Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Ervin Demo, po bëjnë një deklaratë për shtyp, pak përpara se të nisin protestat e paralajmëruar për sot.
Kryeministri thotë se Shqipëria po kontakton vazhdimisht me Italinë e Francën, që gjithashtu janë përfshirë nga trazirat dhe sot janë në gatishmëri.
Qëllimi i protestave, thotë Rama, është destabilizimi i vendit, ndërsa pranon se ka një sërë problematikash që duhen adresuar.
“Sot jam këtu përsëri me Ministrin e Brendshëm, i cili dje ishte në një vizitë për të ndarë së bashku me përfaqësues të tjerë të vendeve europiane, eksperiencën dhe njëkohësisht edhe për të koordinuar më tej punën me homologët në Itali dhe në Francë, pasi së bashku me të dyja këto vende, jemi në kontakt të vazhdueshëm, duke qenë se njëkohësisht në të treja vendet tona, flama e terrorit urban të ANTIFA-s është shfaqur me forcën e vet të verbër e në ndërkohë ne kemi edhe një sërë specifikash, të cilat i ndjekim me shumë kujdes.
Dje, unë ju informova për një listë të gjatë personash me precedent kriminal, të cilët nën maskën e studentit, por pa asnjë lidhje me statusin e studentit, me lëvizjen imagjinare studentore ushtruan dhunë dhe janë ndalur dhe proceduar nga Policia e Shtetit.
Një listë domethënëse përfaqësuese e një komponenti të dhunshëm të protestës që është integruar në këtë masë të larmishme personash me një qëllim shumë të qartë: destabilizimi i vendit dhe devijimi i rrugës sonë, duke na kthyer mbrapsht në të shkuarën.
Natyrisht që, pas atyre personave, qëndrojnë krimi i organizuar, si dhe duar të huaja për të cilat vazhdojmë të hetojmë intensivisht.
Por ajo, që më bëri më shumë përshtypje ishte përsëri reagimi i ekraneve të korruptuara ndaj një liste, e cila minimalisht duhet t'i bënte të gjithë të reflektonin mbi mosdistancimin nga dhuna dhe relativizimi i mëtejshëm i dhunës, gjithnjë në emër të studentëve, në emër të rinisë që sipas këtyre ekraneve dhe sipas sidomos VIP-ave të mbrëmjeve të hymnizimit të dhunës nëpër këto ekrane, i përkasin një “momenti transformues” për Shqipërinë.
Këtu në fakt nuk ka asnjë moment tjetër transformues, përveçse një sfide të hapur me probleme të cilat kërkojnë adresim, pa diskutim probleme të shoqërisë, probleme të familjeve të zakonshme, probleme të studentëve, probleme të rinisë të tëra legjitime dhe dhunës, gjuhës së gurit, gjuhës së hurit, gjuhës së zjarrit, gjuhës së urrejtjes, gjuhës së ofendimeve, të kërcënimeve, e cila nuk mund të fitojë një status qytetarie nëse ne duam një të nesërme të sigurtë për këtë vend dhe për fëmijët tanë”, tha Rama.
Lajm në përditësim...
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se të gjithë personat që kanë ushtruar dhunë gjatë protestave në Tiranë, do të paguajnë.
Në një konferencë për mediat, Rama tha se ushtruesit e drejtpërdrejtë të dhunës do të përgjigjen penalisht, ndërsa frymëzuesit e dhunës, financiarisht.
Duke i cilësuar protestat e dhunshme në Tiranë si një terror urban nga ANTIFA, me qëllim gjunjëzimin e shtetit dhe mbjelljen e përçarjes fetare në Shqipëri, Rama tha se organizatorët i kanë bërë llogaritë gabim.
Përgjigja e shtetit ndaj protestuesve të dhunshëm, sipas Ramës, do të jetë e zgjatur dhe këmbëngulëse.
“Nevoja e asaj pjesës së shoqërisë që ka nevojë për një qasje më agresive të Qeverisë ndaj shtrenjtimit të kostove të jetesës, janë fokusi absolut i imi dhe i Qeverisë. Do të ishte ende më mirë që të kishim një dialog me ata që duan t’i artikulojnë këto nevoja dhe idetë e tyre sesi mund të afresohen këto nevoja. Ne do të prezantojmë dita ditës atë që është reflektimi ynë i përditshëm për këtë që po përpiqet të na thotë një pjesë e shoqërisë. Ndërkohë që të gjithë ata që i bëjnë jehonë dhunës, apo ushtrojnë dhunë, duhet të kuptojnë se aq sa ishte intensiv terrori urban, aq do të jetë e zgjatur dhe këmbëngulëse ajo që vjen nga ana e shtetit. Kush mendon se gjunjëzon shtetin, bën kalkulimin më të gabuar. Kush mendon se duke u fshehur nën maskën e studentit mund të sjellë këtu terrorin urban të ANTIFA-s dhe të bëjë punën e atyre që e duan Shqipërinë të përçarë nga ana fetare dhe e duan të ndarë nga historia e saj e lavdishme e tolerancës e mirëkuptimit, duhet ta ketë të qartë që do të paguajë në të gjitha format, si penale për ushtruesit e drejtpërdrejtë të saj, ashtu edhe financiare për hymnizuesit dhe propaganduesit e saj”, tha mes të tjerash Rama.
Përmes teknologjisë, Policia e Shtetit ka arritur të identifikojë protestuesit e dhunshëm që kanë shkaktuar trazira në protestat e ditëve të fundit, tha ministri i Brendshëm.
“Janë një sërë burimesh informacioni që janë duke u përdorur, duke filluar me ato që janë publike, me vetë problematikën që kanë pasur media të ndryshme për sa i përket protestave që kanë ndodhur, po ashtu rrjetet sociale dhe në të njëjtën kohë janë përfshirë dhe të gjitha imazhet e atyre institucioneve publike apo private, prona private apo publike të cilat janë dhunuar gjatë këtyre ditëve. Ky proces fatmirësisht sot është duke u lehtësuar edhe nga vetë teknologjia për ta bërë atë më të shpejtë dhe ne kemi në fakt dita-ditës raste, të cilat janë të identifikueshme edhe kur protestuesit kanë fshehur pamjen e tyre nëpërmjet maskave, ne përsëri kemi arritur që të identifikojmë të gjithë protestuesit, të cilët kanë kryer akte dhune. Janë qindra orë filmimi nga burime të ndryshme, por përmes teknologjisë kemi duke avancuar me shpejtësi sa i përket identifikimit të personave të dhunshëm dhe janë të filmuar nga kamerat publike apo filmimet që kanë hedhur në rrjetet sociale. Policia e Shtetit do të punojë çdo ditë për aq kohë sa duhet për të vënë përpara drejtësisë të gjithë ata të cilët kanë shkatërruar pronën publike, të gjithë ata të cilët kanë cënuar bizneset private dhe këtë policia po e bën falë edhe teknologjisë më shpejt edhe më saktë”, u shpreh Ervin Demo.
Qeveria do të paraqesë së shpejti paketa masash lidhur me kërkesat për meritokraci, por edhe për sigurinë. Kryeministri Edi Rama thotë se i ka dëgjuar për 4 muaj pretendimet e protestuesve dhe dialogu është e vetmja rrugë. Ai tha se e di që e dëshirojnë, por kanë frikë nga etiketimet mes njëri-tjetrit.
“Çdo protestë për t'u dëgjuar bëhet problem kur qeveria, kur autoritetet, kur institucionet nuk duan të dëgjojnë. Ndërsa kur institucionet, qeveria, autoritetet thonë që ne jemi këtu, jemi gati t'ju dëgjojmë, jemi gati të dialogojmë, jemi gati të kuptohemi dhe të mirëkuptohemi, atëherë këmbëngulja në protestë është pa sens, nëse është ky qëllimi i saj. Ndërsa liria për të protestuar është një e drejtë e pamohueshme, dhuna është një krim i ndëshkueshëm. Dhe kjo është dhe arsyeja pse ne jemi duke punuar në të dyja drejtimet, për të adresuar ato që ne i shohim si momente të rëndësishme psikologjike dhe nevoja imediate të njerëzive për të pasur një dorë mbështetje në kushtet e shtrenjtimit të jetesës, po e përgjithësoj në këtë fjali, dhe nga ana tjetër sigurisht garantimin e sigurisë, të rendit, të qetësisë duke marrë masa kundër dhunuesve, duke marrë masa kundër anarkisë, duke marrë masa kundër idesë se unë jam i lirë të protestoj dhe në emër të kësaj lirie mund t'ia marr të gjithë të tjerëve lirinë për të qarkulluar, lirinë për të punuar, lirinë për të jetuar, lirinë për të çuar fëmijët në shkollë, e kështu me radhë. Në anën e asaj pjese, padiskutim të respektueshme dhe të respektuar të shoqërisë që kërkon më shumë mbështetje, kërkon më shumë meritë në shkallën e promovimit të aftësive, kërkon më shumë mundësi për t'u strehuar, pa ju marrë krejt fryma nga kostoja e strehimit në Tiranë, që kërkon më shumë rishpërndarje dhe le të themi barazi sociale, - ne jemi absolutisht të fokusuar dhe së shpejti do të bëjmë me dije dhe cilat do të jenë masat që do të marrim.
Ndërsa, në anën e sigurisë, në anën e garantimit të të gjitha lirive dhe të drejtave, ne po ashtu në bashkëpunim dhe me partnerët tanë dhe duke parë dhe hapat që ata hodhën në Itali dhe në Francë, do të dalim shumë shpejt me propozime dhe me masa shumë konkrete. Dua t'ju them të gjithëve që kush thotë se deri më sot, paskam qenë dhe paskemi qenë indiferentë ndaj atyre që erdhën për katër muaj poshtë dritares së zyrës time, harron që në fakt për katër muaj, unë kam dëgjuar më shumë se çdokush tjetër dhe po aq sa ata kanë dëgjuar njëri-tjetrin çdo gjë që ata kanë thënë. Sepse unë kam qenë duke punuar lart në zyrë, ata kanë qenë duke sharë, duke ofenduar, duke kërcënuar poshtë zyrës, pa thënë asnjëherë asgjë konkrete dhe pa kërkuar asnjëherë asnjë gjë konkrete, madje duke refuzuar në vazhdimësi që të ulen dhe të bisedojnë dhe unë e kam thënë, nuk kam ndërmend të tregoj komunikime me mesazhe me një sërë prej tyre që ishin aty poshtë. Kam komunikuar dhe me telefon, i kam ftuar dhe ata i ka karakterizuar frika nga njëri-tjetri, dëshira për të folur, por frika nga njëri-tjetri, frika se do cilësoheshin si tradhtarë, frika se do pastaj, pësonin pasojat e dhunës së të tjerëve, të cilët janë një grup ANTIFA aty, i ideologjizuar nga “profesori” i mirënjohur, “predikuesi” i mirënjohur i dhunës që e njohin të gjithë dhe nuk dua as ta përmend me emër dhe që kanë një aftësi dhe një kapacitet vërtetë të spikatur për të futur të tjerët në terror psikologjik dhe për të detyruar të tjerët që t'i shkojnë nga mbrapa. Pastaj ka pasur dhe një komponent tjetër, komponent kriminelësh, të cilët kanë qenë të pranishëm, njerëz të hurit dhe të litarit që kanë bërë të tyren në atë protestë”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama është shprehur se dhuna e shkaktuar në protestat e ditëve të fundit, është shkaktuar nga persona të radikaluzuar nga ANTIFA, feja dhe krimi i organizuar.
Komentet Rama i bëri në një konferencë për mediat, ku tha se nuk është masa më e madhe e njerëzve që kryejnë akte dhune gjatë protestës.
Teksa ripërsëriti ftesën për dialog, Rama tha se protestat në të gjithë botën bëhen për t’u dëgjuar, jo për të përmbysur qeverinë me dhunë.
“Ne jemi duke punuar intensivisht për të adresuar të dy anët e kësaj medaljeje. Jemi shumë të vëmendshëm në raport me arsyet reale dhe me shkaqet që bëjnë shumëkënd përtej faktit që votojnë apo nuk votojnë për mua, që të ndjejnë nevojën për të protestuar, përsa kohë që janë të distancuar nga dhuna. Ai terror urban u shkaktua jo nga një masë e madhe njerëzish por nga njerëz të radikalizuar nga ANTIFA, të radikaluzuar fetarë dhe të radikaluzuar nga krimi për të ushtruar dhunë. Rruga e protestës paqësore është rruga që çon te dialogu. Dje kam pasur një bisedë miqësore telefonike me një pedagog të Mjekësisë, i njohur për qëndrimet e tij në anën tjetër të spektrit politik. I thashë që një protestë bëhet për t’u dëgjuar. Për t’u ulur në tryezë. Nuk bëhet për të përmbysur qeverinë apo shumicën qeverisëse me dhunë. Natyrisht kur kjo protestë nuk është protestë e një partie politike, por e një segmenti qytetar. E pyeta se përse është bërë pjesë e atij grupi. Arsyet që më tha ishin të gjitha gjëra që lidheshin me arsye krejt specifike e legjitime. Unë i thashë ne ulemi dhe e diskutojmë. Pra një protestë bëhet kur Qeveria nuk është e gatshme të dëgjojë, në të kundërt këmbëngulja në protestë është pa sens. Dhuna është një krim i ndëshkueshëm. Kjo është edhe arsyeja pse ne jemi duke punuar në të gjitha drejtimet”, tha mes të tjerash Rama.










Komente
Komento