rreth Mark Gjon Markajt. Dokumentet e zgjedhura për specialen e sotme në Shqiptarja.com, zbulojnë pozitën e vështirë të komunistëve në këtë përballje në Mirditë.
Në dokumentin e parë njoftohet se Mark Gjon Markaj po lëviste lirshëm bashkë me 50 mbështetës të tij dhe po përhapte lajme se Rusia ‘po mbaronte’ dhe se situata politike në Shqipëri do të ndërronte kryekreje me ndërhyrjen e britanikëve dhe amerikanëve.
Më tej Koçi Xoxe përgjigjet se kjo është e pafalshme dhe se duhej të ishin më të mobilizuar për të mos lënë shteg të ndodhte kjo. Më tej dokumentet e tjera raportojnë detaje ditë pas dite deri në prill të 1946 mbi lëvizjet e kundërshtarëve të regjimit në Mirditë, lidhjet e tyre me Shkodrën dhe përpjekjet që po bënin komunistët për të depërtuar me informatorë, me propagandë dhe sulmet e befta të brigadave të Mbrojtjes së Popullit, për ti kapur e spastruar këto zona rebele antikomuniste.
Më poshtë i sjellim të plota këto dokumente të periudhës mars prill 1946.
***
Nr. 233
24/III/46.
Koçi Xoxe
Më datën njëzet e dy mars dyzet e gjashtë në mbrëmje mbasi kanë shkuar dy orë natë, Mark Gjon Markaj me pesdhjetë të arratisur ka hyrë në mëhallën Ndër Shetiroshit mbasi ka okupue shtëpit e vendos rojet ka qëndruer deri dy orë pa dalë drita pastaj asht nisur, duhet të kenë marrë drejtimin fshatit, ka kërvënue katundarët e ka marrë bukë, djathë dy bagëti.
Ka thanë që Rusija e pat mbaroji, asht formue me ne Qeverija Shqiptare me të cilën kemi lidhje, Ballistat Zogistat po pergatiten për kryengritje, mbrënda dy ose tre muajvet fillon lufta e përgjithëshme.
Partija Komuniste nuk ka ma forca me dërgue në Mirditë. Na jemi me Anglo Amerikanët. Forcat janë nisur në ndjekje. Në lidhje me këto lëvizje ju kemi propozuar forcimin e reparteve ose dhe për krijimin e Kompanis shetitëse kundra Mark Gjon Markaj.
Spiro Pano
***
Nr. 24/I Res.
Komitetit Qarkor
SHKODËR
Në gjegje të radjogramit t’uaj Nr.233 dt.24.III.946.
Fakti që ju nuk jemi preokupuar nga dalja e Marka Gjonit në një fshat të Mirditës me 50 veta tregon disinteresim.
E njëjta gjë shihet edhe tek Seksioni i Mbrojtjes.
Ju me këtë rast, në çast, duhet të kishit mobilizuar gjith organizatën për të ndihmuar në maksimum me informata forcat e Mbrojtjes dhe se edhe vetë p.sh. sekretari Politik duhet të shkonte për të ndihmuar shtabin që udhëheq forcat, me anën e organizatës, për çfarosjen sa më parë të tyre. Po këtë gjë duhet t’a bënte edhe shefi i mbrojtjes me kohë për t’i furnizuar me informata nga afër forcat operuese.
Prandaj i është dhënë urdhër gjith forcave ushtarake për t’u vënë në ndjekje të tyre porse organizata duhet të lozij rolin kryesor për të zbuluar bazat e tyre.
Bashkëpunimi i ngushtë midis jush e forcave ushtarake të jetë i plotë.
Na vini në korent të ngjarjeve.
Koçi Xoxe
***
KOMITETI QARKOR I P.K.SH.
Vdekje Fashizmit
Liri Popullit
PËR SHKODRËN
Nr. 10/2 Res.
Shkodër më 16/4/1946
Komitetit Qëndror të P.K.SH.
T i r a n ë
Ju jap nji raport të shkurtë në lidhje me gjëndjen e Mirditës dhe të reaksionit në përgjithsi:
Sikurse përmëndëm dhe në raportin mujor në fund të Marsit shkuam në Mirditë bashkë me Zoin dhe me Komandantin e Divizionit. Atje mobilizuam forcat e Mbrojtjes dhe gjithë shokët e terenit, Antarët e Partisë, kandidatët e të rijtë Komunista, duke krijuar njisite të vogla prej 20 vetash për çdo zonë duke e ndarë Mirditën në tet zona të ndryshme. Këto njisite do të operonin në formë partizane, duke bërë prita, duke kontrolluar shtigjet e pyjeve, duke mos u dhanë asnji minut pushim t’aratisunve.
Nga lajmet që na vinë tashti, situata asht akoma e pa skjaruar mirë. Kemi patur raste përpjekjeje me t’aratisunit ku janë vrarë disa nga ata. Dje bile, në nji përpjekje kundrs Llesh Gjon Markaj (i cili ishte me 6 veta) mbetën të vrarë dy shokë besnik të Marka Gjonit kurse korjeri i tij u kap i gjallë. Nga forcat t’ona nuk pati asnji humbje.
Po kemi patur edhe raste ku t’aratisurit kanë sulmuar njerzit t’anë dhe gjat kësaj kohe që vazhdon operacioni si p.sh. me 9/4/46 reaksionarët u futën në katundin Menshej t’Oroshit, vajtën në shkollë, muarën mësuesin Ndue Gjin Tuci informator i ynë dhe mbasi e torturuan e vranë. Më 12/4/46 vranë Ded Llesh Nikollën kryetar i Kshillit të Perlakut. Tereni ma i dobët në kët krahinë asht Fani, Kthella, Dibroci, Oroshi dhe gjer diku Selita. Bile në kët teren lëvizin ma tepër t’aratisunit. Parulla hidhen her pas here për t’alarmuar popullin dhe për të dizorjentuar forcat t’ona si p.sh. Amerika dhe Anglija më 15 Prill do t’i bjerë Rusisë. Në Shqipni do të zbarkojnë Italianët, komitat Grekë kanë hyrë në tokën Shqiptare, këto du të vijë Anglija dhe do të përzajë Komunistat, në gjithë Shqipninë janë bërë demostrata kundër Qeverisë e tjera. Mark Gjon Markaj ka kaluar nga Arni dhe bashkë me Muharemin do ti bien Kuksit, e tjera. Këto parulla e kanë mpir gjer diku popullin në fillim, kur reaksionarët patën disa suksese: u ilegalizuan 4-5 veta.
Forcat t’ona, me të filluar operacionin bashkë me ndjekjen muarën edhe masa: u dogjën disa shtëpi dhe u internuan disa familje. Si rjedhim disa vet të lëkundur që pregatiteshin t’ilegalizoheshin u tronditën dhe mbetën. Parullat se kjo Qeveri ska forcë filloj të humbasi dhe populli filloj të habitet nga forcat t’ona.
Për t’a thyer propagandën e armikut tashti që forcat t’ona janë në operim bashkë me përpjekjen e shokve të Mirditës bashkë me dërgimin e shokve t’ardhur nga jugu ne do të pregatisim dhe dy ekipe të mira nga Qyteti për të qëndruar atje nja dy tre javë. Këta përpara se ti nisim do ti udhëzojmë mirë për luftimin e parullave t’armikut. Njikohësisht mendojmë t’organizojmë sa ma parë nji meting të gjanë në Shënpal ku do të shkoj ndo nji nga Qarkori dhe nga Pushteti për ti folur popullit prap në kët drejtim. Do ti vimë në ndihmë popullit duke i dërguar ekipe mjeksore, do të nisim nji radio me bateri në Shënpal dhe do të mundohemi t’u japim shokvet të Mirditës sa ma tepër ndihmë duke u qëndruar pranë. Nesër niset për aty Bilali i cili do të qëndrojë disa ditë.
Por për të patur edhe ma tepër suksese dhe për të mos i dhanë asnji minut pushim t’aratisurve, asht mirë të shtohet forca operuse në Mirditë, të paktën edhe me nja 60-80 vetë. Pas mendimit t’onë kjo mënyrë operimi asht ma e mirë për Mirditën.
Në N/Prefektura të tjera. Në Koplik nuk kemi ndo nji gja të re.
Në Pukë ka dhe në disa shënja lëvizje Pashuku. Organizata në bashkëpunim me Mbrojtjen krijoj dhe atje njësitet operuse dhe akoma sot shokët lëvizin t’armatosur krahinë më krahinë kundra tyre. Edhe këtu ndihen disa nga ato parulla ttditës, po jo aq sa atje. Këtu ndo nji prift mundohet ndëpërmjet të fesë të drejtojë popullin pro t’aratisurve. Ja disa parulla të tij, të thëna në kishë: mikun me e mbajtë, se miku nuk qitet jashtë; Krishti ka vujt ndër male dhe duhet të vujmë dhe ne, mos me lakmue pasunin e tjerve për të shpëtue shpirtin, ma mirë me vdekë se sa me i marë tjetrit pasuninë e tjera. Shokët atje murën qëndrim dhe demaskuan këto parulla dhe priftin që i lëshoj. Ay i trembur kërkoj t’arsyetohet se nuk i ka thanë me kët qëllim.
Në Lezhë, në Bregun e Matës shihen disa lëvizje dhe takime të pronarve të Bregut të Matës. Janë vrejtur lëvizje t’aratisurish dhe në Malsinë e Lezhës. Populli (nji pjesë e madhe) nga puna e shokve, ka aritë të mos u japi as bukë, aq sa ata kanë filluar të
vjedhin dhe të plaçkitin natën. Aty janë nja katër vetë të aratisur. Në Zadrimë lëvizin njerzit e Gjon Dodanit të cilët herë pas here kalojnë dhe nga Mirdita ndër afërsitë e katundit Menshat.
Kundra këtyre veprimeve, organizata ka nisë këto dit nji skuadër t’udhëhequr nga shokët më të mirë në Zadrimë dhe nji tjetër në Malsi të Lezhës. Edhe ne këtej pregatisim nji ekip për në Zadrimë.
Shtimi i forcavet në Mirditë do të ndihmojë dhe kët rajon.
Në Shkodër nuk vrehet ndonji gjë me rëndësi. Masat e reja të Qeverisë (urdhënesa me penalitete, pushime të ndonji nëpunsit, burgosja e krejt tregëtarve të tatuar dhe dbimi i tyre dhe nga shtëpija e tyre, çelja e dyqaneve në Lezh, Koplik, Pukë, dërgimi i ekipeve mjeksore e tjera) e afrojnë gjithmonë edhe ma tepër masën puntore me ne. Nuk para ndihen parulla serjoze veç se në tregëtarët, nëpunsa të vjetër, tarafxhinjt shihet shënja e frikës dhe e tërheqjes. Organizata asht e mobilizuar për zbulimin e bazave t’ilegalëve.
Në lidhje me t’aratisurit e Dibrës nuk ndihet gja, kurse në Mirditë flitet kudo se Cen Elezi ka dalë në Mal. Nga sa duket nga lëvizjet e Pashukut e të Marka Gjonit ka nji përpjekje takimi po që këtë përpjekje e bën shumë të vështirë kjo mënyrë operimi i jonë.
P. Komitetin Qarkor
(Spiro Pano)
(vula, firma)
***
Komiteti Qendror i
Partisë Komuniste Shqiptare
Nr. 29 Res.
Tiranë më 18 Prill 946
Komitetit Qarkor të P.K.Sh.
Për Shkodër
Morëm letrën t’uaj Nr. 10/II Res. datë 16 m.v. e cila bën fjalë për lëvizjen e reaksionarve në qarkun t’uaj si dhe për ndihmën që ju i keni dhënë mbrojtëjes me anën e njisiteve që keni formuar në antarë Partije, të rinjë komuniste dhe kandidatë.
Bashkëpunimi me Mbrojtëjen është shumë i mirë dhe i nevojëshëm; por të ruheni që antarët, kandidatët dhe të rijtë komunista të mos i bëni forca efektive të njisiteve që ndjekin kriminelët e që të mos bëjnë asnjë punë tjatër.
Shokët e Partisë, kandidatë dhe të rijtë Komunista, ta ndihmojnë mbrojtëjen me informata, kur është nevoja, t’i udhëheqin forcat për të ndjekur kriminelët dhe për disa prej tyre që paraqitet e domosdoshme për të qëndruar për një kohë me forcat e Mbrojtëjes, le të qëndrojnë.
Nuk duhet që t’angazhojmë të gjithë antarët, kandidatët e të rinjtë komunista dhe t’i dërgojmë me forcat e Mbrojtëjes që të rrijnë nga një muaj ose një kohë më të gjatë dhe të lënë punët e tjera që ka organizata e atij qarku.
Mbrojtëjen duhet ta ndihmojmë, por mos të harrojmë dhe punët e tjera që duhet të bëjnë shokët në terrenin ku janë.
Po në këtë letër shënonin se Bilali do të shkojë në Mirditë për 4-5 ditë, duhet që të matet mirë puna që do bënte ay mbrenda kësaj kohe në Shkodër si dhe puna që do bënjë në mirditë; në qoftë se puna e Mirditës vlen më tepër ose është e domosdoshme, ahere të shkojë; ndryshe të rrijë dhe atje – në vend të tij – të vejë një shok tjatër.
Por me këtë nuk duam t’ju themi se ju nuk duhet të dilni në N/prefekturat, por dalja e juaj të bëhet kur është e nevojëshme dhe vlen të shkoni.
Po kështu edhe për punën e njisiteve në lidhje me Mbrojtëjen, mos ta keq-kuptoni, që të këputni lidhjet dhe të mos i jepni ndihmë, por përkundrazi, kur është nevoja ta ndihmoni edhe me shokë, si me rastin që ngjau kur ju lajmëruam ne që këtej, që shkuat dhe juve vetë.
Shumë mirë keni bërë që keni mobilizuar organizatën për të luftuar parullat dhe për të gjyrmuar kriminelët, por të ruhemi që të mos mbetemi vetëm në këtë punë dhe të tjerat t’i lemë.
Organizatat e Partisë, kanë një seri detyrash, që janë të lidhura njëra me tjatrën dhe nuk mund t’i shkëputim, por do të kemi sukses, vetëm kur puna të vejë mirë në të gjithë sektorët.
P. Komitetin Qendror të P.K.Sh.
(Pandi Kristo)
(firma, vula)