DOSJA 'Plumbi i Artë'/ 8.3 kg flori dhe 30 ora në një vjedhje! Jo vetëm vrasje dhe atentate bosëve të krimit, Nuredin Dumani rrëfen 6 grabitje të bujshme

Më shumë se 12 janë ngjarjet kriminale mendohet se janë zbardhur nga dëshmia e Nuredin Dumanit, pas arrestimit. SPAK ka goditur dje 8 grupe kriminale në Tiranë, Durrës dhe Elbasan dhe bëhet fjalë për krimet ndër më të rëndat në këto vitet e fundit, ekzekutime mafioze por edhe urdhra për vrasje, pagesa qindra mijëra euroshe për ekzekutime etj. Kjo për shkak të dëshmive si të penduar të drejtësisë të Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhaj. Por jo vetëm vrasjet apo tentativat për vrasje të dështuara, me super pagesa nga bosët e krimit, por Dumani ka zbërthyer edhe 6 grabitje që ka kryer me Talo Çelën dhe persona të tjerë në periudhën kohore 2012- 2017. Ata janë autorë të grabitjes me armë dhe dhunë të shtetasve Xhemal Liçi, argjendarit Lirak Bajraktari, shtetasve Hamit Haxhia, Astrit Ademi, Hamdi Sharka, kambistit Shyqëri Shala, në qytetet Elbasan, Shijak Kavajë dhe Berat.

“Grabitja e parë që kam bërë ka qenë tek një argjendari në Elbasan, në fund të vitit 2010 fillim 2011. Ka qenë 8.3 kg flori si dhe 30 ora ose diçka më shumë ”, ka rrëfyer ndër të tjera bashkëpunëtori i drejtësisë Nuredin Dumani, në dosjen e siguruar nga Shqiptarja.com dhe Report Tv.

Sa i përket grabitjes së dytë bëhet fjalë për një kambist në dalje të Kavajës, të cilën Dumani e ka bërë me po të njëjtat persona si grabitja e parë.

E treta ka qenë në Shijak dhe informacionin për personin e kishte shtetasi Dorjan Shkoza.

“Ngjarja ka ndodhur po në vitin 2013. Personi që kishte servisin ishte nga Shijaku dhe kishte një benz C Class, ngjyrë gri, i vitit 2005 dhe jepte lekë me fajde”, ka thënë Dumani.

Dumani u arrestua mbrëmjen e 29 marsit në Fier, pak pasi kishte marrë mjekim për plagosje në shpinë nga tre mjekë në një shtëpi private.

Dy të penduar të drejtësisë, Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxha nga qelia, zbërthejnë vrasjet nga grupet e organizuara kriminale të një dekade nga viti 2011 deri në 2022-shin. Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pas 6 muajve hetime dhe me dëshmitë kyçe të dy personave tashmë të vënë në dispozicion të drejtësisë, ka bashkuar 18 dosje penale në një të vetme, në atë të Dumanit dhe Hoxhat, regjistruar në 14 prill 2022 për vrasje mbetur në tentativë, armëmbajtje pa leje  në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe përkrahje e autorit.

Me vendim nga Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit u lëshuan 32 urdhër arreste, nga të cilat 18 u ekzekutuan nga policia (prej të cilave 9 masa iu komunikuan persona të arrestuar për vepra të tjera penale), ndërsa 14 janë ende në kërkim. Operacioni i koduar “Golden bullet”, ka nisur menjëherë pas arrestimit të shumë të kërkuarit Nuredin Dumani, i cili u arrestua gjatë operacionit policor të koduar “Arratia”. 

Me vendim nga Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit u lëshuan 32 urdhër arreste, nga të cilat 18 u ekzekutuan nga policia (prej të cilave 9 masa iu komunikuan persona të arrestuar për vepra të tjera penale), ndërsa 14 janë ende në kërkim.

Nuredin Dumani i konsideruar një nga personazhet më të kërkuar të botës së krimit, u arrestua në Fier më 29 mars 2022 pas një tentativw të dështuar për të vrarë Talo Çelën. Bashkë me të, u vu në pranga ushtari i tij, Henrin Hoxhaj që e ndihmoi në arratinë e shkurtër. Dëshmitë e tyre dhe provat e gjetura në telefonin e Dumanit që mbeti i plagosur në përballjen me Talo Çelën, ndihmuan SPAK në zbërthimin e grupeve kriminale. Hetimet që zbërthyen vrasjet e bujshme në Shqipëri po drejtohet nga Byroja Kombëtare e Hetimit, Policia e Shtetit dhe dy prokurorë të SPAK, Dolorez Musabelliu dhe Behar Dibra./ Shqiptarja.com

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:27
DOSJA 'Plumbi i Artë'/ Grabitje me Porche Cayen, i penduari i drejtësisë zbardhi grabitjen e fundit: Talo më priti te dera e burgut! Neutralizuam burrin që ishte në tualet

E fundit prej 6 grabitjeve me armë që ka zbardhur dëshmitari i drejtësisë Nuredin Dumani është ajo e vitit 2017 në një fshat të Beratit, në banesën në pronësi të Hamdi Sharkës ku Dumani dhe të tjerë kanë grabitur 2000 Paund, rreth 25.000 Lekë e bizhuteri dhe kur janë larguar kanë marrë dhe makinën e pronarit të shtëpisë.

Ngjarja ka ndodhur më 20 prill 2017, ku rreth orës 23:00, në banesën e Hamdi Sharka në fshatin Polizhan kanë hyrë tre persona me maska ku kanë marrë 2000 Paund, rreth 25.000 Lekë e bizhuteri dhe kur janë larguar kanë marrë dhe makinën e pronarit të shtëpisë. Dumani jep të gjitha detajet e ngjarjes, dhe prokuroria ka vendosur rihapjen e saj.

Rrëfimi i Dumanit

Në vitin 2017 kam dalë nga burgu dhe tek dera e burgut të Rrogozhinës më pret Talo  Cela me një benz E class ngjyrë vishnjë e vitit 2012 . Së bashku me të ishte dhe shtetasi Dorian Shkoza dhe më kanë çuar në shtëpi. Pas disa ditësh më tha Talo për një grabitje ku do te merrnin pjesë shumë persona. Ishte një shtëpi në një fshat të Beratit dy katëshe nga Poshja e Beratit ose Kosova se mbaj mend fiks. Më ka lajmëruar Talo në telefon me sms duke më thënë “hajde duku”. Kam shkuar tek vendi i quajtur pilafi duke i marrë një kushëririt tim një Porche Cayen dhe aty kam takuar personat Talon, Eljo Bitrin, Kel Kamamin, Gent Sharren.

Kemi qëndruar 1,5-2 orë dhe më pas kemi shkuar tek kafja e Gent Sharres duke pritur qe të errësohej. Në afërsi të servisit të Gent Sharrës Talo kishte një garazh pronar i së cilës do të vinte me ne të merrte pjesë në vjedhje. Këtë person nuk e kisha parë asnjëherë dhe nuk ia di emrin. Shkuam e morëm tek garazhdi këtë person dhe në mjetin që do të përdornim në vjedhje kemi hypur unë, Talo Çela dhe Eljo Bitri. Ky ishte një benz C class i vjedhur. Në afërsi të Belshit jemi takuar me Kel Kamanin që ishte së bashku me tre persona të tjerë të cilët nuk i njihja. Keli ishte me një mjet C class edhe ai të vjedhur. Jemi nisur të dy makinat në drejtim të fshatit ku do të kryenim grabitjen. Kemi parë një herë zonën nga larg ku ndodhej shtëpia dhe kemi bërë rrethimin e shtëpisë. Plani ishte që unë me Kelin do të thyheshim derën të hynim brenda sepse informacioni ishte se në shtëpi kishte shumë njerëz.

Kemi vënë re se një prej personave të shtëpisë ndez dritën dhe shkon në banjë. E pamë këtë moment si të përshtatshëm që të hynim në shtëpi. Unë kisha në dorë kallashnikov dhe Keli kishte po kallashnikov. U mbajtëm me njëri tjetrin dhe të dy njëkohësisht i ramë derës me shkelm. Dera u hap dhe ajo ra në tokë. Neutralizuam burrin që ishte në tualet dhe hynë çunat e tjerë. Unë me Kelin mbajmë burrin dhe gruan dhe të tjerët kontrollonin për lekët. Njëkohësisht pyesja burrin se ku i kishte lekët.

Ai thoshte që nuk kam. Pasi kemi qëndruar rreth 20 min duke kontrolluar s’gjetëm gjë lekë vetëm një pistoletë TT. E morëm pistoletën, telefonat ua thyem për të mos patur kontakt dhe marrim gjithashtu dhe benzin e të zotit të shtëpisë dhe largohemi. Benzi ishte E class ngjyrë gri prodhim i vitit 2004-2005. Për tu larguar marrim rrugën Berat-Lushnjë Fier.  Në Fier pa shkuar tek rotondo e fundit hedhim benzin në një kanal. Tentuam që ta hedhim por ai nuk ra plotësisht. Kthehemi me dy mjetet dhe marrim rrugën për në Elbasan për nga Rrogozhina. Pistoletën e mbajtën nuk e di se kush dhe unë pas disa kohësh kam shkuar në Francë ku më pas rashë në burg, në Bordo”.

Ora 15:12
DOSJA 'Plumbi i Artë'/ Me automatik dhe kallashnikov për të marrë disa mijëra euro, Dumani rrëfen grabitjen në vitin 2013

Një tjetër grabitje e Nuredin Dumanit dhe Talo Çelës është realizuar në Shijak, aty ku kreu të parën. Këtë herë në vitin 2013.  Në dosjen e siguruar nga Shqiptarja.com dhe Report Tv, i penduari i drejtësisë rrëfen para prokurorëve të posaçëm se Dorjan Shkoza u kishte dhënë informacion se një person, i identifikuar si Astrit Ademi, mbante shumë para në një çantë gri. Dumani thotë se ai, Talo Çela, Agim Gjini dhe një tjetër person kanë thyer xhamin e makinës, kanë marrë rreth 20 mijë euro dhe janë larguar.

“Grabitja e radhës ishte po në Shijak dhe informacionin për personin e kishte shtetasi Dorjan Shkoza. Ngjarja ka ndodhur po në vitin 2013. Personi që kishte servisin ishte nga Shijaku dhe kishte një benz C Class, ngjyrë gri, i vitit 2005 dhe jepte lekë me fajde. Dori e kishte informacionin se personi mbante lekë me vete në një çantë gri/valixhe. Emrin këtij personi nuk ia mbaj mend. Në këtë grabitje kam qenë unë Talo Çela, Agim Gjini i cili ishte topall nga Durrësi dhe personi me pseudonimin “………….”. Gimi ka qenë shofer me një Benz 2500 i vjedhur, ngjyrë blu, me targa të vjedhura. Makinat e vjedhura në atë kohë i linim tek garazhi i Gim Gjinit. Kanë zbritur Talo Cela me ………….. dhe servisi ndodhej në aksin rrugor Maminas-Vorë, servis kamionash. Kemi shkuar aty dhe kemi parë se kishte shumë njerëz. Talo Çela kishte në dorë automatik, unë s’kisha gjë, ndërsa …………… kishte dhe ai kallashinkov. Shkova tek makina e personit një C Class dhe theva xhamin e pasagjerit krahu i shoferit dhe kam kontrolluar makinën në brendësi. Kontrollova dhe bagazhin dhe aty gjeta rreth 18-20.000 Euro të cilat ishin të vendosura në gomën rezervë. Morëm lekët dhe ikëm. Kemi shkuar tek garazhi i Gim Gjinit dhe kemi ndarë lekët. Me sa mbaj mend kemi marrë rreth 4500 Euro”,

Nga hetimi rezulton se më datë 31.05.2013 në fshatin Marikaj, Vorë në pikën e grumbullimit të mjeteve të dala jashtë përdorimit në pronësi të shtetasit Gëzim Mamiu, tre persona të maskuar dhe të armatosur i kanë vjedhur shtetasit Astrit Ademi që kishte shkuar si klient  me mjetin e tij të markës AA887CL, shumën prej 7000 euro dhe një aparat celular të markës samsung me dy karta që i kanë gjetur në xhep si dhe shumën prej 9000 euro, 760.000lek që i kanë marrë në bagazhin e mjetit. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes është konstatuar brenda kësaj pike, automjeti Mercedez Benz  me i cili është në pronësi të shtetasit Astrit Ademi, banor i Shijakut Durrës.

Nga këqyrja e këtij automjeti është konstatuar i thyer xhami i pasmë i krahut të djathtë. Po nga këqyrja e këtij automjeti janë gjetur dhe marrë në cilësinë e provës materiale 9 gjurmë papilare të emërtuara me germat përkatëse si dhe u morën sende për ekzaminime laboratorike. Është përpiluar vendim për kryerjen ekspertimit daktiloskopik vlerësues si dhe është marrë deklarim personit të dëmtuar e shtetasve të tjerë.

Ora 10:10
DOSJA 'Plumbi i Artë'/ Si e nisën aktivitetin kriminal Nuredin Dumani dhe Talo Çela? Si u bë grabitja e 8 kg flori dhe 30 orave në një argjendari në Elbasan

1652990958_celadumani.jpg

Dosja e SPAK, e cila çoi në pranga disa anëtarë të bandave kriminale në vend ka hedhur dritë edhe për grabitjen e parë që grupi Dumani-Çela kanë bërë plot 12 vite më parë që shënoi fillimin e aktivitetit kriminal të tyre.

Kështu në dëshminë e tij në dosjen e siguruar nga Shqiptarja.com dhe Report Tv, Nuredin Dumani tregon kohën kur ai ka kryer grabitjen e parë në një argjendari. Dumani kujton vitin e largët 2010, ku së bashku me disa persona të tjerë, përfshi edhe Talo Çelën kanë kryer grabitjen e argjendarisë. Ai tregon se ka arritur të grabisë 8.3 kg flori dhe 30 ora, të cilat më pas i kanë shitur në Korçë, 12 mln lekë të vjetra një kilogram flori.

Rasti i referohet ngjarjes së ndodhur më datë 22.02.2011, ku është marrë njoftim nga salla operative e Drejtorisë së Policisë së qarkut Elbasan se në lagjen “Shën Koll” është vjedhur me dhunë shtetasi Lirak Baraktari, të cilit i është marrë një çantë me bizhuteri floriri, me vlerë përafërsisht 10.000.000 lekë (dhjetë milion) lekë.

“Grabitja e parë që kam bërë ka qenë tek një argjendari në Elbasan, në fund të vitit 2010 fillim 2011. Ka qenë 8.3 kg flori si dhe 30 ora ose diçka më shumë. Kam pas njohje me një Ilir Feçi, ky kishte lidhje me disa persona nga Elbasani që ishin të kësaj fushe. Ilir e kam njohur në 2010 nga një tregtar që shiste perde, unë në atë kohë isha më paterica. Emrat Gentian Sharra dhe Talo Çela i kam njohur fillimisht prej Ilirit. Ilirit në 2010 i kam shitur një pistoletë për të përfituar një shume prej 300 eurosh nga të cilat do fitoja 80 mijë lekë të vjetra.

Pistoletë jugosllave me sa mbaj mend Zastava. Organizator ka qenë Gentian Sharra dhe neve na mori Talo Çela. Ne pritem (unë dhe Ilir Feçi) këtë zotëri që kishte florinjtë e kam goditur unë i pari me levë hekuri, mbas qafe ose në kurriz të njëjtën gjë bëri dhe Iliri, mua me ra leva nga dora. Kam marrë një nga çantat. U vonuam pak dhe me pas u larguam bashkë me Sharrën. Ngjarja ka ndodhur në parkim rreth orës 7:30 – 8:00. Ishte një parkim i hapur. Informacionin e kishte Gent Sharra.

Kanë qenë 2 çanta një e kam marrë unë tjetrën e ka marr Ilir Feçi. Talo Çela po na priste tek makina me Gent Sharrën shoqërues, këto ishin për mbrojtje. Kishim një makin bënz blu e errët, nuk jam i sigurt për ngjyrën, tipi 200-250. Shkuam më pas tek shtëpia e Talo Çelës e cila ndodhet në Bradashesh, një shtëpi private 3 katëshe. Në shtëpi kam shkuar vetëm unë dhe Talo Çela. Iliri po na priste në rrugë me një makinë Rover me targa italiane. Çantat i lamë në katin e 3 të Talo Çelës dhe më pas u larguam. Eshtë shitur më pas në Korçë nga Iliri me gruan e vet e cila quhet Fije, në shumë 12 milion të vjetra një kg flori. Lekët mi dha Iliri mbas 10 ditësh, u takuam tek lagja”, ka thënë Dumani.

Prokuroria arsyeton se: Në këtë vjedhje autorët e përfshirë janë Ilirian Feci (i proceduar veçmas), Gentian Sharra, Talo Çela dhe Nuredin Dumani, të cilët dyshohen se kanë konsumuar elementët e veprës penale të ‘Vjedhje me dhunë” kryer në bashkëpunim  të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, në dëm të Lirak Bajraktarit/ Shqiptarja.com

Ora 09:12
DOSJA 'Plumbi i Artë'/ Bishti i cigares i ‘mori në qafë’, Dumani rrëfen grabitjen e kambistit në Kavajë: Talo e goditi me levë në fytyrë! Ai i ndoqi autorët

1652982414_8000talo.jpg

Një tjetër grabitje e bujshme, edhe kjo e ndodhur 10 vite më parë, është ajo e kambistit Shyqyri Shala, i cili u dhunua dhe u grabit në Kavajë në 13 shkurt të vitit 2012. Nuredin Dumanin dhe Talo Çela janë gjithashtu autorë të kësaj grabitjeje.

Ngjarja ka ndodhur në Lagjen nr. 2 të qytetit të Kavajës, shtetasi Shyqyri Shala, kambist në Kavajë, kur ka shkuar për në shtëpinë e tij, në katin e tretë të këtij pallati, gjatë kohës që parkonte autoveturën, ka parë dy persona që kanë hyrë në pallatin e tij.

Pa i dhënë rëndësi këtij fakti, ai është drejtuar për në banesë dhe kur ka arritur në katin e dytë të pallatit, njëri prej dy personave i ka drejtuar një pistoletë. Në këto rrethana Shyqyriu është kthyer dhe ka zbritur shkallët me qëllim largimin e tij, por është arritur në hyrjen e jashtme të pallatit nga të dy personat, të cilët e kanë goditur me mjete të forta në kokë.

Shyqyri Shala është përleshur me këta dy persona, por ata i kanë marrë çantën me para, rreth 4, 500, 000 lekë, si dhe telefonin celular dhe janë larguar me vrap. Autorët janë ndjekur prej të dëmtuarit deri në cepin e pallatit, por nuk ka mundur t’i kapë, pasi ata janë larguar.

Ngjarjen e ka zbardhur Nuredin Dumani i cili në dosjen e siguruar nga Shqiptarja.com dhe Report Tv rrëfen se gjithmonë në grabitje organizoheshin 4 vetë, ndërsa për rastin në fjalë thotë se detyra e tij ishte të merrte vetëm çantën me para.

“…….Grabitja e 2 ka qenë po me të njëjtët persona në Kavajë në vitin 2011. Ishte një kambist në dalje të Kavajës. Ishte i moshës 60 vjeç, e njihte Ilir Feçe, ky na orientonte. Grabitjen e kam bërë unë me Talo Çelën. Ky person zbriste diku rreth orës 06:00 – 06:30, e kisha ruajtur së bashku me Ilirin. E kam ruajtur diku 2 ose 3 ditë bashkë me Ilirin. Diku afër në autostradë Ilir Feçe kishte shtëpinë përballë mobileri Simaku në krahun e Kavajës. Ishte baza ku ne takoheshim dhe linim makinat e tyre. Në këtë banesë linim dhe armët dhe makinat e vjedhura. Shtëpinë e kishte halla e Ilir Feçit e cila jetonte në Itali. Kemi dal atë ditë me audi 80 benzinë ngjyrë gri i vjedhur, këtë makinë e kishte vjedhur Talo Çela ai na e solli. Shofer ishte Ilir Feçi, në vend të parë ishte Talo Çela dhe mbrapa isha unë. Ishim me qafore dhe kapele sepse skishte kamera.

Kemi zbrit unë me Talon i pari pasi jemi afru tek pallati 5 katësh (pallatet e Enverit). Talo është futur sa zbret shkallën unë isha përballë, Talo e goditi me levë në fytyrë, i ra 2 ose 3 here dhe u rrezua në tokë, unë kisha detyrë vetëm të merrja çantën, u mundova ta merrja çantën por se lëshonte, këto më kishin dhënë një thikë hidrauliku dhe u mundova ta prisja rripin e çantës dhe e preva dhe të dora, në këtë moment ai e lëshon çantën dhe largohemi me Talon drejt audit. Futemi tek një rrugë tek fshatrat e Kavajës që lidhen me Tiranën.

E lamë audin para një shtëpie jashtë Kavaje dhe na priste BMË e Ilir Feçit që e drejtonte Gent Sharra i cili kishte shkuar më parë aty. Kështu ishte plani. Organizimi ka qenë gjithmonë 4 veta unë, Gent Sharra, Talo Çela dhe Ilir Feçi. Kemi shkuar tek xhaja i Ilir Feçit në një fshat në Kavajë, ishte rruge e prishur nuk kisha qenë ndonjëherë. Kemi ndenjur tek shtëpia e xhajës se Ilirit deri në darkë. Më pas ikim në qytet. Ikim me pas tek shtëpia e hallës se Ilirit. Ishin 20.000 Euro, unë kam marrë 4.000 Euro, në prisnim diku tek 80.000 – 100.000 Euro”, ka thënë Dumani. 

Në kërkesën e paraqitur, prokuroria arsyeton se në analizë të dhënave të përftuara nga deklarimi i shtetasit Nuredin Dumani rezulton se ato përputhen dhe vijnë në harmoni me të gjithë provat e tjera të çështjes.

“Fakti se ngjarja e ndodhur te hyrja e pallatit është kryer nga dy persona sipas hetimeve të kryera e nga ana tjetër shtetasi Nuredin Dumani deklaron se “…Kemi zbrit unë me Talon i pari pasi jemi afru tek pallati 5 katësh (pallatet e Enverit)….”, fakti se i dëmtuari është goditur në kokë me mjete të forta dhe më pas i është marrë çanta me para brenda, fakti se personat sipas dëshmisë së të dëmtuarit Shyqyri Shala ishin rreth moshës 18-24 vjeç, nga ana tjetër sipas dëshmisë së shtetasit Nuredin Dumani, “kambistin e njihte Ilir Feçe….”, fakti se në vendngjarje është gjendur bishti i cigares SLIMS e cila nga akti ekspertimi ka rezultuar se “u përfitua një profil i plotë human i seksit mashkull dhe ka karakteristikat e përshkruara në akt (tab l)”, thuhet në dosje./Shqiptarja.com

 

Ora 08:31
DOSJA 'Plumbi i Artë'/ ‘Plakën e mbylli Talo në banjë, unë përkëdhela fëmijët’, çfarë thotë Dumani për grabitjen e shtëpisë së Hamit Haxhiajt! U veshën si policë të anti-drogës, kujtonin se do gjenin 500 mijë euro

1653114521_CELADUMANI.jpg

Në dosjen e SPAK të siguruar nga Shqiptarja.com dhe Report Tv është edhe vjedhja me dhunë e banesës Hamit Haxhiajt nga 3 persona të maskuar që janë paraqitur si policë të anti-drogës.  Ata kanë shpërthyer derën dhe kanë hyrë brenda, aty kanë gjetur bashkëshorten e Haxhisë të cilës i thanë se po kryenin kontrolle për drogë dhe e kërcënojnë se nëse lëviz do t’i vrasin çunin.

Ngjarjen e ka zbardhur dëshmia e Nuredin Dumani i cili ka thënë se grabitja e shtëpisë së tij u bë pasi ai dhe Talo Çela kishin informacion se sipër dollapit, Haxhia kishte 500 mijë euro. Nga grabitja, sipas dosjes së SPAK, 3 personat dolën duarbosh në krahasim me atë që pretendonin të merrnin. Ata vodhën një sasi prej 2000 eurosh, 60000 lekë rreth 500.000 lekë të kursimeve të fëmijëve të cilat kanë qenë të futura në një arkë druri.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Popullore” në Shijak dhe pikërisht në banesën e Hamit Haxhiat, në kohën kur ky i fundit ka dalë nga shtëpia e tij për të shkuar në Tiranë (për probleme të tij personale). Mbasi Hamiti ka dalë nga banesa bashkëshortja e tij shtetasja Anila Haxhiu e ka mbyllur derën nga brenda me çelës, mbas disa minutash dera shpërthehet me forcë nga tre persona të pa identifikuar dhe të maskuar të cilat janë prezantuar si Policia Antidroga dhe kanë thënë fjalët do të bëjmë kontrolle në banesë për droge. Më tej të tre personat kanë filluar që të kontrollojnë shtëpinë, në dhomën e gjumit ku ndodhej Anila, në kuzhinë si dhe në dhomën e gjumit të vjehrrës së saj. Mbasi personat kanë kontrolluar gjithë ambientet e brendshme të banesës kanë vjedhur një sasi prej 2000 eurosh, 60000 lekë rreth 500.000 lekë të kursimeve të fëmijëve të cilat kanë qenë të futura në një arkë druri. 

Dumani ka thënë se në shtëpi ishin dy çuna të vegjël 10 vjeç, zonja e shtëpisë dhe vjehrra.

“....Grabitja e radhës ka qenë në Shijak në vitin 2013, kemi qenë 5 veta, unë, Talo Çela, Gent Sharra, Gon Qafa... Informacionin për grabitjen na e dha Dorjan Shkoza pasi familja e tij jetonte një kat më poshtë personit qa do banim grabitjen. Dori na thoshte që personi që jetonte mbi banesën e tij merrej me pulari. Informacionin e kishte motra e Dorit, e cila kishte hyrje dalje me të zonjën e shtëpisë, e cila i kishte thënë se në dollapë kishte mbi 500.000 Euro. Tek kjo shtëpia ishin dy çuna të vegjël 10 vjeç, zonja e shtëpisë dhe vjehrra. Në këtë ngjarje kemi përdorur një mjet ML ngjyrë blu e errët, e rregullt me targa të vjedhura. Ky mjet ishte në emrin tim. Kemi shkuar në orën 4 të mëngjesit sepse në atë orë dilte i zoti i shtëpisë.

Dera ishte e blinduar dhe Talo e hapi atë 3-5 minuta pasi kishte me vete veglat që hapte dyert. Pasi u hap dera u futëm brenda të gjithë vetëm Gon Qafa ngeli jashtë me automatik në dorë. Sapo kemi hyrë brenda kemi parë plakën që po dilte nga tualeti. Plakën e mbylli Talo në tualet dhe filloi të shante. ...Ata vazhduan kontrollin dhe unë kam ndenjur aty që të mos bërtiste gruaja dhe fëmijët. Me erdhi keq për fëmijët e saj dhe i ledhatova nga faqet. Kur kjo gruaja doli në televizor ka thënë se njëri prej autorëve u soll mirë. Në një kuti kursimesh janë gjetur rreth 3000 Euro dhe jemi larguar. ...Më vonë mora vesh se njeri prej çunave që morri pjesë në grabitje kishte marrë dhe unazat e kësaj zonjës...”, ka thënë Dumani.

Prokuroria thotë se deklarimet e Dumanit vijnë në harmoni me provat e grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit dhe në këtë mënyrë krijojnë dyshimin se në lidhje me këtë episod shtetasit Agron Qafa, Nuredin Dumani, Talo Çela, Gent Sharra dhe një person i cili thirrej “Qime” akuzohen për “Vjedhje me dhunë” si dhe ‘’Grupi i strukturuar kriminal./ Shqiptarja.com

Ora 08:12
‘DOSJA 'Plumbi i Artë'/ Dhunë dhe para, si u grabit e u plagos kambisti në Elbasan! Dumani i thotë të gjitha: Ishte i fuqishëm, Talo e qëlloi me armë! Zbardhet ngjarja e bujshme e para 10 viteve

1652991388_celadumaniiii.jpg

Një ngjarje e bujshme e 10 viteve më parë, grabitja e kambistit Xhemal Liçi është zbardhur falë dëshmisë së Nuredin Dumanit. Sipas dëshmisë së këtij të fundit ajo ishte porosi e Talo Çelës. Ngjarja në fjalë ndodhi më datë 19 nëntor të vitit 2012 në Elbasan, ndërkohë që Liçit, i cili ishte kambist, iu vodh një shumë prej 12 300 000 lekësh.

Pasi qëlluan me armë në drejtim të ‘objektivit’ të tyre, autorët e ngjarjes janë larguar me një mjet të bardhë i markës opel në drejtim të panjohur. Asokohe Liçi mbeti i plagosur, ndërsa u dërgua me urgjencë në spital ku iu mbijetoi plagëve të marra.

Prokuroria thotë në arsyetimin e saj se deklarimet e Dumanit përputhen më së miri me provat e tjera të administruara deri në këtë fazë të hetimit dhe janë të atilla që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shtetasit Nuredin Dumani, Gentian Sharra, Dorian Shkoza dhe Ardian Çollaku kanë konsumuar elementët e veprave penale “Vjedhjes me armë në bashkëpunim”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Dëshmia e Nuredin Dumanit

“……Në vitin 2013 me sa mbaj mend më takon Talo Çela në një dyqan që unë kisha pas daljes nga burgu. Në këtë dyqan tregtoja këpucë të përdorura. Talo ishte së bashku me Gent Sharrën me një mjet tip Regina. Më tha se kishte një punë për të bërë por na duhen njerëz nga këtej duke nënkuptuar Durrësin. Desha të dija hollësi se për çfarë shume bëhej fjalë dhe ai më tha se bëhej fjalë për 200.000 Euro. Aktiviteti i personit ishte doganier në Korçë por se mbaj mend mirë ose ky ose vëllai i tij. Me tha se nëse isha dakord që unë duhet të shkoja vetëm ditën e ngjarjes por me vete duhet të kisha dhe një person nga ana ime. E pranova punën dhe pas një farë kohe Talo më shkruan hajde takohemi.

Kam shkuar dhe kam marrë Dorjan Shkozën sepse Dori në atë kohë ishte në konflikt me Gon Qafën për arsye borxhesh. Për ta nxjerrë nga situata e kam marrë Dorin me vete. Kemi shkuar me furgon të linjës Durrës– Elbasan dhe atë natë kemi fjetur tek shtëpia e Talos. Në shtëpinë e Talos erdhi Gent Sharra, ishte Talo unë Dorjan Shkoza dhe shtetasi Ardjan Çollaku. Ardjani do të na ndihmonte pas grabitjes. Talo e kishte bërë planin me Gent Sharrën. Ditën tjetër në mëngjes jemi çuar dhe kemi shkuar tek vendi me një Opel të vjedhur, ngjyrë të bardhë. Në automjetin tip Opel ishim unë, Talo Çela, Dorjan Shkoza dhe Ardjani i cili ishte shofer. Vendi ku do të shkonim ishte lagjja Kala, Elbasan. Kemi pritur disa minuta aty duke pritur të dilte personi. Shohim që personi del nga një shtëpi dykatëshe para së cilës ishte parkuar në rruge një automjet veturë Benz me portobagazh. Ky personi ishte rreth 50 vjeç, zeshkan. Ai hap derën e mjetit dhe futi një çantë në sedilen e pasme së bashku me një armë gjahu me sa mbaj mend. Aty kemi zbritur unë, Talo dhe Dori. Dori me Talon u konfrontuan me personin duke e qëlluar me armë dy herë në gjoks dhe një herë në këmbë. Në gjoks e gjuajti Talo ndërsa në këmbë e gjuajti Dori. Në këtë moment unë marr çantën dhe shkoj tek mjeti Opel.

Dua të shtoj se jam afruar dhe unë në momentin e konfrontimit pasi kam lenë çantën sepse personi ishte i fuqishëm dhe e kam goditur me shkelm në bark. Të gjithë jemi larguar tek magazina e Ardjanit ku kemi lënë mjetin Opel. Kjo magazinë ndodhej në Fushë Mbret. Nga aty mua me Dorin me ka marrë me mjetin e tij nipi i Ardjanit me një benz të bardhë dhe na çoi në rrugën Elbasan – Peqin ku kemi ndaluar një furgon dhe jemi larguar për Durrës. Në këtë ngjarje kemi pasur të veshur rroba sportive dhe kapuç ku duken vetëm sytë dhe goja. Pas rreth 1 jave ka ardhur Talo Çela se bashku me vëllain e vet Bujarin dhe kanë shkuar tek puna e Dorit. Dori vjen dhe me thërret mua dhe shkojmë së bashku me Dorin në Shënavlash tek vaskat e peshkut. Talo lekët i kishte tek makina e vëllait dhe na ndau 19 ose 20.000 Euro…. Të njëjtën shumë sa unë kishte marrë edhe Gent Sharra, Talo, Ardjan Çollaku dhe Dori./Shqiptarja.com

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë