TIRANE - Lirohen tre të shoqëruarit për vrasjen e biznesmenit Memli Begalla. 3 të shoqëruarit i kishin dhënë para borxh 64-vjeçarit. Burime Policore bëjnë me dije se Begalla u kishte 90 mijë euro borxh atyre, por ata kanë mohuar se kanë lidhje me vrasjen e 64-vjeçarit.

 

Policia dyshon se kemi të bëjmë me një vrasës me pagesë që ka ekzekutuar Memli Begallën.

Si ndodhi krimi
Memli Begalla u qëllua për vdekje dy netë më parë, me armë zjarri me silenciator menjëherë sapo doli nga apartamenti i tij dhe po i drejtohej makinës. Autori përdori një rrugicë për t’u larguar në këmbë. Burime për Report TV konfirmojnë se 64-vjeçari nëpërmjet biznesit të tij kishte disa mijëra euro borxhe, tek persona të ndryshëm. Ai u kishte marrë disa biznesmenëve shuma të konsiderueshme parash për të kryer investime dhe këto sasi lekësh nuk jua ka kthyer më. Tre prej këtyre personave të shoqëruar nga policia pas ngjarjes, viktima u kishte borxhe. 

Një ditë më parë Report TV zbardhi edhe vendimin e Gjykatës së Tiranës ku Memlli Begalla është dënuar për një borxh prej rreth 54 mijë euro. Gjithashtu, Begalla është dënuar në vitin 1998 për shkak se i janë gjetur rreth 50 mijë dollar false. 

 

Begalla ishte administrator i kompanisë LAB-AB, e cila merrej me import-eksport, ndërtim dhe turizëm. Më parë ai ka pasur biznes gomash në aksin Tiranë-Durrës. Në vitin 2009 Memli Begalla është arrestuar në Itali bashkë me djalin e tij, pasi kishte rrëmbyer vajzën e tij në Zvicër dhe po e kthente në Shqipëri, pasi nuk ishte dakord me martesën e saj me një kosovar.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com