Nga një kërkim i Report Tv në dokumente zyrtare, rezulton se në Shqipëri ka 113 parti politike, nga të cilat vetëm 22 subjekte janë efektive, reale dhe funksionale. 56 parti politike përfitojnë fonde publike, por nuk kanë asnjë adresë, kanë kryetar anonimë dhe për pasojë nuk mund të kontrollohen nga ekspertët kontabël të kontraktuar nga Komisioni Qendror të Zgjedhjeve. Ndërkaq, 30 parti të tjera kanë deklarua se kryetarët e tyre nuk përfitojnë fonde publike që në viti 2018, duke mbetur gjithashtu jashtë kontrollit të KQZ. Ligji zgjedhor vepron vetëm mbi 22 parti politike, për të cilat ekspertët kontabël kanë paraqitur raporte financiare në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Fenomeni i partive fantazmë në Shqipëri reflektohet në rezultatet zyrtare të subjekteve politike në zgjedhjet lokale dhe parlamentare. Disa nga partitë fantazmë në shumë zona të vendit, në zgjedhjet lokale apo të përgjithshme, kanë marrë zero vota. Ka edhe raste më ekstreme, ku partia politike nuk ka marrë as votën e kryetarit të saj. Çështja e partive politike fiktive është ngritur si shqetësim edhe nga deputeti i Partisë Socialiste, Bashkim Fino, në Komisionin e Ligjeve gjatë shqyrtimit të veprimtarisë vjetore të KQZ.

Deputeti Fino i ka kërkuar mazhorancës ku bën pjesë gjetjen e një mekanizmi ligjor për fshirjen e partive fantazmë. “Këtu kërkoj dhe vëmendjen e kolegëve, Kuvendi duhet të na ndihmojë për zgjidhjen e kësaj situate: ka qenë dhe mbetet lista e gjatë e partive fantazmë që rezultojnë rregullisht në statistikat e KQZ-së. Ndaj Kuvendi (këtë e kam sugjerim) nuk mund të bëjë sikur harron dhe ta shtyjë ende zbardhjen e një mekanizmi ligjor për fshirjen e tyre, të regjistrave të pasaktë”, ka propozuar Fino.

Fenomeni i partive vetëm në letër është ngritur si shqetësim edhe nga KQZ. Ligji zgjedhor i jep mundësi KQZ vetëm të përjashtojë një parti politike nga zgjedhjet, por jo ta çregjistrojë. Ndërkaq, Kushtetuta parashikon vetëm ndalimin e partive me qëllime antikushtetuese. Komisioni i Ligjeve ka miratuar një raport për punën e KQZ, duke i lënë disa detyra për vitin 2020. Raporti pritet të miratohet nga Parlamenti në seancë plenare. Në detyrat që Kuvendi i ka lënë për zbatim KQZ nuk është përfshirë çështja e partive politike fiktive.

Dokumenti me detyrat qe Kuvendi i ka lene KQZ