Një në 4 shkolla parauniversitare në të gjithë vendin nuk ka punonjës psiko-social.  Raporti më i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit evidenton problematika të theksuar në këtë shërbim.

Sipas të dhënave për vitin shkollor 2023-2024, nga 1.356 shkolla në rang vendi, 334 nuk kanë asnjë psikolog apo punonjës social. Kjo do të thotë se për rreth 93 mijë nxënës mungon shërbimi, ndërsa situata paraqitet më problematike në zonat rurale.

Sipas urdhrit të vetë Ministrisë së Arsimit, për çdo shkollë me 500-700 nxënës duhet të punësohet të paktën një punonjës psiko-social.

Në disa zyra vendore arsimore parauniversitare, si Finiq-Dropull, shërbimi psiko-social mungon plotësisht, ndërsa në zona të tjera si Selenicë dhe Tepelenë-Memaliaj, një punonjës i vetëm mbulon përkatësisht 18 dhe 14 shkolla.

Një tjetër problematikë lidhet me mbështetjen e nxënësve me aftësi të kufizuara. Institucionet arsimore parauniversitare nuk sigurojnë mbulim të plotë për këtë kategori, ndonëse kuadri rregullator parashikon shtimin e një punonjësi psiko-social për çdo 10 nxënës me aftësi të kufizuara.

Sipas gjetjeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, në rang vendi, janë 4,686 nxënës me aftësi të kufizuara që nuk marrin asnjë formë mbështetjeje psikosociale.

KLSH vëren gjithashtu se edhe aty ku shërbimi ekziston, ai shpesh nuk arrin të identifikojë dhe të adresojë problematikat reale të nxënësve. Sipas raportit, shërbimi ka një qasje kryesisht reaguese dhe jo parandaluese, mungon supervizimi i strukturuar dhe një analizë e unifikuar kombëtare e situatës psiko-sociale në shkolla.

Problematike mbeten edhe kushtet infrastrukturore. KLSH thotë se një pjesë e kabineteve të shërbimit psiko-social nuk janë ambiente të dedikuara, por ndahen me mjekët e shkollës, oficerët e sigurisë apo stafin administrativ. Kjo ndikon negativisht në cilësinë e shërbimit, në ruajtjen e konfidencialitetit dhe në krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për ndërhyrje profesionale.

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit ndalet edhe te procesi i rekrutimit, duke konstatuar se gjatë viteve 2021-2023 procedurat e ndjekura për punësimin e psikologëve dhe punonjësve socialë nuk kanë siguruar mbulimin e vendeve vakante.

Në këtë periudhë janë evidentuar 92 vende vakante që nuk janë plotësuar përmes konkursit të rregullt, duke lënë pa shërbim rreth 15,000 nxënës.

Për pozicionet e përhershme kërkohet profil psikolog shkollor dhe diplomë master, ndërsa për kontratat e përkohshme lejohet edhe diplomë bachelor në psikologji apo punë sociale. Kjo ndarje krijon standarde të dyfishta dhe cenon qëndrueshmërinë e shërbimit.  Auditimi i KLSH-së është kryer për periudhën 1 janar 2020-30 prill 2024.