Qeveria ka miratuar 3 nismat e para të paketës së re ligjore kundër dhunës, që u prezantua të dielën, konkretisht gjobat për pjesëmarrje në tubime të ndaluara, regjistrin elektronik të personave nnë hetim dhe dëmshpërblimet për bizneset e dëmtuara.

Në paketë, parashikohen gjoba 10,000–100,000 lekë për pjesëmarrje në tubime të ndaluara e fshehja të paligjshme të identitetit; 20,000– 200,000 lekë për mosbindje ndaj urdhrave të shpërndarjes, ndërsa në rastet kur personat janë të maskuar, gjoba varion 50,000– 500,000 lekë. Policia do t’i regjistrojë në formë audiovizuale njoftimet për shpërndarje.

Policia mund të aplikojë kufizime të përkohshme në ato që do të njihen si “zona të mbrojtura” dhe përfshihen stacionet, terminalet dhe mjetet e transportit publik, portet dhe aeroportet; perimetri rreth institucioneve arsimore, shëndetësore dhe objekteve të trashëgimisë kulturore apo zona të tjera që me vendim të këshillit bashkiak janë dokumentuar vepra të përsëritura kundër personit ose pronës.

Personat që bllokojnë rrugën gjatë tubimeve do të gjobiten me 5000 lekë.

A K T  N O R M A T I V

PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8773, DATË 23.4.2001, “PËR TUBIMET”

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në ligjin nr.8773, datë 23.4.2001, “Për tubimet”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

Pas nenit 12 shtohen nenet 12/1 e 12/2, me këtë përmbajtje:

“Neni 12/1

Kufizimet e përkohshme rreth objekteve të përcaktuara

1. Kur ka rrezik real, serioz e të afërt, të bazuar në fakte konkrete, për dhunë ndaj personave ose për dëmtime të rënda të pronës, drejtuesi i drejtorisë vendore të policisë, me miratimin e prefektit, mund të ndalojë ose të kufizojë tubimet në një perimetër të përcaktuar rreth institucioneve arsimore, shëndetësore ose shtetërore, për një periudhë jo më të gjatë se 72 orë.

2. Vendimi përcakton saktësisht perimetrin, kohëzgjatjen dhe arsyet, publikohet menjëherë në mënyrë të aksesueshme dhe zbatohet vetëm pas publikimit. Ai mund të rinovohet vetëm një herë, me vendim të ri të arsyetuar.

3. Çdo person i interesuar mund ta ankimojë vendimin në gjykatën administrative, e cila vendos brenda 48 orëve. Ankimi nuk e pezullon zbatimin, përveç kur gjykata vendos ndryshe.

4. Kufizimi nuk mund të përfshijë të gjithë territorin e një njësie të vetëqeverisjes vendore dhe nuk zbatohet ndaj të miturve të shoqëruar nga prindi, kujdestari ligjor ose një i rritur përgjegjës, kur ata kalojnë nëpër perimetrin e përcaktuar për të shkuar ose për t’u kthyer nga shkolla, vendbanimi, institucioni shëndetësor, institucioni i përkujdesjes sociale ose një veprimtari edukative, kulturore apo sportive.

5. Ky nen nuk cenon kompetencën e drejtuesit të komisariatit të policisë për ndalimin ose kufizimin e një tubimi të caktuar, sipas nenit 8, të këtij ligji.

Neni 12/2

Urdhri i largimit nga zonat e mbrojtura

1. Në kuptim të këtij ligji, zona të mbrojtura janë:

a) stacionet, terminalet dhe mjetet e transportit publik, portet dhe aeroportet;

b) perimetri rreth institucioneve arsimore, shëndetësore dhe objekteve të trashëgimisë kulturore;

c) zonat e tjera të përcaktuara me vendim të këshillit bashkiak të botuar dhe të shënuara në terren, kur atje janë dokumentuar vepra të përsëritura kundër personit ose pronës.

2. Punonjësi i Policisë së Shtetit mund të urdhërojë një person të largohet nga një zonë e mbrojtur për një periudhë jo më të gjatë se 48 orë, kur personi, me sjelljen e tij konkrete, kanos, ngacmon në mënyrë të përsëritur ose ushtron dhunë ndaj personave, dëmton pronën ose pengon me dhunë aksesin dhe përdorimin e zonës.

3. Urdhri jepet me shkrim, përmban faktet konkrete dhe arsyet, mbi të cilat mbështetet, përcakton zonën, nga e cila personi duhet të largohet, dhe kohëzgjatjen e masës, si dhe i njoftohet personit, të cilit i dorëzohet një kopje. Ai nuk zbatohet për vendbanimin, vendin e punës, institucionin arsimor, institucionin shëndetësor, ku personi trajtohet, dhe zyrën e avokatit.

4. Urdhri nuk mund të jepet për shkak të pjesëmarrjes në një tubim paqësor, për shkak të karakteristikave personale të personit, statusit social, kombësisë ose pamjes së tij, apo vetëm për shkak të precedentëve penalë.”.

Neni 2

Pas nenit 19 shtohet neni 19/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 19/1

Thirrjet për dhunë nëpërmjet rrjeteve sociale gjatë organizimit dhe zhvillimit të tubimeve

1. Kur, nëpërmjet rrjeteve sociale, postës elektronike dhe/ose komunikimeve telefonike, përcillen, publikohen ose shpërndahen mesazhe, që përmbajnë thirrje për dhunë, në kuadër të organizimit ose zhvillimit të një tubimi, Policia e Shtetit, pasi identifikon llogarinë, adresën elektronike dhe/ose numrin e telefonit, nëpërmjet të cilit është kryer komunikimi, i dërgon mbajtësit të llogarisë, adresës elektronike ose numrit të telefonit, një njoftim nëpërmjet të njëjtit kanal komunikimi, me anë të të cilit i kërkon fshirjen e përmbajtjes, si dhe mospërsëritjen e veprimeve të tilla, duke e vënë në dijeni se ato përbëjnë shkelje të legjislacionit në fuqi.

2. Në njoftimin e parashikuar në pikën 1, të këtij neni, Policia e Shtetit i ofron personit mundësinë për të përfituar mbështetje psikologjike apo trajtime të tjera të specializuara, kur vlerësohet se ka nevojë për to.

3. Në rast se përmbajtja nuk fshihet ose veprimet e parashikuara në  pikën 1, të këtij neni, përsëriten, Policia e Shtetit ndërmerr masat përkatëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.”.

Neni 3

Pas pikës 2, të nenit 21, shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:

“3. Përjashtimisht, Policia e Shtetit regjistron me mjete audiovizuale paralajmërimet për shpërndarjen e tubimit dhe aktet e dhunës ndaj personave ose dëmtimet e pronës gjatë tubimit, sipas ligjit për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga dhuna dhe dëmtimet e pronës gjatë tubimeve në hapësirën publike. Regjistrimet ruhen e përpunohen sipas atij ligji dhe ligjit nr.124/2024, “Për mbrojtjen e të dhënave personale.”.

Neni 4

Në nenin 24 bëhen këto ndryshime:

1. Në shkronjat “a” dhe “b”, fjalët “… nga 1000 deri në 10 000 lekë …” zëvendësohen me “… nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë …”.

2. Në shkronjën “c”, pas fjalëve “… me gjobë …” shtohen “… në masën nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë …”.

3. Në shkronjën “ç”, pas fjalëve “… me gjobë …” shtohen “… në masën nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë …”.

Neni 5

Pas nenit 24 shtohet neni 24/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 24/1

Kundërvajtjet administrative

1. Shkeljet e këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen, si më poshtë:

a) Pjesëmarrja në një tubim të ndaluar, në kundërshtim me nenet 8 dhe 12/1, të këtij ligji, dënohet më gjobë në masën nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;

b) Mosbindja ndaj urdhrit të policisë për ndërprerjen dhe shpërndarjen e tubimit, të dhënë në përputhje me shkronjat “a” dhe “c”, të nenit 9, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;

c) Mosbindja ndaj urdhrit të policisë për ndërprerjen dhe shpërndarjen e tubimit, të dhënë në përputhje me shkronjën “b”, të nenit 9, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 20 000 (njëzet mijë) deri në 200 000 (dyqind mijë) lekë;

ç) Mosbindja ndaj urdhrit të policisë për ndërprerjen dhe shpërndarjen e tubimit, të dhënë në përputhje me shkronjën “b”, të nenit 9, të këtij ligji, dhe në rastet kur personi, ndaj të cilit është dhënë urdhri i shpërndarjes, është me identitet të fshehur, dënohet me gjobë nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 500 000 (pesëqind mijë) lekë;

d) Moszbatimi i urdhrit të largimit nga zona e mbrojtur, të nxjerrë në përputhje me nenin 12/2, të këtij ligji, dënohet me gjobë në masën nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;

dh) Fshehja e identitetit në kundërshtim me nenin 19, të këtij ligji, dënohet me gjobë në masën nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë. Sanksioni i parashikuar në këtë shkronjë nuk zbatohet kur mbulimi i fytyrës justifikohet nga një shkak i ligjshëm, përfshirë arsye shëndetësore, fetare, si dhe ushtrimin e një veprimtarie profesionale, përfshirë gazetarinë dhe medien, ofrimin e ndihmës mjekësore ose vëzhgimin e tubimit;

e) Përdorimi i uniformës, i shenjave ose i simboleve, në kundërshtim me nenin 20, të këtij ligji, dënohet me gjobë në masën nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;

ë) Mosbindja ndaj thirrjeve për largim, sipas nenit 23, të këtij ligji, dënohet me gjobë në masën nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë.

2. Bllokimi i rrugëve automobilistike ose i akseve rrugore gjatë zhvillimit të një tubimi, me pasojë pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit, kur veprimi nuk përbën vepër penale, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë në masën 5 000 (pesë mijë) lekë për çdo ditë bllokimi, për çdo person fizik (individ), që merr pjesë në bllokim, pavarësisht kohëzgjatjes së bllokimit gjatë asaj dite.

3. Gjobat vendosen nga Policia e Shtetit, në përputhje me ligjin nr.10279,       datë 20.5.2010, “Për kundërvajtjet administrative”, të ndryshuar.”.

Neni 6

Hyrja në fuqi

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA 

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:07
Miratohet vendimi, kompensim 100% për bizneset e dëmtuara gjatë protestave! Faturën mund ta paguajnë autorët

1792744177_biznesidjegur.jpg

Bizneset e vogla të cilat janë dëmtuar gjatë protestave do të dëmshpërblehen plotësisht nga qeveria. Sipas nismës së miratuar që bën pjesë në paketën e re ligjore anti-dhunë, bizneset e pasiguruara ose që kontrata e sigurimit nuk i mbulon plotësisht dëmet, do të kompensohen.

Pjesa më interesante e këtij akti normativ është se shteti mund t’i kërkojë dëmtuesit të kryejë dëmshpërblimin ndaj biznesit. Nëse ai nuk e kryen kompensimin vullnetarisht, shteti mund të ngrejë padi për kthimin e shumës.

Nëse dëmtuesi është i mitur nën 14 vjeç ose i pazotë për të vepruar, përgjegjës janë prindërit ose kujdestari.

Për të përfituar dëmshpërblimin, bizneset duhet të paraqesin te Administrata Tatimore dokumente për vlerën e sendeve që janë shkatërruar, prova (nëse ka) se dëmtimi është shkaktuar nga protestuesit si dhe për identifikimin e tij dhe nëse subjekti është i siguruar.

Më pas, Administrata Tatimore dorëzon dokumentacionin te Ministria e Ekonomisë. Kjo e fundit ka 30 ditë kohë për të verifikuar dhe pas kësaj etape, duhet të kryejë kompensimin brenda 30 ditëve.

AKT NORMATIV

PËR

SHPËRBLIMIN E DËMIT CIVIL TË SHKAKTUAR NDAJ SUBJEKTEVE TË PREKURA NGA AKTET E DHUNSHME GJATË TUBIMEVE DHE RREGULLIMIN E PASOJAVE

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Neni 1

Objekti

Objekt i rregullimit të këtij akti normativ është krijimi i një skeme kompensimi nga shteti për dëmet materiale të shkaktuara nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve, të kryera nga individë, persona juridikë apo organizata të tjera, nga data 13.10.2026 deri në datën 22.10.2026, mbi pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të personave fizikë ose juridikë privatë, që kategorizohen si biznese/tatimpagues, me kufi të qarkullimit deri në 14 milionë lekë, bazuar në deklaratën vjetore të vitit 2025.

Neni 2

Qëllimi

Qëllimi i këtij akti normativ është kompensimi i subjekteve të dëmtuara, pa ndryshuar kushtet materiale të përgjegjësisë civile të shkaktuesit të dëmit, sipas Kodit Civil.

Neni 3

Etapat e trajtimit

1. Dëmet e shkaktuara, në kushtet që përcakton neni 1, i këtij akti normativ, trajtohen sipas etapave të mëposhtme:

a) Kompensimi nga shteti i personave fizikë dhe juridikë privatë, që kategorizohen si biznese/tatimpagues, me kufi të qarkullimit deri në 14 milionë lekë, bazuar në deklaratën vjetore të vitit 2025, sipas rregullave të përcaktuara në këtë akt normativ. Masa e kompensimit që jepet nga shteti, sipas këtij akti normativ, është në vlerën e plotë të dëmit;

b) Kërkimi i kthimit te shteti i shumës, në masën e kompensimit të paguar të dëmtuarit, ndaj subjekteve përgjegjëse për shkaktimin e dëmit, sipas nenit 5, të këtij akti normativ.

2. Kompensimi, sipas këtij akti normativ, jepet vetëm për pasuritë që nuk janë të siguruara. Kur pasuria e dëmtuar është e siguruar, dëmi shpërblehet nga shoqëria e sigurimit, sipas kontratës së sigurimit, e cila, pas pagesës, ushtron të drejtën e regresit ndaj shkaktuesit të dëmit, sipas legjislacionit në fuqi. Kur kontrata e sigurimit nuk e mbulon rrezikun e dëmtimit nga trazirat, tubimet ose aktet e dhunshme, pasuria konsiderohet e pasiguruar, për qëllim të këtij akti normativ. Në rast se kontrata e sigurimit nuk e mbulon plotësisht vlerën e dëmit të shkaktuar, pjesa e pambuluar kompensohet sipas rregullave të këtij akti normativ.

Neni 4

Kompensimi në favor të të dëmtuarit

1. Personi fizik ose juridik privat, ndaj të cilit është shkaktuar një dëm gjatë tubimit të dhunshëm, pas hyrjes në fuqi të këtij akti normativ, paraqet kërkesë për kompensim pranë administratës tatimore, së bashku me:

a) dokumentacionin justifikues, që vërteton vlerën e sendeve që janë shkatërruar ose janë dëmtuar;

b) provat për faktin se dëmi është shkaktuar gjatë tubimit të dhunshëm nga protestuesit, nëse ai disponon të tilla;

c) nëse disponon, provat për identifikimin e protestuesit që ka shkaktuar dëmin;

ç) deklaratën e kërkuesit, nëse pasuria e dëmtuar është ose jo e siguruar dhe, kur ekziston kontratë sigurimi që nuk e mbulon këtë rrezik, kopjen e policës dhe përgjigjen e shoqërisë së sigurimit që e refuzon dëmshpërblimin, ndërsa kur pasuria është e siguruar pjesërisht, kopjen e policës së sigurimit dhe vendimin e shoqërisë së sigurimit për mbulimin e dëmit pjesërisht.

2. Administrata tatimore pranon kërkesat për kompensim, verifikon plotësinë e dokumentacionit dhe kryen mbledhjen paraprake të të dhënave që disponon për kërkuesin, përfshirë të dhënat për regjistrimin, qarkullimin e deklaruar në deklaratën vjetore të vitit 2025, faturat tatimore dhe inventarin e deklaruar dhe, brenda 5 ditëve punë nga marrja e kërkesës, ia përcjell ministrisë përgjegjëse për ekonominë kërkesën, së bashku me dokumentacionin e paraqitur nga kërkuesi. Në rast se administratës tatimore i paraqiten të dhëna shtesë pas çastit të përcjelljes së praktikës pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, ajo ia dërgon menjëherë të dhënat e reja kësaj ministrie.

3. Rregullat e hollësishme për mënyrën e paraqitjes së kërkesës, dokumentacionin që e shoqëron atë, përfshirë numrin e llogarisë së subjektit të dëmtuar, mbledhjen paraprake të të dhënave dhe përcjelljen e tyre në Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.

4. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, pas administrimit të dokumentacionit dhe të të dhënave të përcjella nga administrata tatimore, i kërkon Policisë së Shtetit, që, brenda 30 ditëve të verifikojë, në bazë të informacionit të administruar prej saj, nëse rezulton që dëmi të jetë shkaktuar gjatë tubimit të dhunshëm dhe nga protestuesit ose jo, apo nëse ka të dhëna kontradiktore, me provat e paraqitura prej kërkuesit. Si provë mund të shërbejë edhe dokumentacioni i hartuar nga punonjësit e policisë të pranishëm gjatë zhvillimit të tubimit të dhunshëm.

5. Procedura e shqyrtimit të dokumentacionit të ardhur nga administrata tatimore,  verifikimit me Policinë e Shtetit, vlerësimit të dëmit nga ekspertë të licencuar,  si dhe mënyra e kryerjes së pagesës së kompensimit përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për ekonominë.

Përveç marrjes së informacionit nga Policia e Shtetit, nëse e vlerëson të nevojshme, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit mund t’u kërkojë informacion dhe bashkërendim të punës edhe institucioneve të tjera shtetërore, në përputhje me kompetencat ligjore të tyre, për qëllimet e zbatimit të këtij neni.

6. Në rast se nga verifikimi i këtyre të dhënave evidentohet se dëmi është shkaktuar gjatë tubimit të dhunshëm dhe nga protestuesit, atëherë Policia e Shtetit i konfirmon Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit këtë fakt dhe kjo ministri pranon kërkesën për kompensim, e cila brenda 30 ditëve nga përfundimi i evidentimit, vendos kalimin e shumës në llogarinë bankare të personit fizik/juridik, Në të kundërt, nëse nuk ka prova të mjaftueshme për të përcaktuar nëse dëmi është shkaktuar gjatë tubimit të dhunshëm nga protestues, atëherë Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit nuk pranon kërkesën e personit, si dhe e njofton për këtë fakt.

7. Kompensimi, sipas këtij neni, për dëmet që policia i konstaton si të kryera gjatë tubimit të dhunshëm, realizohet, pavarësisht faktit, nëse është arritur të identifikohet subjekti që ka shkaktuar dëmin apo organizata që e ka urdhëruar atë, ose që ka organizuar protestën. Në çdo rast, subjekti i dëmtuar përfiton shpërblimin, brenda afateve të përcaktuara në këtë nen.

8. Subjekti që ka paraqitur kërkesë për të përfituar kompensimin, sipas këtij neni, dhe që e pranon shumën e kompensimit, konsiderohet i shpërblyer deri në masën e shumës së paguar dhe nuk mund ta kërkojë sërish këtë shumë nga shkaktuesi i dëmit. I dëmtuari ruan të drejtën, që, sipas Kodit Civil, të kërkojë pjesët dhe llojet e tjera të dëmit që nuk i përfiton, sipas këtij akti normativ, ndaj subjektit që ka shkaktuar dëmin. Me pagesën, shtetit i lind e drejta për t’i kërkuar subjektit që ka shkaktuar dëmin kthimin e shumës, sipas nenit 5, të këtij akti normativ.

9. Udhëzimet e parashikuara në këtë nen miratohen brenda 7 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij akti normativ.

10. Efektet financiare për kompensimin e të dëmtuarve përballohen nga buxheti i ministrisë përgjegjëse për ekonominë, fondet për të cilat alokohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 5

Kthimi i vlerës së dëmit të shkaktuar

1. Në rastet kur kryhet kompensimi, sipas nenit 4, të këtij akti normativ, shteti ka të drejtën e regresit ndaj subjektit që ka shkaktuar dëmin, për vlerën e kompensimit të dhënë ndaj të dëmtuarit. Nëse Policia e Shtetit e ka identifikuar individin/ët që ka/kanë shkaktuar dëmin, ia njofton atë Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit së bashku me informacionin e vënë në dispozicion, sipas nenit 4, të këtij akti normativ, ose, në rast se kjo nuk dihet në atë moment, ia komunikon menjëherë pasi ta ketë kryer identifikimin. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit njofton Avokaturën e Shtetit, e cila fton subjektin e identifikuar që të kthejë vullnetarisht shumën e kompensimit. Nëse subjekti nuk e shlyen shumën brenda 30 ditëve, Avokatura e Shtetit është e autorizuar, në bazë të këtij akti normativ, për të ngritur padinë e regresit ndaj subjektit që ka shkaktuar dëmin, në masën e kompensimit të dhënë ndaj të dëmtuarit.

2. Nëse ndaj personit është marrë vendim gjyqësor i formës së prerë për pafajësinë ose vendim për pushimin e çështjes/ndjekjes penale, për shkak se ka rezultuar se nuk e ka kryer ai veprën, Avokatura e Shtetit heq dorë nga gjykimi i padisë.

3. Padia për kthimin e shumës i kundrejtohet subjekteve të identifikuara që kanë shkaktuar dëmin, si dhe personit juridik/organizatës që ka organizuar protestën/tubimin e dhunshme/ëm (nëse ka të tillë), e cila është përgjegjëse solidarisht për dëmin e shkaktuar. Kur subjektet që kanë shkaktuar dëmin janë të mitur nën 14 vjeç ose persona të pazotë për të vepruar, përgjegjës janë prindërit, kujdestari ose ata të cilëve u janë besuar ose i kanë në mbikëqyrje personat e pazotë, përveç kur provojnë se nuk kanë mundur të ndalonin shkaktimin e dëmit, në përputhje me nenin 613, të Kodit Civil. Kur subjektet që kanë shkaktuar dëmin janë të mitur mbi 14 vjeç, prindërit ose kujdestari përgjigjen për dëmin e mësipërm kur i mituri nuk nxjerr të ardhura nga puna ose nuk ka vetë pasuri, përveç kur provojnë se nuk kanë mundur të ndalonin shkaktimin e dëmit, në përputhje me nenin 614, të Kodit Civil.

4. Parashikimet e këtij neni për ngritjen e padisë së regresit nga Avokatura e Shtetit kundrejt subjekteve, që kanë shkaktuar dëm civil ndaj personave fizikë dhe juridikë privatë, nuk interpretohen në asnjë rast si kufizim i së drejtës së Avokaturës për të kërkuar shpërblimin e dëmit, në rastet kur të dëmtuarit nga aktet e dhunës janë institucionet publike, në emër dhe për llogari të këtyre institucioneve. Për dëmet e shkaktuara ndaj pasurisë shtetërore dhe publike, institucionet e dëmtuara dhe Policia e Shtetit i vënë në dispozicion Avokaturës së Shtetit listën e personave ose organizatës/ave që ka/kanë shkaktuar dëmin, të dhënat për dëmin e shkaktuar dhe për identifikimin e subjekteve përgjegjëse, në mënyrë që kjo e fundit të ngrejë padinë e shpërblimit të dëmit ndaj tyre në përputhje me dispozitat e Kodit Civil.

Neni 6

Sanksionet administrative

Ndaj personave që u është vlerësuar i ligjshëm arresti, drejtoria vendore përkatëse e Policisë së Shtetit vendos gjobë, sipas nenit 24/1 të ligjit nr.8773, datë 23.4.2001 “Për tubimet”, kur është urdhëruar shpërndarja e tubimit/organizimit/grumbullimit të paligjshëm dhe gjatë zhvillimit të tij janë kryer krime.

Neni 7

Ankimi

Subjektet ndaj të cilave është vendosur gjobë, sipas nenit 6, të këtij akti normativ, kanë të drejtë të ushtrojnë ankimin gjyqësor, në përputhje me rregullat dhe afatet e parashikuara në ligjin për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative.

Neni 8

Hyrja në fuqi

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Ora 18:36
Qeveria miraton vendimin: Ja si do të funksionojë 'lista e zezë' e personave të dhunshëm dhe pasojat për ta

1793015222_proteste.webp

Siç dhe kishte paralajmëruar, qeveria ka vendosur të krijojë një regjistër të posaçëm me emrat e personave të përfshirë në akte te dhunshme gjatë manifestimeve publike.

Në bazë të vendimit policisë kufitare i lind e drejta t’u ndalojë daljen jashtë vendit, ose të njoftojë autoritetet e vendit të huaj drejt së cilit personi do të udhëtojë. Lista e emrave do t’u shpërndahet dhe trukturave hoteliere

“Regjistri i zi” që do të administrohet nga policia e shtetit dhe do të përmbajë të dhënat e personave të identifikuar në materialet e referuara nga Policia e Shtetit në Prokurori, për të cilët dokumentohen veprime konkrete të dhunshme. Ai do të ketë gjithë historikun e personit të përfshirë dhe masat kufizuese në fuqi ndaj tij.

Pasojat do të jenë konkrete. Nëse personi që figuron në këtë listë, do të paraqitet në kufi për të dalë jashtë vendit, policia, ka të drejtën t’ia refuzojë lëvizjen drejt një shteti tjeter “kur nga verifikimi individual rezultojnë të dhëna konkrete për pjesëmarrje në veprime të dhunshme gjatë manifestimeve e grumbullimeve publike edhe nëse ndaj personit nuk është vendosur masa e sigurimit për ndalimin e largimit jashtë shtetit”.

Nëse nuk i refuzohet dalja jashtë vendit “autoritetet kufitare njoftojnë autoritetet e vendit ku do të udhëtojë personi” se emri i tij është i përfshirë në listën e zezë të personave të dhunshëm.

Emrat që do të jenë pjesë e Regjistrit të Posaçëm do t’u njoftohen edhe hoteleve dhe strukturave akomoduese, së bashku me njoftimin se ata janë referuar në prokurori për veprimet e kryera.

Emri nga lista e zezë do të mund të fshihet nëse prokuroria njofton për mosfillimin e procedimit penal apo pushimin e çështjes.

V E N D I M

PËR

KRIJIMIN DHE FUNKSIONIMIN E REGJISTRIT TË POSAÇËM ELEKTRONIK TË PERSONAVE TË REFERUAR OSE NËN HETIM PËR VEPRA PENALE KUNDËR RENDIT DHE SIGURISË PUBLIKE, TË KRYERA ME DHUNË GJATË GRUMBULLIMEVE  DHE MANIFESTIMEVE PUBLIKE, SHKËMBIMIN E TË DHËNAVE DHE VERIFIKIMET KUFITARE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.10325,                                         datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, të ligjit nr.39/2025, “Për kontrollin e kufirit shtetëror”, dhe të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Krijimin dhe funksionimin e regjistrit të posaçëm elektronik të personave të referuar ose nën hetim për veprat penale kundër autoritetit shtetëror, rendit dhe sigurisë publike, të parashikuara në seksionet I dhe III, të kreut VIII, të pjesës së posaçme të Kodit Penal, por pa u kufizuar në to, kur faktet përfshijnë kryerjen e veprimeve të dhunshme në dëm të jetës dhe shëndetit të personit ose pronës publike dhe private në grumbullime e manifestime publike.

2. Regjistri administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe përmban të dhënat e personave të identifikuar në materialet e referuara nga Policia e Shtetit në Prokurori, për të cilët dokumentohen veprime konkrete të dhunshme.

3. Regjistri përmban:

a) të dhëna parësore: numrin unik të regjistrimit, burimin e informacionit, datën e regjistrimit, të dhëna procedurale për personin dhe historikun e përditësimeve;

b) të dhëna dytësore: identitetin e personit që sigurohet nëpërmjet ndërveprimit me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, i administruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile.

Numrin e referimit, datën e ngjarjes dhe masat kufizuese në fuqi, nëse janë njoftuar të tilla, që sigurohen nga sistemi ADAM dhe regjistrat përkatës elektronikë të Policisë së Shtetit.

4. Shkëmbimi realizohet përmes ndërveprimit elektronik të autorizuar, pa krijuar akses të përgjithshëm të Policisë së Shtetit në regjistrat e prokurorisë.

5. Policia Kufitare dhe e Migracionit ka akses të kufizuar në regjistër, vetëm për qëllime të verifikimit kufitar dhe të zbatimit të masave kufizuese, të parashikuara me ligj. Kur nga verifikimi individual rezultojnë të dhëna konkrete për pjesëmarrje në veprime të dhunshme gjatë manifestimeve e grumbullimeve publike edhe nëse ndaj personit nuk është vendosur masa e sigurimit për ndalimin e largimit jashtë shtetit, Policia Kufitare ka të drejtën e refuzimit administrativ të daljes, sipas shkronjës “c”, të pikës 7, nenit 6, të ligjit nr.39/2025, “Për kontrollin e kufirit shtetëror”.

Në çdo rast, nëse ndaj personit nuk vendoset refuzimi i daljes, autoritetet kufitare njoftojnë autoritetet e vendit ku do të udhëtojë personi për faktin e referimit të tij për veprat e përmendura në pikën 1, të këtij vendimi.

6. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit njofton personat fizikë dhe juridikë privatë, që kanë struktura akomoduese, për personat për të cilët ka të dhëna konkrete për pjesëmarrje në veprimet e sipërpërmendura dhe se për këtë i janë referuar materialet përkatëse prokurorisë.

7. Për personat e referuar, nevoja për ruajtjen e të dhënave rishikohet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga regjistrimi. Në rast të marrjes së informacionit nga prokuroria kompetente për mosfillimin e procedimit penal apo pushimin e çështjes, të dhënat e personit fshihen nga regjistri.

8. Përpunimi dhe shkëmbimi i të dhënave kryhen në përputhje me ligjin nr.124/2024, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, duke garantuar konfidencialitetin, kufizimin e aksesit, gjurmueshmërinë dhe proporcionalitetin.

9. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.