Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme organizoi një ceremoni dhe ekspozitë me rastin e 90-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare.
Në fjalën e saj, ministrja Elisa Spiropali deklaroi se Kadare e ngriti Shqipërinë në një lartësi të admirueshme. Spiropali shtoi se Kadare u shndërrua në pasaportën e Shqipërisë.
“Ministria e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, kujton se Kadare e ngriti Shqipen dhe Shqipërinë në lartësi të admirueshme. Mbushemi me krenari kur konstatojmë se Kadareja ynë i njohur ndërkombëtarisht në tërë planetin, më së pari ushqeu shpirtërisht e lartësoi moralisht popullin e Tij. Shqipëria dhe shqiptaria tek Ai dhe vepra e Tij gjetën formën më të lartë të vetvetes. Kadare u shndërrua në pasaportën e Shqipërisë atëherë kur vetë Shqipëria ishte brenda kafazit të izolimit, e qëndroi në atë piedestal edhe kur qemë të përbuzur, të harruar e të keqkuptuar, luftoi për ne. Nderojmë luftëtarin e paepur të Shqipërisë europiane, atë që i dëshmoi botës se në këto troje rron një popull europian në mish e në thua, që sa herë ka qenë i lirë ka zgjedhur Europën. Përkujtojmë përmes një ekspozite të thjeshtë me dokumente nga arkiva e shtëpia, emrin e kolosit kulturor, humanist, patriotik, që për Shqipërinë dhe shqiptarët, dha gjithçka, dhe nuk mori asgjë.
I përkthyer në shumë gjuhë, Kadare kapërceu izolimin haluçinant, foli e shkruajti në emër të vendit të tij të mbyllur, por jo të dorëzuar, duke ja arritur të bëhet ambasador shpirtëror i Shqipërisë në botë. Ndërsa vëzhgohej rreptësisht nga aparati i shtetit komunist, në tehun mes adhurimit dhe survejimit, ia doli të kalonte çdo rrezik falë vullnetit të pashtershëm dhe forcës kolosale të gjeniut artist dhe vizionar. Pa rënë ende perdja e hekurt, i ftuar nominalisht nga Presidenti i Francës, François Mitterrand, për të marrë pjesë në festimet e 200-vjetorit të Revolucionit Francez, mes 35 krerëve të shteteve dhe figurave më të rëndësishme të botës, Kadare ishte aty mes një grushti të vogël shkrimtarësh me përmasa botërore. Diktatura nuk mundi më ta mbante të izoluar gjeniun. Kadare u bë fitorja e parë morale ndaj regjimit, rrëzimi i parë simbolik i murit diktatorial në Shqipëri. Ai ishte zëri që parapriu ndryshimin, fjala që e bëri të mundshme Lirinë. Në rolin madhor të përfaqësuesit shpirtëror të kombit, Kadare krijoi raportin më kuptimplotë e prekës me Kosovën. Ishte i pari që shkroi për tragjedinë, që po përgatitej kundër saj. Kadare ishte me Kosovën në momentet e saj më vendimtare dhe dramatike. Letra që i nis delegacionit shqiptar në Rambuje me tone dashurie, lutje e qortimi është një ndër marrëdhëniet e tij në nivelet më të larta botërore", theksoi ajo.
Ndërsa Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla deklaroi se Ismail Kadare nuk heshti për Kosovën, kur tentuan ta bënin të padukshme.
Sipas saj, Kadare i dha Kosovës zë botëror.
“Ismail Kadare për Kosovën nuk është mit letrar, por dëshmitar i plagëve të hapura të Kosovës. Kadare nuk e ka parë kurrë Kosovën nga larg, ishte dhimbje e tij personale. Kadare e ndjente se po sulmohet thelbi i një kombi. Kosovën, tentuan ta bënin të padukshme, por Kadare nuk heshti, shkroi sepse të tjerë nuk mundën. Madhështia e Kadaresë qëndron te mënyra sesi e përdori letërsinë për të treguar të vërtetën. Europa e dinte dhimbjen e Kosovës, por zgjodhi të heshte. Kadare mbrojti identitetin dhe kulturën, ai i dha Kosovës zë botëror dhe tha se një popull mund të jetë pa shtet, por nuk mund të jetë pa identitet. Kosova e lirë dhe e pavarur nuk e harron kurrë shkrimtarin e saj. Kosova dhe Kadareja janë një binom që nuk mund të zëvendësohet me asgjë tjetër.", nënvizoi ajo.
Lajmi kryesor:
Kolosi i letërsisë shqiptare, sot Ismail Kadare do të festonte 90 vite nga lindja e tij












