​Sa është e dobishme të mbash një
popull në kthetrat e kërcënimit?

Është e kuptueshme që numëri gjashtëqind mijë i pjesëmarrësve të ishte paracaktuar si planifikim për degët e PD- në qarqe dhe është fare e qartë se pasi të shohin kronikën e filmuar me dron nga lart prej Report TV, zhgënjimi të jetë i madh. Do ishte numëri ai që Basha dhe Berisha do përdornin si armë. Përmes tij do i jepnin vetes të drejtë, siç ja dhanë, të shpallnin protestën e datës 13 maj si referendum. Sa i tillë ishte e tregonin pamjet dhe pjesëmarrësit e kufizuar. U pa se ardhjet ishin ku e ku më të ulta se pritshmëritë. Po dhe nëse pjesëmarrja do ishte shumë e më shumë e madhe, si mund të ishte referendum, kur dimë se në bazë të këtij akti zgjedhor është gjithëpërfshirja?

 Megjithatë, demokratikasit bënë atë që s’pritej, nuk ushtruan dhunë, nuk thyen xhama, nuk çanë goma, nuk i prekën institucionet. Në nivele europiane sjellje ishte dhe policia. Nuk di që ndokush të jetë dhunuar apo ndokujt t’i jetë prekur ndonjë fije floku. Frika në të vërtetë ka qenë e madhe për shkak të namit të keq që kanë skuadronet e kësaj partie, si në pozitë e ashtu në opozitë, të mbushura plot me historira dhune, sulmesh, hedhje në erë të shtyllave të tensionit të lartë, rrahja e gazetarve, dhunimi i qytetarëve dhe policisë. Ka shumë gjasa që shkaku të ketë qenë përmbajtja e organizuar e zemërimit, siç janë po gjasat që njerëzit, mbështetësit tradicionalë të partisë, të ngopur deri në grykë me nxitjen që u bëhet herë pas here që shqiptarët t’i hidhen në grykë njeri-tjetrit. Ushqimi, droga për nxitjen, siç është zakoni i Berishës është fryrja e urrejtjes veri-jug. E ka për zemër, e ka armë këtë argument kundërvënje. Se nga ka gjetur (por se thotë) se Rama i ka fyer veriorët?! Siç e pa edhe vetë, nga pjesmarrja në protestë shqiptarëve këto thirrje luftënxitëse nga një vesh u hyjnë e nga tjetri u dalin. Jemi vëllezër, ndjehemi të tillë, kështu sillemi në botën tonë të ndërthurrur sociale dhe të tillë do mbetemi. U provua kjo kundërvënje edhe në famëkeqin vit 1997, por dështoi me turp.

Kanë kaluar plot 20 vjet dhe është e vështirë të gjesh sot përmes mashtrimeve njerëz naivë për t’u hedhur hi syve.
 Ka aq shkaqe të brendëshme pse nuk ndodhi dhunë, të kokolepsura me arsye të ndryshme, por duket se më e njohura është e do mbetet të qenit, pavarësisht bindjeve partiake, ndërgjegja kombëtare. Institucionet tona të larta jo pak herë janë përdhosur, janë qëlluar me armë, me bojë, me vezë e domate, madje janë grabitur, por duket se kohërat kanë ndryshuar e së bashku me të dhe njerëzit. Berisha nuk gjen dot më skifterë të repareve paramilitare bukoshjane, mamurrse, qerretëse, etj. Ata këtë vend tashmë e duan jo më pak se të tjerët, ndjehen atdhetarë nuk kanë ndërmend ta lënë veten e ndërgjegjen e tyre të përdoren nga të tjerët.

 Protesta vërtet paqësore vlen si dëshmi e mësim që të mos shpifim, siç u kërcënua kryeministri para disa ditësh, “mos i fyej veriorët se për 30’...etj”. Nuk mund të mos ndjejmë zemrim kur shohim se prej tre muajsh mbahet vendi dhe kombi nën kërcënimin e dhunës. Gjithësesi, kthetrat e zgjatura të kërcënimit ndaj shtetit, organeve drejtuese, strukturave të pushtetit, madje dhe ndërkombëtarve, të cilat kulmuan me thirrjen e një skicofreni për të kërcënuar jetën e një përfaqësuesi të lartë ndërkombëtar, nuk bënë të humbej gjykimi. U ruaj qetësia. Berisha do donte shumë të derdhej gjak, që më pas në analet e historisë pluraliste të mos ngelej vetëm ai si njeriu që urdhëroi të derdhej në protestë gjaku i katër vetëve. Kjo s’ndodhi dhe besoj se nuk do ndodhi edhe në të ardhmen. Në protestën e 13 majit u ruajt qetësia, u ruajt paqja sociale, por është po kaq e rendësishme të ruhet edhe harmonia.

 A vlen vallë të pëmendim se duhet gjetur si harmonia ashtu edhe mënyra paqësore për të shkuar të gjitha palët në zgjedhje. Është e mundur të arrihet edhe kjo, vetëm pasi Berisha me Bashën të heqin dorë nga kërkesat e marrëzisë maksimalite, por sidomos nga mostoleranca, abuzimi me të. Parimi i vërtetë i të qenit njeri, i njerzillëkut, është sjellja tolerante, që atyre u mungon. Devotshmëria e rreme, pasojat e mashtrimeve në emër të një pushteti jo për vete por për popullin, e përbetime me dokrra të tjera, i besojnë fanatikët por jo masa e gjerë e qytetarë të emancipuar.

 Protestën vazhdojeni, gëzojuni “Republikës” tuaj, por hiqni kthetrat nga kërcënimi që i bëni shtetit. Urrejtjet e ndezura për shkak të qendrimeve dhe opinioneve të ndryshme janë abuzim që u duhet dhënë fund. Nëse këmbëngulni, thjesht torturoni vendin dhe popullin tuaj. Nuk është aspak e dobishme ta mbani nën kërcënim!

Redaksia Online
B.B/Shqiptarja.com

 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 18 Shkurt, 07:09

    Sulmet nga Berisha, sipas jush a rrezikon SPAK të shkrihet?



×

Lajmi i fundit

Eliminimi nga Champions League, Conceiçao: Episodi i Theos vendosi ndeshjen, ky dështim edhe fytyra ime

Eliminimi nga Champions League, Conceiçao: Episodi i Theos vendosi ndeshjen, ky dështim edhe fytyra ime