Berati përkujtoi sot 82-vjetorin e Çlirimit të qytetit, më 13 shtator 1944. Në Varrezat e Dëshmorëve u zhvilluan homazhe dhe nderime në kujtim të të rënëve gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në ceremoni ishte i pranishëm edhe Ministri i Brendshëm dhe i Pushtetit Vendor, Ervin Demo.

Nën tingujt e Bandës Frymore të qytetit, në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut u vendosën kurora dhe buqeta me lule në nderim të atyre që dhanë jetën për çlirimin e Beratit.

Në ceremoni morën pjesë drejtues të pushtetit vendor, veteranë, familjarë të dëshmorëve, deputetë, përfaqësues të Policisë së Shtetit dhe qytetarë.

Në këtë përvjetor u krye edhe rivarrimi i dëshmorit të Atdheut, Agron Elezi, nga fshati Mbolan. Elezi humbi jetën  gjatë tërmetit të vitit 1967, ndërsa shërbente si ushtar në kufi, dhe në vitin 2024 u shpall “Dëshmor i Atdheut”.

“13 shtatori është një ditë e shënuar për qytetin e Beratit, një ditë që na kujton sakrificën e të gjithë atyre dëshmorëve që dhanë jetën për çlirimin e qytetit. Ne duhet të jemi mirënjohës për sakrificën e të parëve tanë, por edhe të bëjmë çmos që brezat që do të vijnë të njohin historinë e qytetit dhe sakrificën e dëshmorëve" tha ministri i Brendshëm Ervin Demo. 

Një mesazh urimi përcolli edhe kryebashkiaku i Beratit, Ervin Ceca.

Çlirimi i Beratit më 13 shtator 1944 shënoi një nga momentet vendimtare të luftës në këtë zonë. Në betejë u angazhuan partizanë të Brigadës së VII Sulmuese dhe batalione partizane që vepronin në qarkun e Beratit.

Forcat partizane u vendosën në pikat dominuese të qytetit, ndërsa në betejë mbetën dëshmorë 23 të rinj antifashistë dhe u plagosën rreth 30 të tjerë.

Nga Berati, gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ranë rreth 225 dëshmorë.