Veliaj ka thënë se do të investohen 170 mln euro në sistemin e trasmetimit dhe shpërndarjes që qytetarët e Tiranës të furnizohen 24 orë me ujë të pijshëm.
Në dëgjesën e zhvilluar gjatë pasdites së të martës në sallën e Këshillit Bashkiak me një grup këshilltarësh të PS dhe LSI, ku argumentoi dhe shpjegoi propozimin për çmimin e ri të ujit, Veliaj tha se e vetmja mundësi për të rritur investimet dhe për t’i siguruar Tiranës ujë të pijshëm 24 orë është rregullimi i çmimit.
Ai theksoi se megjithëse në këto dy vite ka patur dyfishim të orarit të furnizimit me ujë, është e nevojshme që të kryhen investime madhore për të bërë të mundur që Tirana të ketë ujë pa ndërprerje.
“Kur e la Lulzim Basha orari i furnizimit me ujë ka qenë 7 orë në ditë, sot e kemi çuar në 13 orë në ditë. Pra, maksimumi që kemi arritur të bëjmë është rritja me 85% e furnizimit të Tiranës me ujë. Tani, mbi këtë nuk ka asnjë mënyrë tjetër se si mund të rrisim investimet dhe ta çojmë nga 13 orë në 24 orë ujë në ditë, që është ambicia jonë. Për 90% të Tiranës, përfshirë edhe ne që jemi këtu, sa herë që hapim çezmën ka ujë. Kjo nuk vjen prej faktit që Tirana ka 24 orë ujë, por prej faktit se në ato 13 orë që ka ujë Tirana, depozitat tuaja personale mbushen plot dhe bën që 90% e Tiranës të mos e kuptojë këtë”, tha Veliaj.
Kjo, sipas Veliajt, bën të pamundur që të hiqen edhe depozitat nga pallatet, të cilat cenojnë cilësinë e ujit. “Arsyeja pse kemi probleme me cilësinë e ujit nuk është Bovilla sepse aty bëjmë një klorinim dhe trajtim të ujit sipas parametrave më të mirë europianë, por në pjesën më të madhe e shkaktojnë depozitat e pallateve. Duke qenë se uji rri në depozitë dekanton gjithë mbetjet, plus mungesa e pastrimit nga administratorët e pallateve, bën që cilësia e ujit të dëmtohet. Pra të mirat e të pasurit ujë 24 orë prej rrjetit, jo prej depozitës, kanë të bëjnë në fakt edhe me cilësinë e ujit”, u shpreh Veliaj.
Ai ka theksuar se për t’i dhënë Tiranës 24 orë ujë ka disa shembuj pozitivë, siç është edhe rasti i Korçës, e cila sot falë një kredie nga Banka Gjermane për Zhvillim (KFV), arriti të sigurojë investimin e nevojshëm duke i mundësuar qytetarëve 24 orë ujë me një çmim 99 lek/m3. “Ne duam ta bëjmë Tiranën me 24 orë ujë dhe për këtë dy janë mundësitë: ose të shpikim diçka që s’e ka shpikur njeri në botë, ose të shohim që mos ta shpikim rrotën, por të shohim kush e ka shpikur rrotën përpara nesh dhe si funksionon. Kemi zbuluar se në Shqipëri shembujt janë shumë të paktë, në fakt janë vetëm dy: Korça dhe Pogradeci. Në qoftë se ne shikojmë Korçën dhe Pogradecin, respektivisht tarifat në Korçë dhe Pogradec janë 99, 98 lek/m3. Kur e bëri çmimin e ujit Korça nga 40 lekë në 99 lekë? Na rezulton se e bëri në momentin kur po përgatitej të merrte një kredi 88 milionë euro nga KFË dhe bëri gjithë rrjetin e ujësjellësit”, tha Veliaj.
Për të realizuar këtë, kreu i Bashkisë së Tiranës paraqiti para këshilltarëve edhe planin e investimeve 2017-2022, që parashikohen të kryhen për të bërë të mundur që pas 5 vitesh Tirana të ketë 24 orë ujë pa ndërprerje në rubinet, duke theksuar se për të bërë të mundur këtë është e nevojshme marrja e një kredie prej rreth 120 milionë euro me afat shlyerje për 12 vjet dhe me interes zero për 3 vitet e para, ndërsa pjesa tjetër e investimeve do të përballohen me të ardhurat e vet UKT-së.
Ai sqaroi se janë parashikuar 10 milionë euro investim në shtimin e burimeve të ujit. “Kemi identifikuar burimin e Gurit të Bardhë në Burrel, kemi bërë testimet, është ujë jashtëzakonisht cilësor, do të jetë burimi i parë që i shtohet Tiranës. Sot kemi të njëjtat burime si para viteve 90 kur qyteti ishte me 200 mijë banorë. Sot qyteti ka 1 milion banorë dhe kemi po ato burime. Në qoftëse doni të dini pse kemi krizë tek “Astiri” është sepse kjo komunë e menaxhuar nga Partia Demokratike historikisht s’ka pasur fare rrjet ujësjellësi, por ka vetëm një rrjet të brendshëm që merr nga pusi i “Coca Colës”, pusi në Mzez, i hapur vetëm nga shërbimet e një kompanie, që sot po i shërben Kasharit”, tha Veliaj.
Ndërkohë, 5 milionë të tjera janë parashikuar të investohen në përpunimin dhe filtrimin e ujit, pasi ai sqaroi se kapaciteti përpunues dhe filtrues i Bovillës është i pamjaftueshëm për të përballuar të gjithë nevojën për uji që ka Tirana. “Dëgjova Saliun, një gjeni që ka falimentuar çdo gjë që ka prekur me dorë, që tha: Bovilla është plot pse nuk jepni ujin? Si ta japim ujin, të pafiltruar? Filtrimi ka kapacitet. Pra, kapaciteti që filtron ujin nga vaska duhet rritur, kështu që 5 milion euro të tjera do t’i kemi në përpunim, pra që gypi nga del uji të jetë më i madh në vasketat e filtrimit”, sqaroi Veliaj.
Gjithashtu, 50 milionë euro do të investohen në sistemin e transmetimit për të siguruar që uji të arrijë nga burimet në rrjetin e shpërndarjes më shumë dhe me kosto më të ulët. “Propozimi ynë është që pjesën më të madhe të kredisë ta investojmë në transmetim, që të jetë i papenetrueshëm, në këtë mënyrë ne e marrim të gjithë ujin dhe nuk na humbet rrugëve, si sot”, tha Veliaj para këshilltarëve.
Ndërsa, 50 milionë euro të tjera janë parashikuar që të investohen në rrjetin e shpërndarjes së ujit që është edhe më problematiku, sidomos në zonat informale dhe të krijuara kryesisht pas viteve ‘90, ku ndërtimet janë bërë pak kriter dhe pa asnjë rrjet ujësjellësi dhe kanalizimi. “Ne duam të shkojmë në nivel kapilar. Pra, 50 milion euro shkojnë për sistemin e shpërndarjes në nivel kapilar dhe sigurisht ato që përfitojnë më shumë janë zonat si “Astiri”, “Fresku”, “Kodra e Diellit” që furnizohen me puse. E gjithë zona e Freskut, “Misto Mamo”, Yzberishti furnizohen të gjitha me puse. Po nuk çuam Bovillën që të shkojë uji deri në “Misto Mame”, deri te “Kodra e Diellit” dhe deri te “Fresku”, nuk kemi shans për Tiranë me ujë”, tha Veliaj.
Një pjesë e mirë e investimit do të prekë edhe sistemin e kanalizimit të ujërave, ku 40 milionë euro do të investohen në kanalizime. Veliaj deklaroi se nëse nuk do të ketë ndryshim të çmimit, atëherë furnizimi me ujë të pijshëm 24 orë do të realizohet pas 4 dekadash. “Ne duhet t’u themi qytetarëve që nuk do zgjedhim të ecim me këtë ritëm breshke për 45 vjet, por të kemi guxim dhe të sigurojmë ujin e pijshëm. Po flasim për rritje 20 lekë, më pak se një gazetë. Sot po lyp Bashkia e Tiranës për atë 20 lekësh”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku deklaroi se në kohën që në Bashki ishte Lulzim Basha dhe në qeveri Sali Berisha, çmimi i ujit të pijshëm u rrit me 125%, ndërsa qytetarëve iu bë fakt i kryer pa asnjë transparencë. “Në këtë derexhe na sollën këta që bëjnë histeri. Këta që bëjnë histeri nuk erdhën fare në Këshill Bashkiak në 2012. E dini që është rritur uji në vitin 2012 me 125% dhe e bëri vetëm bordi me firmë të Saliut dhe të Lulit? Njerëzit s’e morën vesh fare deri kur u erdhi fatura. Këta që bërtasin sot, që janë duke pirë ujë Panna dhe Evian, këta janë si agjentë marketingu të gjithë importuesve të ujit”, u shpreh ai, duke shtuar se si pasojë e keqmenaxhimit Ujësjellësi i Lanabregasit në 2012 u la peng në një bankë të nivelit të dytë.
Redaksia Online
Er.K/Shqiptarja.com