Vazhdojnë të shënohen vatra të reja zjarri në vend. Pyjet e Matit janë përfshirë nga flakët pasditen e sotme, ku aktualisht regjistrohen katër vatra aktive në malet jugore të Matit.

Ndërsa dy vatra të tjera zjarri kanë përfshirë masivin pyjorë me Ah, në malin e Gurrës në Bashkinë e Klosit.

Sipërfaqja e tyre nuk është e madhe, por flakët mund të përhapen shpejt të ndihmuara nga era dhe temperaturat e larta.

Drejtori i shërbimit pyjorë në Bashkinë Klos, Jetmir Reçi, tha se punonjësit e bashkisë po i vënë nën kontroll vatrat.

Një tjetër vatër aktive zjarri ka përfshirë malin e fshatit Frankth, në njësinë administrative Komsi në bashkinë e Matit.

Drejtuesi i Shërbimit Pyjorë Mat, tha se kjo vatër është vënë nën kontroll, ndërsa problem mbetet vatra e zjarrit në fshatin Madhesh të njësisë administrative Ulëz.

Në këtë masiv pyjorë me dushqe, janë djegur rreth 10 hektarë, ndërsa është kërkuar ndihmë nga ajri për ta shuar zjarrin pasi terreni është tepër vështirë jo vetëm për mjetet zjarrfikëse por edhe për punonjësit.

mat zjarr
   Foto nga zjarri i rënë në Mat

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com