300 turistë vizojnë çdo ditë Thethin. Ndërkohë që në dimër zona bllokohet nga bora, gjatë verës turistët përballen me rrugën e pashtruar dhe më ndërprerjet e energjisë elektrike.

Zona turistike e Thethit, vijon të jetë një nga destinacionet kryesore të turistëve të huaj dhe atyre vendas gjatë muajve të verës. Megjithatë problematikat në këtë zonë janë të konsiderueshme.

Nëse në dimër turistët bllokohen nga dëbora duke u bërë për muaj të tërë të pakalueshme, në verë gropat e pluhuri pushtojnë gjelbërimin përreth dhe dëmtojnë jo pak automjetet.

Banorët e rendisin rrugën të parën në listën e problemeve e pas saj vijnë ndërprerjet e energjisë elektrike që vijnë nga rrjeti i amortizuar sikundër edhe pastrimi i mbetjeve.

“Ajo që na pengon është infrastruktura , çdo vit i njëjti problem, çdo vit i njëjti avaz me infrastrukturën nga Qafa e Dorës deri në fshat”,  shprehur Arian Cerku, banor i Thethit.

Administratori i Shalës, Petrit Arra, thotë se njësia ka bërë ndërhyrje të pjesshme, por shpresohet që Bashkia Shkodër me një projekt final e me financime nga shteti apo donatorët e huaj, të mundësojnë shtrimin e rrugës.

“Rruga është e dobët, rrjeti energjetik është shumë i amortizuar, energjia nuk vjen e plotë dhe për pasojë ka ndikim në të gjitha pjesët”, thotë Arra.

Numri i turistëve që vizitojnë Thethin në këtë sezon shkon mbi 300 në ditë, kryesisht të ardhur nga Evropa.

(D.T/Shqiptarja.com)